qeverite e asfalltit dhe autostradat

Çka pritet nga takimi i qeverive Kosovë-Shqipëri?

Qeveritë shqiptare, ajo e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, do të mblidhen ne daten 11 janar, në një takim të përbashkët në qytetin e Prizrenit.

Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e kanë konfirmuar përfaqësues nga të dy qeveritë. Në fakt, kjo mbledhje ishte parashikuar të mbahej qysh në muajin nëntor, madje kjo do të ishte edhe një simbolikë më rastin e Festës së Flamurit. Por shtyrja e mbledhjes erdhi pas zgjedhjeve vendore në Kosovë.

Takimi i përbashkët i dy qeverive është hedhur si ide qysh në fillim të marrjes së detyrës nga kryeministri Edi Rama, madje në vizitën e tij të parë në Kosovë me anëtarë të kabinetit të tij.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se “në mbledhjen e parë do te marrim disa vendime të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, dhe atë në fushën e integrimit evropian!”.

Sipas tij, po ashtu, do të vendosim modalitetet për themelimin e një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës.

”Bashkëpunimi mes nesh tani e tutje do të jetë edhe më i strukturuar. Synojmë një qasje të përbashkët dhe strategjike për interesat tona vitale”, ka shkruar ai.

Poashtu në mbledhjen e parë të përbashkët mes qeverive pritet të nënshkruhen dy marrëveshje të rëndësishme. Bëhet fjalë për një marrëveshje për lehtësimin e tregëtisë dhe një marrëveshje në sektorin e transportit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, për mediat shqiptare deklaroi se, “në mbledhjen e 11 janarit do të nënshkruhet deklarata e partneritetit strategjik mes dy kryeministrave, ndërkohë që do të diskutohet për çështjet e integrimit ekonomik dhe për një qasje sa më të dakorduar për sa i përket situatës në Preshevë”.

Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vlerësuar se mbledhja e parë e përbashkët do të çelë një faqe krejt të re bashkëpunimi mes dy qeverive që kanë sfidën e njëjtë të demokratizimit, modernizimit dhe integrimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Evropian.

Rama e bëri këtë vlerësim nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook, ku shkruajti se, “me vetëdijen e lartë për potencialet e zhvillimit dhe nevojat për zhvillim të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, dy qeveritë do të ndërtojnë një qasje të përbashkët strategjike për të hapur perspektiva të reja ekonomike, sociale e kulturore për qytetarët tanë”.

Sipas tij “kjo mbledhje do të zhvillohet edhe në shenjën e solidaritetit me bashkësinë shqiptare të Preshevës, të cilës të dyja qeveritë do t’i akordojnë një fond të posaçëm ndihme për ngritjen e maternitetit të ri”.

Mediat në Tiranë shkruajnë se mbledhja e përbashkët e Qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës do të ketë si pikëreferimi platformën e quajtur “Skicë për mbrothësinë e përbashkët” të Arbën Xhaferrit.

Një takim në dukje “simbolik” shprehje e bashkëpunimit normal mes dy qeverive, por që realisht është një etapë, një hap konkret drejt realizimit të një platforme, e cila është skicuar nga dijetari dhe publicisti shqiptar Arbën Xhaferri në vitin 2007. Ai punoi dorëshkrimin e kësaj platforme të quajtur “Skicë për mbrothësinë e përbashkët” duke qenë i pari që hodhi në formë doktrine krijimin e një zone të “Habitadit të bashkuar dhe të organizuar shqiptar”.

Platforma e Xhaferrit parashikonte intensifikimin e bashkëpunimit në nivel politik, biznesi dhe unifikimin e politikave në çështje strategjike. Me pak fjalë u skicua ideja e bashkëjetesës së disa shteteve shqiptare në një shtet të vetëm shqiptar.
Kjo ide dhe kjo skicë e Xhaferrit u nxit dhe nga një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Xhaferrit për këtë projekt, Mentor Nazarko. Doktrina e skicës u përcoll në vite dhe u amplifikua në disa takime të posaçme dhe konferenca të cilat janë nxitur dhe organizuar kryesisht nga Nazarko. Ky i fundit është dhe një ndër këshilltarët kryesorë të Behgjet Pacollit në Kosovë./infoGLOBI/Finesë HYSENI/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.