drenica 2 gjykimi

Çka thonë avokatët për proceset ‘Drenica 1’ dhe ‘Drenica 2’

“Me shpalljen aktgjykimit për dënimin e Sami Lushtakut me 12 vjet burg nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, në Kosovë, me kriteret që janë përdorur me rastin e shqiptimit të dënimit, askush, asnjë qytetar më nuk ka siguri juridike” ka deklaruar Arianit Koci, avokati i Sami Lushtakut, të dënuarit në rastin “Drenicas 1”.

Sipas Kocit epilogu i deritashëm i këtij procesi gjygjësor është një rast që ka krijuar një precedent të ri, sepse gjatë tij janë zbatuar praktika që nuk janë aplikuar askund në botë.

” Dënimi është shqiptuar me një dëshmi të vetme, atë të dëshmitarit të mbrojtur , i cili ka akuzuar Lushtakun se e ka vrarë një person, por që asnjëherë nuk është shpaluar se kush qenka personi i vrarë, e madje as që është gjetur ndonjëherë trupi i tij. Nuk ka as familjar që e kërkon”, ka shpjeguar Koci, sipas të cili ‘dëshmia nuk ka qenë fare e mbështetur me prova, nuk ka qenë kredibile dhe ka pasur diskrapancë’.

Koci ka paralajmëruar se në momentin kur të marr vendimin e Gjykatës do të ushtrojë ankesën për të cilën ka afat 15 ditë nga marrja e vendimit gjygjësor.

Për media është prononcuar edhe avokati i ish Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës njëherësh ambasador i Kosovës në Shqipvri, Sylejman Selimi i cili është dënuar 14 vjet burgim për akuzat që dalin nga dy procese të ndryshme gjygjësore.

“Sylejman Selimi është dënuar mbi dëshminë e një personi që nuk është kredibil dhe që është i sëmurë psikik, gjë që është vërtetuar në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas, në vitin 2003” ka thënë Tomë Gashi avokati i Selimit.

Avokati Gashi nuk e beson ‘se ndokush në Kosovë beson në drejtësinë e këtij gjykimi’.

Dëshmitari në rastin ‘Drenica II’ ka pohuar se është rrahur për një muaj resht , çdo ditë prej orës 00:00 deri në 03:00”. Ai i ka përshkruar torturat asisoji që nuk mund të jenë reale sepse po të kishin ndodhur vërtetë ashtu si pohon dëshmitari, ai nuk do të ishte gjallë. Nuk ka organizëm njeriut që do të mund të përballonte tortura të tilla, ka shpjeguar Gashi.

Këto prononcime avokatët Koci e Gashi i kanë bërë pas shpalljes së vendimit me të cilin janë dënuar me 65 vjet burg 11 persona të akuzuar për veprat që Gjykata beson se janë kryer gjatë luftës në Kosovë. Fjala është për një vrasje, që i ngarkohet Sami Lushtakut dhe për torturimin e të burgosurve në Likoc, për cka ngarkohen të tjerët.

Asnjë nga të dënuarit nuk ka pranuar fajësinë. Të dënuarit janë Sami Lushtaku (12 vjet burg), Sulejman Selimi, (14), Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Isni Thaçi me nga 7 vjet burgim, dhe Agim Demaj, Fadil Demaku, Nexhat Demaku, Bashkim e Driton Demaj  dhe Selman Demaj me nga 3 vjet burgim. /infoglobi

KOMUNIKATAT E EULEX -it:

Aktgjykimi për rastin Drenica 2

27 maj 2015

Sot, trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Mitrovicë e shpalli aktgjykimin për rastin Drenica 2.

Aktakuza pretendonte ekzistimin e një qendre ndalimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ku, Prokurori pretendon se pjesëtarët e UÇK-së kishin kryer krime të luftës kundër popullatës civile, mes tjerash, duke ushtruar qëllimshëm dhunë, trajtim mizor, rrahje, torturë dhe trajtim poshtërues dhe degradues ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës të ndaluar në ambientet e ndalimit të UÇK-së në Likoc, ku të gjitha këto pretendohet se kanë ndodhur në gusht dhe shtator 1998.

Akuzat e parashtruara nga Prokurori ishin për Krime të Luftës kundër Popullatës Civile të parapara dhe të dënueshme sipas Neneve 22 dhe 142 të LPRSFJ (aktualisht të penalizuara sipas Neneve 31 dhe 152 të KPRK), në kundërshtim me Nenin 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës dhe Nenin 4 të Protokolleve Plotësuese II, ku të gjithat janë rregulla të së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë kohës së konfliktit të armatosur të brendshëm në Kosovë.

