Ballina / KRYESORE / Cliff: Progresi dhe politikat përtace
cliff

Cliff: Progresi dhe politikat përtace

Pse flitet aq shumë për politikë e nuk flitet me po kaq pasion për ekonomi apo papunësi; pse Asociacioni apo Bashkësia e Komunave Serbe nuk është OJQ dhe pse nuk është as Republika Srpska; nga kush mund të keqpërdoret i riu në rast të mosadresimit të problemeve si ekonomia e papunësia? Këto janë disa tema të rrahura gjatë intervistës me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Ian Cliff.

Intervistoi: Evliana BERANI/ InfoGlobi

Ambasadori Cliff, që besohet se është njëri ndër ambasadorët më të artikuluar në Kosovë shpalon perspektivat e tij edhe për privatizimin PTK-ja, për ate se a do ta bllokojë Serbia Kosovën, apo kjo e fundit Serbinë, në rast se njëra futet në BE e tjetra mbetet jashtë saj. Vendet e rezervuara, reforma zgjedhore dhe e ardhmja e EULEX-it janë poashtu këtu.

E për to, Ambasadori dita e punës së të cilit zgjatë të paktën 12 orë, brenda të cilave ndodhin të paktën dhjetë takime ditore, nuk harron të përkujtoj se pavarësisht pikëpamjeve të tij për shumë çështje është Kosova ajo që duhet të marr vendime për vetën e saj dhe që duhet të mbështetet në forcat e saj.

InfoGlobi: Ambasadori Cliff, është koha për bilancet 2013.  Si u nda Kosova me Vitin 2013?

Cliff: Unë mendoj që një nga ngjarjet e suksesshme që shënuan vitin 2013 ishte arritja dhe fillimi i implementimit të Marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë.

Viti 2013 kaloi në shenjë të dialogut.

Ka filluar implementimi i MV për menaxhimin e integruar të kufirit, çështje kjo që ka vazhduar gjatë tërë vitit. Tani qarkullimi është shumë më i lirë dhe njerëzit udhëtojnë më lehtë nga Kosova në Serbi dhe e kundërta. E di që tani janë në rend dite disa çështje si ato të sigurimeve, mirëpo, arritjet e deritashme në fushën e dialogut kujtoj se kanë qenë goxha të suksesshme.

Besoj se marrëveshja politike  ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e datës 19 Prill, bëri dhe vazhdon të bëj që gjërat të lëvizin para.

Kur mendoj prapa, në kohën kur erdha në Kosovë në Mars të vitit 2011, unë nuk kam besuar që Kosova e Serbia do të ia dalin e të  nënshkruajnë marrëveshjen.

Ajo nuk është teknikisht Marrëveshje ndërmjet dy shteteve,  por është marrëveshje për çështjet praktike. Sidoqoftë, asokohe nuk e besoja se dicka e tillë do të mund të ndodhë, por ja që dy vjet më vonë kjo ndodhi.

Tani kemi procesin e implementimit të integrimit të pjesëtarëve të MUP-it të Serbisë në Policinë e Kosovës. Mendoj se në përgjithësi gjërat po ecin mirë.

Ka ende disa pengesa me të cilat duhet të merren, si integrimi i sistemit të gjykatave, që poashtu do të jetë temë në bisedimet mes dy kryeministrave. Pastaj kanë ngelur zbrastësi në marrëveshjet për energji e telekom, që mendoj se do të marrë shume kohë.

Sigurisht kur shikojmë prapa në 2013-të mendoj qe suksesi i madh ishin zgjedhjet lokale. Unë nuk isha këtu për zgjedhjet paraprake të janarit 2010, mirëpo u raportua për shumë manipulime. Ndoshta komuniteti ndërkombëtarë u bë kinse nuk po i sheh ato sepse ishin përpjekje për ta përkrahur pavarësinë e Kosovës. Mendoj që zgjedhjet e 2013-ës shënuan një hap të konsiderueshëm  përpara në kuptim të përmbushjes dhe respektimit të standardeve. Vjet unë isha pjesë e procesit të monitorimit të komunitetit ndërkombëtarë të vëzhguesve dhe kishte shumë më pak manipulime. Kishte raste kur individë të caktuar u akuzuan por rastet që kishin të bënin me presion mbi votë, por raste të tilla nuk kishte shumë dhe do të adresohen në gjykatë.  Me pak fjalë je viti 2013 ishte vit i suksesshëm.

