Çitaku, Daçiqit: Kosova është e pavarur e jo Metohi

Debat të ashpër zhvilluan ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në fjalën e tij, Daçiq, Kosovës iu referua me “Kosovë e Metohi” dhe Çitakut, si përfaqësuese e “institucioneve të përkohshme të Kosovës dhe Metohisë”.

Ai, siç transmetoin RTK, foli për serbët në Kosovë duke thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është institucion për realizmin e të drejtave themelore të serbëve të Kosovës.

Daçiq tha se formimi sa më i shpejtë i asociacionit siguron zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel mes të dy palëve.

I ashpër tingëlloi kur iu kundërpërgjigj ambasadores Çitaku, e cila ia rikujtoi se Kosova është shtet i pavarur.

“Kosova nuk është e shqiptarëve. As e jotja as e imja. Është e qytetarëve që jetojnë atje, e aty ka serb dhe shqiptarë. Ju keni një vend të shqiptarëve që quhet Shqipëri”, tha Daçiq”.

Duke folur për marrëveshjen për asociacionin, ai tha se Kosova nuk mund të bëjë marrëveshje dhe pastaj të njëjtën ta dërgoj në Kushtetuese.

Ai tha se Kosova nuk është e pavarur, sepse sipas tij, po të ishte e tillë, nuk do të nënshkruante marrëveshjen për MSA-në si territor, por si vend.

Ai madje falënderoi të gjitha vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Ndërsa ambasadorja Vlora Çitaku tha se Kosova do të bëjë çdo gjë që të ketë flamurin në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Ajo tha se vendi është i gatshëm të ballafaqohet me të kaluarën, dhe sugjeroi që njëjtë të veprojë edhe Serbia.

“Do të zbatojmë marrëveshjet në Bruksel, por jo në dëm të funksionalitetit të shtetit tonë. Ne jemi për pajtim. Por pajtimi nuk mund të ndërtohet në mohim. Ai mund të ndërtohet nëse ne shikojmë përpara dhe shikojmë të kaluarën pa frikë, edhe pse për disa ky shikim mund të jetë i turpshëm”, ka thënë Çitaku.

Gjatë fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ambasadorja Çitaku i ka përsëritur edhe një herë ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, se Kosova është shtet i pavarur dhe kjo nuk do të ndryshojë.

Ajo ka thënë se duhet qartësuar për të gjithë qytetarët që dialogu me Serbinë, që po bëhet në Bruksel, nuk po bëhet për të kthyer Serbinë në Kosovë, por për krijimin e raporteve fqinjësore mes të dy vendeve.

“Dialogu nuk është për rikthim të Serbisë në Kosovë, Kosova është e pavarur, kjo nuk do të ndryshojë. Por ajo që duhet të ndryshojë është qëndrimi i Serbisë ndaj nesh. Dialogu është që të sigurohemi që ne e trajtojmë njëri tjetrin me dinjitet, si dy shtete që do të jenë fqinje. Këtë dialog e do Kosova”, ka thënë Çitaku.

“Klima politike është e ashpër, shpesh e tensionuar. Ne jemi një demokraci e re dhe akoma po mësojmë, Kuvendi i Kosovës ka zgjedh presidentin e ri, me 71 vota, ka pas protestë dhe festë. Deri sa liderët tanë kanë mos marrëveshjet e tyre, askush mos të ketë dyshim për aspiratat tonë kolektive për integrim dhe vlera atlantike. Ratifikim i MSA është vërtetim i këtij rrugëtimi”, ka vazhduar ambasadorja fjalimin e saj.

Çitaku ka kujtuar luftën dhe terrorin serb në Kosovë, gjatë luftës. Ajo përmendi edhe viktimat e dhunës seksuale, për të cilat kërkoi drejtësi.

“Në emër te të gjitha prej tyre, unë kërkoj drejtësi. Ne duhet të shohim autorët pas hekurave, dhe ne kemi nevojë që mënyrë kolektive dhe globale të bëjmë më shumë, në mënyrë që viktimat e dhuna seksuale gjatë luftës por edhe kudo në botë të ndjehen të mbështetura dhe jo vetëm”, ka thënë ajo.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sonte ka debatuar për situatën në Kosovë, ku u përmend edhe kriza politike në vend, duke u thënë që dhuna nuk duhet përdorur brenda dhe as jashtë institucioneve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.