Trupi gjykues vendosi se z. Sylejman Selimi, z. Jahir Demaku, z. Zeqir Demaku dhe z. Isni Thaci janë “Fajtorë” për veprën penale Trajtim mizor, torturë dhe trajtim poshtërues dhe degradues ndaj qytetarëve (shqiptarë të Kosovës) dhe i dënoi me shtatë (7) vjet për z. Selimi dhe me nga gjashtë (6) vjet për të tjerët.

Për veprën e Keqtrajtimit të personave të ndaluar, z. Agim Demaj, z. Bashkim Demaj, z. Driton Demaj, z. Selman Demaj, z. Fadil Demaku, dhe z. Nexhat Demaku u dënuan të gjithë me tri (3) vjet burgim.

Z. Jahir Demaku, z. Zeqir Demaku, z. Isni Thaci u shpallën “Fajtor” për pikën e akuzës Ushtrim i dhunës, Trajtim mizor, Torturë dhe Trajtim poshtërues dhe degradues ndaj qytetarëve (shqiptarë të Kosovës) dhe u dënuan me dënime prej pesë (5) dhe gjashtë (6) vjet, të përmbledhura në një dënim të përgjithshëm prej shtatë (7) vjet. Z. Sylejman Selimi u shpall “Fajtor” për pikën Ushtrim i dhunës, Trajtim mizor, Torturë dhe Trajtim poshtërues dhe degradues ndaj qytetarëve (shqiptarë të Kosovës) dhe u dënua me dënime prej gjashtë (6) dhe shtatë (7) vjet, të përmbledhura në një dënim të përgjithshëm prej tetë (8) vjet.

Gjykata i mori parasysh këto pika të ndryshme të akuzës dhe të dënimeve dhe i shqiptoi dënimet e përgjithshme si në vijim për z. Sylejman Selimi (8 vjet), z. Jahir Demaku (7 vjet), z. Zeqir Demaku (7 vjet) dhe z. Isni Thaci (7 vjet) burgim.

Të gjithë 10 të pandehurit u dënuan në rastin Drenica 2.

Prokurori e mirëpriti aktgjykimin e Gjykatës, duke e përfshirë Urdhrin e gjykatës për paraburgim, si dhe e vlerësoi guximin e vërtetë dhe të vazhdueshëm të viktimave dhe dëshmitarëve, të cilët i paraqitën dëshmitë e tyre në gjykatë, përkundër sfidave, frikësimit dhe vështirësive të konsiderueshme për ta dhe për familjet e tyre.

Aktgjykimi për rastin Drenica 1

27 maj 2015

Sot, trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Mitrovicë e shpalli aktgjykimin për rastin Drenica I.

Aktakuza pretendonte ekzistimin e një qendre ndalimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Likoc ku pretendohet më tej se ushtarët e UÇK-së kishin kryer krime të luftës kundër popullatës civile (në këtë rast shqiptarë të Kosovës), mes tjerash, duke e cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e disa civilëve, kurse për disa të pandehur të tjerë, duke e vrarë një polic serb dhe një person tjetër civil, të gjitha këto vepra pretendohet se janë kryer ndërmjet muajve qershor dhe shtator 1998.

Akuzat e parashtruara nga Prokurori ishin për Krime të Luftës kundër Popullatës Civile të parapara dhe të dënueshme sipas Neneve 22 dhe 142 të LPRSFJ (aktualisht të penalizuara sipas Neneve 31 dhe 152 të KPRK), sepse, në kundërshtim me Nenin 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës dhe Nenin 4 të Protokolleve Plotësuese II, ku të gjithat janë rregulla të së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë kohës së konfliktit të armatosur të brendshëm në Kosovë.

Gjyqtarët vendosën se z. Sami Lushtaku është “Fajtor” për veprën penale Vrasje dhe u dënua me dymbëdhjetë (12) vjet burgim.

Gjyqtarët vendosën se z. Sylejman Selimi është “Fajtor” për veprën penale Krime të Luftës duke e shkelur rëndë Nenin 3 i përbashkët për Konventat e Gjenvës dhe u dënua me gjashtë  (6) vjet burgim.

Të gjithë të pandehurit tjerë u liruan nga akuzat, pasi pretendimet kundër tyre nuk janë vërtetuar.

Prokurori e mirëpriti aktgjykimin dhe Urdhrin e gjykatës për paraburgimin e të pandehurve që u shpallën fajtor.

Prokurori e vlerësoi guximin e vërtetë të treguar nga viktimat dhe dëshmitarët, të cilët i paraqitën dëshmitë e tyre në gjykatë, përkundër sfidave, frikësimit dhe vështirësive të konsiderueshme.

Prokurori do ta shqyrtojë në tërësi aktgjykimin e gjykatës dhe e rezervon të drejtën e tij për t’u ankuar pas këtij procesi shqyrtues.