Tani do përballemi me sfidat e implementimit të plotë të marrëveshjes me Serbinë, krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, reformat elektorale si dhe zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.

InfoGlobi: Përmendët sukseset që sipas jush janë marrëveshja dhe zgjedhjet lokale. Cka mund të na thoni për dështimet gjatë vitit 2013?

Cliff: Unë mendoj se dështimi më i madh ishte ngecja në ekonomi dhe pamundësia që të adresohet si duhet cështja e papunësisë. Ka shumë statistika për papunësinë . Ne të gjithë pajtohemi se disa statistika janë të fryra. Nuk do mend se papunësia, sidomos ajo e të rinjëve që si thuhet sillet diku rreth 55 për qind, është një kërcënim  esencial për të ardhmen e vendit, ku në njërën anë Kosova promovon veten si shteti i evropianëve të rinj, por këta europianë të rinjë nuk kanë punë e kjo mbartë në vete shumë vështirësi e reziqe për vendin. Pra, ky ishte dështimi më i madh.

Në kontekstin e stabilitetit makroekonomik Kosova megjithatë ishte mjaft mirë. Ajo ia doli të mbaj hapin e duhur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, pastaj shifrat e shpenzimeve  të Qeverisë  nuk ishin dhe aq keq. Ajo që duhet ta kemi parasysh është fakti se ekonominë në përgjithësi këtu po e mban edhe diaspora, sidomos sjo austriake, zvicerane dhe ajo gjermane.

 InfoGlobi: A ka ndonjë vizion apo plan që është duke u diskutuar në nivel politik , mes donatorëve, ambasadave dhe qeverisë së Kosovës përkitazi me atë se si duhet të trajtohen problemet ekonomike?

Cliff: Është një forum donatorësh në Ministrinë e Integrimeve, mirëpo unë mendoj se çështja i takon qeverisë. Pas zgjedhjeve, janë partitë ato që duhet të diskutojnë dhe zhvillojnë programet ekonomike, që duhet ti zbatojnë me ardhjen në pushtet. Kështu duhet të veprohet, nëse dëshironi që Kosova të evoluojë si shtet. Partitë kryesore duhet të diskutojnë  programin e tyre ekonomik dhe të gjejnë zgjidhje për problemet si këto. Kështu veprohet në shtetet e tjera, si në Britani, Francë ose Gjermani.

Është mjaftë e çuditshme që nuk ka fare diskutime për strategjinë ekonomike për perudha afatgjate kohore. Nganjëherë, më duket se çështja e ekonomisë  dhe biznesit këtu shikohet nga prizmi i akuzave si ajo për korrupsion, që ndonjëherë është i vërtetë e ndonjëherë jo,  apo nga prizmi i asaj se kush merr pozitë, kush punësohet dhe nga cila parti, apo kush  dhe cka përfiton nga një biznes i caktuar!!!

Çështja e zhvillimit ekonomik dhe ardhmja e saj sikur nuk janë në qendër të debateve politike. Ndoshta kjo duhet të ndryshojë.

InfoGlobi: Keni të drejt, por duket se debat të tillë nuk ka as në komunitetin  e donatorëve. Shifrat flasin që investimet e huaja direkte nuk kanë shënuar progres, kurse

Cliff: Më vjen keq që po ju ndërpres, por këtu duhet të ndryshoj mendësia e mbështetjes në komunitetin e donatorëve.

Kosova si shtet në pritje të fillimit të negociatave për MSA me BE-në, duhet të filloj të ecë në këmbët e veta. Natyrisht, do të përkrahet nga BE-ja dhe shtetet individualisht , por ajo më nuk është më vend i pasluftës, që ka nevojë për ndihmën imediate nga donatorët.

