Ngacmoi për disa ditë familjarët e tij. Por figura më e njohur në Gjilan, Vali Corleone, për 15 ditë do të duhet të qëndrojë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike për ekzaminim psikiatrik.
Në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, Corleone do t’i kryejë të gjitha analizat për t’u parë qartë shëndeti i tij mendor.
Pas qëndrimit 15-ditor të Corleones në Psikiatri, Gjykata Themelore në Gjilan do të japë vendimin e saj për Corleonen. Kështu ka thënë zyrtari për informim në këtë gjykatë, Sabit Shkodra.
“Ndaj të pandehurit caktohet masa e ekzaminimit psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë në kohëzgjatje prej 15 ditëve”, shtoi Shkodra.
Gjykata Themelore në Gjilan ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit në institucionin e kujdesit shëndetësor ndaj të dyshuarit për ngacmim të familjarëve të tij, Vali Corleone.
Corleone u arrestua nga policia para disa ditëve nën dyshimin se ka ngacmuar dhe ka kanosur prindërit e tij.
Nuk ishte kjo hera e parë që kishte pasur probleme me ligjin.