angela merkel

Cila është trashëgimia e kancelares Angela Merkel

Fundi i mandatit të kancelares Angela Merkel po afrohet. Po cila do të jetë trashëgimia e kancelares Merkel dhe për çfarë do të mbahet mend ajo?

Shpesh është thënë se Angela Merkel do të largohet nga pushteti para kohe, në veçanti pas lëkundjeve në raportet e CDU-së me socialdemokratët. Por edhe pas 14 vitesh në pushtet, Angela Merkel ende është kancelare dhe dëshiron të mbetet në këtë post deri në fund të mandatit. Ajo e ka mbështetjen e opinionit. Përkundër kritikave ndaj koalicionit, shumica e qytetarëve janë të mendimit se Merkel duhet të mbetet kancelare deri në vjeshtën e vitit 2021. “Mua më njihni”, ishte fjalia me të cilën ajo bëri fushatë në zgjedhjet e vitit 2013. Kjo do të thotë: Me mua e dini se ku jeni, një fjali me të cilën CDU vendosi Merkelin në qendër të fushatës.

Gjermania dhe bota kanë ndryshuar shumë prej vitit 2005, kur Angela Merkel për herë të parë u bë kancelare. Skena politike në Gjermani ka ndryshuar dhe është polarizuar. Alternativa për Gjermani (AfD) është futur në të gjitha parlamentet e vendit dhe në Bundestag. Partitë e mëdha tradicionale kanë humbur shumë mbështetjen.

Situata në botë është përkeqësuar. “Kohërat kur kemi mundur në tërësi të mbështetemi tek të tjerët kanë kaluar“, tha Merkel para dy vitesh, kur presidenti amerikan Trump kontestoi ekzistencën e NATO-s. Në vitin 2016 britanikët votuan për daljen nga Bashkimi Evropian. Më së largu pas referendumit dhe ardhjes së Trumpit në pushtet, Merkel ka vërejtur një “krizë serioze të demokracive perëndimore”, thotë biografi i saj Ralf Bolmann. Ai mendon se qëllimi i kancelares është që deri në fund të mandatit të saj, Evropa të mos futet në kaos.

Merkel kurrë nuk ka qenë ndonjë vizionare e madhe. Në këtë kontekst ekziston një dallim i madh i saj me presidentin francez Macron. Pas disa propozimeve për reforma të BE, të cilat Merkeli i ka refuzuar dhe injoruar, Macroni ka nisur një debat të madh edhe për rolin e NATO-s. Shumë demokristianë gjermanë kanë shpresuar se Merkel do të bëjë ca gjëra si Macroni dhe do të lerë më shumë gjurmë në politikën evropiane, në vend të sjelljes rutinë në kohërat e krizës.

Mes urrejtjes dhe lëvdatave

Angela Merkel megjithatë ka bërë disa ndryshime, me vetë ndryshimin e politikës patriarkale në partinë e vet. Ajo refuzon epitetin si feministe. “Nuk dua të stolisem me puplat e të tjerëve“, tha ajo për gazetën Die Zeit. Në Bundestag ka rënë prej ardhjes së saj në pushtet përqindja e femrave nga 42 në 31%.

Merkeli shpesh hesht për faktin, se pikërisht ajo ka refuzuar futjen e kuotave të femrave në Bundestag. Nga ana tjetër ka ndihmuar ardhjen në vend të saj të Annegret Kramp-Karrenbauer, si kryetare të CDU-së, si dhe Ursula von der Leyen në krye të Komisionit Evropian. Fjalët e saja “mua më njihni”, sugjerojnë se ajo është e gatshme për kontinuitet. Por biografi i saj Bolmann pohon se Merkel është e gatshme edhe për politikë më fleksibël dhe pragmatike.

Si fizikante me profesion ajo beson tek energjia nukleare. Por në mandatet e saj është vendosur që Gjermania të heqë dorë nga centralet bërthamore, pas tragjedisë në Fukushima. Në fund ajo ka lejuar edhe martesat e çifteve të të njëjtës gjini. Ndërkohë që është hequr edhe detyrimi i shërbimit të ushtrisë, që konservatorët më parë e kanë refuzuar kategorikisht.

Por vendimi më kontrovers i saj ka qenë hapja e kufirit në vitin 2015 për refugjatëtët. AfD është hedhur menjëherë në sulm kundër kancelares dhe e ka akuzuar se disa nga të ardhurit kanë bërë krime. Ndërsa viktimat AfD i ka quajtur si “kufoma të kancelares“.

Kështu Merkel për disa është bërë figura më e urryer, ndërsa për të tjerët shpëtimtare e vlerave perëndimore. Revista Time e ka shpallur ate si personaliteti i vitit 2015. Ndërkohë që djathtistët kërkonin largimin e saj nga pushteti, e disa prej tyre vunë madje edhe një maket për varje, në të cilën shkruhej se “është rezervuar” për Merkelin.

Rënia e mirëbesimit

Merkel megjithatë ende është figura më e mbështetur në sondazhe ose ndër më të mbështeturat. Kancelarja është e vetëdijshme për kundërthëniet e kohës së kaluar. Ajo tha se ka menduar edhe para zgjedhjeve të fundit, nëse do të kandidojë për kancelare. Vetë Merkel p

Ekspertët për politikë të jashtme thonë, se asaj po i mungon linja e qartë në politikën e jashtme. “Ajo nuk ka ndonjë strategji të qartë kombëtare, e cila në mënyrë transparente tregon, se cilat janë interesat, fuqitë dhe dobësitë e Gjermanisë”, mendon Roderich Kiesewetter.

Në sondazhet e vjeshtës së kaluar të Institutit Alensbach thuhej se po bie mirëbesimi ndaj politikanëve në Gjermani. Vetëm 57% e të anketuarve mendojnë se stabiliteti është një prej përparësive më të mëdha të Gjermanisë, ndërkohë që në vitin 2015 rreth 81% mendonin kështu. Sistemin aktual politik e konsiderojnë si përparësi vetëm 51%, e katër vite më parë ishin 62%.

Cila do të jetë trashëgimia e Angela Merkelit? Bolmann beson se “Merkeli do të donta ta shohë veten si politikane që e ka drejtuar vendin në kohërat e krizave të ndryshme, siç janë kriza financiare, kriza e euros, kriza në Ukrainë dhe kriza e refugjatëve, dhe atë në mënyrë relativisht të sigurt. Pra e sheh veten si n jë politikane që ka ruajtur stabilitetin.“

„Përveç kësaj, Merkel e ka bërë vendin më liberal dhe më të hapur, që ka rezultuar edhe me futjen e AfD në Bundestag. AfD tani simbolizon një opozitë që është kundër ndryshimeve të vlerave”.

Angela Merkel nuk ka më kohë që të bëjë ndryshime të ngadalshme dhe nuk pritet ndonjë kthesë e madhe politike. Kancelarja gjithnjë e më shumë po ia hap rrugën pasardhëses së saj të mundshme, Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila do të mund të vinte në postin e kancelares – nëse e fiton garën brenda CDU-së. Por kushdo që vjen në vend të Angela Merkelit, nuk do ta ketë lehtë. Puna e tij/saj do të matet gjithmonë me Merkelin, e kjo nuk është fare e lehtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.