Kosova tani duhet të mbështetet në forcat e veta.

E di se koordinimi i ndihmës së donatorëve nuk është në nivelin që do të duhej të ishte në Kosovë. Ai duhet të orientohet nga Ministria e Integrimeve Evropiane. Megjithatë, strategjia ekonomike është diçka që duhet të drejtohet nga politikanët kosovarë e të ndihmohet nga miqtë ndërkombëtarë. Por, ajo nuk duhet të udhëhiqet nga një grup donatorësh.

Ne kemi programe përmes ambasadës  për të ndihmuar cështjet si ato për një shoqëri të barabart, për kthimin e të zhvendosurve , e të ngjashme, mirëpo ne ju shohim si shtet që është duke lëvizur drejt BE-së. Nëse do të shpëtoni si një anëtarë i mundshëm i BE-së, atëherë është esenciale që qeveria dhe partitë politike të kanë një strategji të qartë ekonomike, sidomos për uljen e nivelit kaq të lartë të papunësisë.

InfoGlobi: Z. Cliff, a është apo nuk është OJQ, Asociacioni i Komunave Serbe të Kosovës?

Cliff: Është një strukturë që është duke u diskutuar. Eshtë detyrë e ekipit menagjues që të zhvillojnë atë, si në takimet në Bruksel, poashtu në Beograd  e këtu në Qeveri, pra në Prishtinë.

Ajo që mund të them është se Asociacioni apo Bashkësia nuk është OJQ, sepse ai ka të bëj me qeverisje lokale, pra me pushtet lokal. Në anën tjetër, Asociacioni nuk është as si ‘Republika Serbe”, entitet i Bosnjë e Hercegovinës.

InfoGlobi: Do të thotë është më shumë se OJQ dhe më pak se ‘Republika Srpska’?

Cliff: Po, mirëpo brenda këtyre dyjave ka hapësirë mjaft të madhe për interpretim.

Ne e shohim Asociacionin si një mënyrë për të fuqizuar komunitetin serb këtu. Ai nuk ka të bëj vetëm me Veriun por ka të bëj edhe me Jugun. Me asociacion synohet fuqizimi i serbëve brenda strukturave kosovare, dhe nën ombrellën e Kosovës, por njëkohësisht atyre u mundësohet të mbajnë lidhje legjitime e transparente me Beogradin, sidomos në lidhje me fondet në fushën e edukimit dhe shëndetësisë.

Për disa gjëra, si ato në lidhje me ekonominë dhe planifikimin urban është arritur një pajtueshmëri , por ende nuk është e qartë si do të duket kjo në praktikë.

Megjithatë, unë e shoh Asociacionin si përpjekje për të ngritur besimin e komunitetit serb dhe si dicka që krijon lidhjen ndërmjet Veriut dhe Jugut.

Po e zëmë, përshtypjet që mund ti fitoni aktualisht në Prishtinë dallojnë varsisht nga ajo se me kë flisni, me njerëzit në veri apo në jug. Pra këto përshtypje dallojnë. Perceptimet janë tjera kur bisedoni me kryetarin e Gracanicës, me ato që krijohen kur bisedoni me Kryetarin e Leposaviqit në veri. Kanë qasje tjera e pikëpamje të ndryshme për Prishtinën. Eshtë e rëndësishme që këta njerëz të flasin me një zë.

InfoGlobi: A keni asociacion të ngjashëm në Mbretërinë e Bashkuar?

Cliff: Në Britani kemi një lloj të administrimit të devolvuar në Skoci, Wales dhe në Irlandën Veriore. Fuqia e administratave të devolvuara është tjetër nga ajo përtë cilën po flasim në rastin e Kosovës.

Në Britani flasim për pushtetin e devolvuar që është më shumë se kjo që përmendet për asociacionin këtu. Fjala bie në Skoci ekziston parlamenti, e asociacioni i këtushëm nuk është me parlament.

Asociacioni do të jetë diçka shumë më pak në kuptim të fuqisë. Asociacioni mendohet të jetë një grup komunash që kanë një interes të përbashkët, por që kanë lidhje me Beogradin dhe me Prishtinën.  Kjo bashkësi i komunave do të angazhohet për zhvillim, planifikim hapsinor për edukim e shëndetësi.

