fbpx

Çka nuk sqaron marrëveshja për Asociacionin

Një nga çështjet më me rëndësi e ngjarjeve në Ballkan janë bisedimet Kosovë-Serbi, ku përfshihen tema të veçanta të ndieshme, sidomos për Kosovën, e cila përveç që bëri një luftë për lirinë e saj nga okupimi serb,tani edhe duhet të negociojë për çështje, të cilat Serbia i konsideron të arsyeshme si kërkesa të saja me qëllim që të arrihet një mërrëveshje finale Kosovë-Serbi.

Shkruan: Hysen Gecaj

Cinizmi i politikanëve serbë shpesh shkon deri aty sa në instancat ndërkombëtare, por edhe për nevoja ditore të politikës së brendshme , përmend Asociacionin e komunave me shumicë serbe si një marrëveshje, të cilën pala kosovare nuk po e implementon, ndonëse, sipas tyre, “Kosova ka vetëm një marrëveshje për ta zbatuar dhe prapë nuk po e bën këtë”. Natyrisht deklarata të tilla janë vetëm dezinformim i politikës serbe në përputhje me kulturën e tyre mashtruese, si armë tradicionale në politikë.

Serbia po “harron” krimet e bëra nga institucionet shtetërore të veta të sigurisë në luftën e Kosovës, si dhe trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshëvës, por dhe komunitetit musliman në Sanxhak; po “harron” varrezat masive brenda teritorit të sajë dhe në Kosovë, të mbushura me trupa të civilëve shqiptarë, pa dallim moshe e gjinie.

Megjithatë Kosova në marrëveshjen e vitit 2013 për Asociacionin ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm, duke sqaruar pozicionin e saj politik, si dhe rregullimin e kornizës ligjore, duke u konsultuar edhe me Gjykatën Kushtetuese për ligjshmërinë e këtyre dokumentave dhe marrëveshjes përfundimtare.

Tani, kur bisedimet me Serbinë janë duke vazhduar në SHBA dhe Bruksel, kjo marrëveshje për Asociacionin është në pritje për implementimin duke marrë parasysh vërejtjet e dhëna nga Kushtetuesja në kuadër të marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë .

Deklaratat e Kryeministrit dhe politikanëve të tjerë rreth Asociacionit, në të shumtën e rasteve janë të paqarta dhe konfuze për opinionin, sepse, sipas Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, kjo çështje është e mbyllur dhe se nuk do të hapet si temë diskutimi me palën serbe.

Nëse marrim parasysh teknikat e diskutimit për një marrëveshje finale dhe procedurat e inkorporimit të çështjeve të caktuara (nënpikat e dialogimit) në marrëveshjen përfundimtare edhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në njërën apo tjetër formë, duhet dhe do të hapet, sepse vetë logjika e dialogimit dhe përpilimi i dokumentit përfundimtar i marrëveshjes finale e imponon një gjë të tillë. Kjo nuk nënkupton edhe ndryshimin e kësaj marrëveshjeje në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e dokumentave mbi Asociacionin.

Ajo çka delegacioni kosovar duhet të bëjë në diskutime lidhur me çështjen e Asociacionit është që të njoftojë ndërmjetësit ndërkombëtarë dhe palën serbe për punët që ka kryer deri më tani, lidhur me Asociacionin dhe, në këtë mënyrë, të dëshmojë seriozitetin shtetëror dhe gatishmërinë për zgjidhjen e kësaj çështjeje brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Institucionet e Kosovës ,juristët dhe të gjithë ata të cilët janë marrë me krijimin e dokumentave për Asociacionin, duhet ta kenë patur parasysh harmonizimin e këtij dokumenti me Kushtetutën dhe legjislacionin e Kosovës. Në publikimet e deritanishme marrëveshja nuk duket e dëmshme për Kosovën, por kur flasim për Asociacionin, Kosova duhet ta ketë parasysh që ky Asociacion është i komunave me shumicë serbe, që nënkupton se aty ka edhe komunitete të tjera përveç serbëve. Nga ajo që kam lexuar deri më tani,në këtë marrëveshje nuk ka të sqaruar se si do të mbrohen të drejtat e pakicave tjera joserbe brenda këtij Asociacioni, prandaj theksoj se në këtë marrëveshje duhet të përfshihet një klauzolë, e cila obligon Kuvendin e Kosovës dhe institucionet tjera që të garantojë të drejtat e pakicave joserbe deri në mundësinë e shpërbërjes së këtij Asociacioni, në rast se organet e Asociacionit nuk respektojnë të drejtat edhe të pakicave joserbe brenda institucioni.

Krijimi i Asociacionit nënkupton heqjen e vetos së deputetëve serbë në Parlamentin e Kosovës dhe kthimin e funksionimit në normalitet të këtij Parlamenti.

E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për Serbinë me shqiptarët e luginës së Preshevës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.