Ballina / BOTA / Clinton siguron nominimin nga demokratët

Clinton siguron nominimin nga demokratët

Hillary Clinton: ajo do të bëhet gruaja e parë që merr emërimin e një partie të madhe politike të SHBA. Të hënën ajo siguroi premtimin e një numri të mjaftueshëm delegatësh për të fituar emërimin në kuvendin e partisë.

Fitorja vjen rreth 8 vjet pas pranimit prej saj të humbjes ndaj Barak Obamës në fushatën e vitit 2008, ku ajo garoi për herë të parë për Shtëpinë e Bardhë. Ajo tha në atë kohë se nuk kishte mundur “të thyente tavanin më të lartë dhe më të fortë prej xhami”, një shprehje që do të bëhej e famshme.

Këtë herë, duke bërë fushatë si pasardhësja e presidentit të parë afrikano-amerikan të vendit, zonja Clinton u përball me një sfidë çuditërisht të fuqishme nga ana e senatorit të Vermontit, Bernie Sanders. Ai mobilizoi miliona njerëz me një mesazh liberal, ndërkohë që fushata e tij nxori në pah një nivel të lartë zhgënjimi në mbarë vendin ndaj politikës së vjetër, madje edhe në gjirin e demokratëve, që kontrollonin Shtëpinë e Bardhë qysh nga viti 2009.

Zonja Clinton, ish-Sekretare e Shtetit, ish-senatore e Nju Jorkut dhe ish-Zonjë e Parë, e arriti të hënën numrin prej 2,383 delegatësh, që i nevojiten për të marrë emërimin e Partisë Demokrate me një fitore vendimtare në Porto Riko gjatë fundjavës dhe me një mbështetje të minutës së fundit nga një numër superdelegatësh. Këta janë zyrtarë të partisë dhe persona të zgjedhur, të cilët vendosën të mos prisnin më, por ta mbyllnin garën brenda partisë, ndërkohë që anketat tregojnë se shifrat e mbështetjes për zonjën Clinton në shkallë vendi janë mjaft afër atyre për rivalin republikan, Donald Trump.

Sipas përllogaritjeve të agjencisë së lajmeve Associated Press, zonja Clinton ka fituar 1,812 delegatë në garat paraprake, të cilëve u shtohet tani mbështetja e 571 superdelegatëve.

Megjithëse superdelegatët zyrtarisht do ta hedhin votën e tyre në Kuvendin Kombëtar të partisë në muajin korrik në Filadelfia, të gjithë superdelegatët e intervistuar i kanë thënë pa mëdyshje agjencisë së lajmeve AP se do të votojnë për zonjën Clinton.

Kandidati demokrat, Senator Bernie Sanders

Kandidati demokrat, Senator Bernie Sanders

Pas rezultatit në Porto Riko, Sanders e ka të pamundur të arrijë numrin prej 2,383 delegatësh, të nevojshëm për të fituar emërimin.

Senatori tha gjatë fundjavës se kishte në plan të luftonte deri në mbajtjen e Kuvendit, me premtimin se do të argumentonte përpara superdelegatëve se ai është në pozitë më të favorshme për të mundur zotin Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Por, që nga fillimi i anketës së AP në fund të vitit 2015, asnjë prej superdelegatëve nuk ka ndryshuar qëndrim, për të kaluar nga zonja Clinton te senatori Sanders.

Fitorja e zonjës Clinton është, në fakt, e dukshme. Ajo ka tre milion vota më shumë se Sanders, 291 delegatë më shumë dhe ia kalon atij me 523 superdelegatë. Ajo fitoi 29 gara ndërkohë që ai arriti 21 fitore.

Kjo është një fitore shumë më e thellë se sa ajo e arritur nga Obama në garën me zonjën Clinton në vitin 2008.

Provo po ashtu

irak turqit

Irak: Vriten tre diplomatë turq

Së paku tre diplomatë turq janë qëlluar për vdekje në qytetin Erbil të Irakut, i …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.