InfoGlobi: Kush do të vendos se çfarë lloj lidhjesh do të ketë ndërmjet Asosacionit të Komunave dhe Beogradit? A do të ketë Prishtina të drejtë fjale në këtë? Apo vendimarrësit për këto relacione do jenë në Beograd?

Cliff: Jo nuk pajtohem me këtë. Çdo gjë do të varet nga statuti, i cili po hartohet dhe ky statut është diçka që duhet të arrihet në pajtueshmëri ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit e me lehtësimin e procesit nga Brukseli. Do të ketë inpute nga komunat. Ato duhet të vendosin a do ti bashkohen këtij asociacioni dhe ate me votat e dy të tretës së kuvendeve komunale.

Poashtu ka dhe disa aspekte interesante  për të cilat po diskutohet. Bie fjala, kryetari i ri i Graçanicës, thotë se pret që nga kuvendi i kësaj komune do të ketë edhe përfaqësues joserb që do të jenë pjesëtarë të këtij Asociacioni. Pra po bisedohet jo për një Asociacion serb, por për një Asociacion me shumicë serbe.

Dmth nuk duhet harruar se këto komuna kanë edhe shumë shqiptarë, siç është Novobërda, ku gjysma e banorëve janë të një etnie, e gjysma të etnisë tjetër. Do ketë aty edhe boshnjakë e kështu me radhë. Pra, Asosacioni i Komunave Serbe nuk është një lloj strukture nacionaliste serbe.

Dhe është një çështje tjetër. Nëse shikoni statistikat, për aq sa mund tu besohet atyre, diku rreth 20% e serbve të Kosovës në jug të Ibrit, nuk jetojnë në komunat me shumicë serbe, por përkundrazi, ata janë pakicë në komunat si Gjilani, Vitia, Kamenica, Peja, Klina e etj. Tani, shtrohet pyetja çfarë do jetë relacioni i tyre dhe këtij asosacioni. Këtë nuk e dimë ende.

InfoGlobi: Sa është e shëndetshme për Kosovën, që i gjithë fokusi të përqëndrohet në marrëdhëniet ndër etnike dhe ato politike në përgjithësi. A besoni se mund të vazhdohet kësisoji, pa hapsirën e domosdoshme për tu fokusuar edhe në çështjet e tjera, po aq të rëndësishme, si ekonomia, varfëria, papunësia? A është shoqëria e Kosovës, a janë shqiptarët dhe serbët të gatshëm të kalojnë edhe 1 ose 2 vjet duke u fokusuar vetëm në politikë e në marrëdhëniet ndër-etnike?

Cliff: Unë mendoj se ky është njëri nga problemet, që diskutimet politike po ushqehen kaq shumë me këto pyetje, si marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, apo të komunitetit serb dhe atij shqiptar. Si rezultat i kësaj po ngushtohet hapsira për tu diskutuar çështjet e tjera. Ndoshta kjo është e dobishme për disa politikanë kjo është më e lehtë sesa të ndalen në cështjet e zhvillimi ekonomik. Ky i fundit si e dini është sfidë e madhe, është më e vështirë.

Eshtë tundim kur politika përqëndrohet  në  çështje kombëtare, sepse ndoshta njerëzit shfrytëzohen më lehtë; shfrytëzohet frika e tyre përmes asaj  se “duhet të  qëndrojmë së bashku, si shqiptarë apo serbë apo boshnjakë apo çfarëdo që jemi, për shkak të kërcënimit nga të tjerët”.

Kjo në fakt çon drejt diçkaje që unë do ta quaja “politikë përtace” ndonjëherë, sepse është një justifikim për politikanët që të mos merren me çështjet e mëdha dhe vërtetë të rëndësishme.

Unë nuk po e di si të përgjigjem ndryshe në pyetjen tuaj, por ajo që më bën përshtypje është që në mesin e të rinjve në Kosovë ende ekziston një përkushtim i jashtëzakonshëm për shtetin. E them kështu sepse krahasoj përvojat e mija Bosnjë e Hercegovinën dhe rajonin në përgjithësi. Por, sa do të zgjasë ky përkushtim nëse gjeneratat e reja ndjehen të përjashtuara sepse nuk kanë punë, sepse mendojnë se gjithçka është në duart e politikanëve të korruptuar, se duhet të kenë lidhje politike në mënyrë që të përparojnë Atëherë mendoj se do të përballemi me disa pyetje, dhe nuk dua ta zmadhoj atë por, shumë njerëz thonë se ky lloj mjedisi, ku të rinjtë nuk shohin të ardhme, ku shoqëria është me shumicë myslimane,  nuk dua të ekzagjeroj por besohet se mjediset e tilla janë ato që ndonjëherë mund të eksploatohen nga ekstremistët.

InfoGlobi: A ka ndodhur diçka e tillë në Kosovë? A keni vërejtur ndonjë tregues që do të shpiente në përfundimin se kanë ndodhur eksploatime nga ekstremistët?

Cliff:  Sinqerisht nuk e di. Unë po shoh disa tregues për këtë. Mendoj se nuk ka dyshim që lëvizjet islamike këtu janë më të fuqishme sot sesa që ishin kur kam ardhur para tre vjetëve në Kosovë.  Ka parti politike që janë formuar mbi agjendë të tillë. Vërehet se. pak, por më shumë të holla se dikur, janë duke hyrë në institucionet e këtushme nga organizata të dyshimta fetare, nga Lindja e Mesme dhe gjetkë.

Sidoqoftë, ende mendoj se përmasat e problemit janë të vogla kur krahasohen me problemin me të cilin përballemi ne në Britani të Madhe. Por, padyshim është diçka që ka nevojë të përcjellet. Njoh shumë njerëz që janë shumë të brengosur për këtë, dhe befasohem mjaft ndonjëherë kur shkoj në takime dhe ngjarje me politikanë vendas, s’ka rëndësi a janë serbë të Kosovës apo shqiptarë të Kosovës, kjo temë flitet shumë.

Nuk mendoj se duhet ta ekzagjerojmë, por në të njëjtën kohë mendoj që është diçka që duhet ta shikojmë sepse me një shkallë kaq të lartë të papunësisë, e dini nëse krijohet përshtypja që modeli evropian i demokracisë nuk është duke funksionuar, atëherë njerëzit do të kthehen nga diçka tjetër.

InfoGlobi: Pa dashur të nënvlerësoj të arriturat dhe rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kam frikë se bombardimi i opinionit me informata që rezultojnë nga prioritetet politike të përcaktuara nga vendorë e ndërkombëtarë, po krijon mendësi jo të shëndetshme në shoqërinë tonë. Në Kosovë secili i di emrat e ndaluarve, të akuzurve, të atyre që janë liruar apo dënuar nën petkun e korrupsionit a krimit. Por, po mungojnë njohuri për cështjet si të drejtat e njeriut, privatësia, vlerat evropiane. Aktualisht diskursi politik përqëndrohet vetëm në termet si krimi, krimi, dhe prap krimi. A mjafton kjo që Kosova të zhvillohet si duhet?

Cliff: Po, mendoj se keni të drejtë. Disa nga sondazhet që janë  bërë nga organizatat ndërkombëtare tregojnë përqindje të lartë të perceptimit se ka korrupsion. Por, kur njerëzit pyeten për përvojat e tyre personale me sjellje korruptive, shifrat e Kosovës mendoj se janë më të ulëta se të çdo shteti tjetër nga Ballkanin Perëndimor.

Por, mendoj se keni të drejtë. Mendoj se ka arritje në luftën kundër korrupsionit. Ne kemi vizitorë këtu nga Britania e Madhe dhe kur ata flasin me shoferë të taksive, kjo është një temë konstante. Pra, në këtë kuptim keni të drejtë, vetëdija sa i përket luftës kundër krimit e korrupsionit është duke u ngritur.

Përkundër kritikave të EULEX-it, mendoj se ata janë duke u marrë me disa raste shumë serioze shkëlqyeshëm,  jo vetëm me rastin e Ministrisë së Transportit, por edhe shumë raste tjera më të vogla janë dukë u zgjidhur.  Ka pasur dënime si rasti i Ministrisë së Shëndetësisë, etj .

Një nga problemet me EULEX-in ishte se ndriqimi i rasteve implikon kohë të gjatë, dy e tri vjet kërkime, hetime e mbledhje të provave. Duhen tri ose katër vite, madje edhe në shumë shtete të BE-së për të gjurmuar këto raste të mëdha të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, çfarë po shohim tash është se këto raste janë duke u trajtuar me të vërtetë. Mendoj se kjo është mjaft pozitive.

Tani duhet të shohim drejt së ardhmes, EULEX-i duke punuar me sistemin e Kosovës.

Por, pajtohem që ka ende për t’u bërë për të edukuar të rinjtë rreth të drejtave të njeriut, të drejtave të tyre. Njerëzit shpesh thonë, “Si e luftoni korrupsionin?” Paj, e dini, mund të vendosni ligje, mund të konfiskoni mjetet e krimit, por një pjesë e madhe ka të bëjë me ndërgjegjësimin shoqëror, pranueshmërinë e pagimit të ryshfetit.

Po mendoj, nuk jemi perfekt as në Britaninë e Madhe, por mendoj se ekziston stigma shoqërore nëse ju kanë parë duke manipuluar me buxhete apo duke marrë ryshfet, që është shumë e rëndësishme në luftën e vërtetë të shoqërisë kundër korrupsionit.

InfoGlobi: Koha po ecën shpejt. Jemi në prak të zgjedhjeve, dhe në mes të reformave zgjedhore. Këto të fundit, sikur janë reduktuar vetëm në ulëset e rezervuara. A është kjo e tëra? Dhe nëse mund të na thoni diç për të ardhmen e EULEX-it?

Cliff: Reforma zgjedhore është dashur të ndodhë para dy vjetëve mendoj. Partitë asokohe ishin pajtuar që të ketë reformë zgjedhore pak pas formimit të qeverisë  dhe presidentit. Ka pasur këshille për këtë çështje, ka pasur plane në këshill për reforma zgjedhore, por deri tani asgjë konkrete nuk është bërë.

Tash jemi shumë afër zgjedhjeve të ardhshme. BE-ja ka thënë që Kosova të vazhdojë rrugën evropiane, duhet të përfundojë reformën zgjedhore. Po presim të shohim diçka konkrete në këtë drejtim. Gjithmonë kemi thënë, ne nuk jemi këtu të përcaktojmë se çfarë reforma duhet bërë. Për këtë duhet të vendos vetë Kosova.

Sa i përket zgjatjes së ulëseve të rezervuara duhet të jemi të qartë për çfarë po flasim me këtë rast. Nuk po flasim për 20 ulëset e garantuara për minoritetet, por për ‘plusin’ që ishin aty për dy mandate të mëhershme. Njëzet ulëset e rezervuara mbesin ashtu si janë, por këto ulëset shtesë janë vënë në pikëpyetje. Janë gjithësej 6 të tilla në parlamentin e tanishëm. Pra s’po flasim për një numër të madh.

infoGlobi: Po si e shihni ju këtë problem? 

Nuk po më duket e kuptimtë që në kohën kur po përpiqemi të sjellim serbët e këtushëm nën ombrellën e Kosovës, të shkojmë me zvogëlimin e numrit të ulëseve të rezervuara për ta në parlament. Andaj unë mendoj se ulëse e rezervuara mund të zgjaten edhe për një mandat. Natyrisht, kjo do të ndikojë edhe tek boshnjakët, turqit dhe komunitetet tjera. Por, LDK ka marrë qëndrim dhe është kundër zgjatjes së ulëseve shtesë të rezervuara edhe për një mandat, Përkrahja e këtij subjekti është e nevojshme për  të kaluar atë në parlament.

Por, në fund  Kosova duhet t’i ndërmarrë vendimet e veta, dhe kjo është një çështje e brendshme e Kosovës.

infoGlobi: Folët më heret për EULEX-in. Si e shihni të ardhmen e tij në Kosovë?

Cliff: Në të ardhmen e EULEX-it do të ketë një rishikim strategjik që nuk e kanë parë formalisht as shtetet e BE-së. Ka pasur bisedime mes EULEX-it këtu dhe ministrisë së zotëri Kuçit dhe ka pasur bisedime me baroneshën Ashton dhe ekipin e saj në Bruksel.

Nuk e di se çfarë do të jetë rezultati, por duhet të ketë bisedime me shtetet anëtare. Në fund të ditës, shtetet anëtare të BE-së janë ato që paguajnë faturën për këtë operacion jashtëzakonisht të shtrenjtë. Mendoj se është shumë e qartë se qasja e përgjithshme është se duhet të ketë më shumë bashkëpunim mes EULEX-it, apo qyshdo që do të quhet misioni në të ardhmen, dhe institucioneve të Kosovës.

Por, mendoj se nuk ka dilemë.  Eshtë në interesin e Kosovës që të vazhdohet prezenca e misionit të BE-së për sundimin e ligjit këtu.

InfoGlobi: Para disa ditësh, Lunacek tha se nuk do të ketë liberalizim të regjimit të vizave as sivjet. A jeni edhe ju të këtij mendimi?

Cliff: Nuk e di. Vizita e saj ishte për rezolutën e Parlamentit Evropian, që bëri thirrje për të gjithë në Evropë të njohin Kosovën shtet. Ky është në fakt mesazhi kryesor i saj. Ajo njihet si realiste. Më duket se ajo u pyet nga mediat për liberalizimin dhe kam përshtypjen se ajo dha një përgjigje të mundshme, përgjigje të atypëratyshme, përgjigje kjo që mori pastaj përmasa të papara në media, që la mënjanë paksa mesazhin e saj kryesor.

 InfoGlobi: A ekziston rreziku që një ditë Serbia do të bëhet anëtare e BE-së dhe Kosova do të mbetet jashtë?

Cliff: Jo. Mendoj se e kemi bërë shumë të qartë në procesin e Brukselit se do të sigurohemi që nuk do të ketë një situatë ku Serbia hyn në BE dhe pastaj e bllokon procesin e Kosovës, apo që Kosova hyn në BE dhe pastaj bllokon procesin e anëtarësimit të Serbisë. Prandaj i gjithë procesi i normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës është qendror për vetë pranimin e Serbisë në BE.

InfoGlobi: Për fund, Z. Cliff, privatizimi dhe PTK-ja

Cliff: Kemi qenë të zhgënjyer që privatizimi i PTK-së nuk u realizua

InfoGlobi: Të zhgënjyer që nuk u privatizua, apo të zhgënjyer pse procesi i privatizimit u menaxhua aq dobët?

Cliff: Po, ishte zhgënjim pse procesi u politizua kaq shumë. Në fund, më duhet ta them, PTK mbetet një industri joefikase e kombëtarizuar dhe unë s’mendoj se ka shumë mundësi të privatizimit të saj në të ardhmen.

InfoGlobi: Ambasador, kam përshtypjen se sot jeni shumë më pesimist se që ishit në intervistën e para një viti. 

Cliff: Hm. Po. Pak a shumë, gjërat nuk po ecin me shpejtësinë që unë e dëshiroj. Mund të jetë kjo që ndoshta tingëlloj i tillë.

 InfoGlobi: Mesazhi juaj për vitin 2014

Cliff: Ne presim të punojmë me Kosovën gjatë këtij viti, Pres që ai të jetë dinamik dhe sigurisht do të jetë, kur dihet se sivjet do të mbahen zgjedhjet.

Zgjedhjet padyshim do të jetë një provë e rëndësishme për  Kosovën. Shpresoj se zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen po aq mirë si u zhvilluan ato lokale, pra shpresoj se ato do të jenë të lira dhe të ndershme, e me standarde evropiane.

U dëshiroj të gjithëve një vit të mirë.

InfoGlobi: Ju faleminderit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.