Ballina / Kulturë / Çdo gjë për Mikelanxhelon
Mikelanxhelo

Çdo gjë për Mikelanxhelon

Mikelanxhelo di Ludoviko Buonaroti Simoni, i njohur gjerësisht si Mikelanxhelo, është një nga figurat më të famshme të periudhës Rilindjes italiane (midis shekujve XIV-XVI). Rilindja, shënoi kalimin nga periudha mesjetare në periudhën e hershme moderne.

Gjatë asaj periudhe të historisë evropiane, në shtetet e Italisë po ndodhnin ndryshime dhe arritje të shumta. Këto përfshinin zhvillimet në shkencë dhe teknologji, si dhe në art dhe arkitekturë. Ndër figurat më të njohura të Rilindjes ishin Dante Aligeri, Nikolo Makiaveli, Leonardo da Vinçi, Donatelo, Rafaelo, dhe natyrisht Mikelanxhelo.

Mikelanxhelo gjen frymëzimin e tij si artist

Mikelaxhelo lindi në Kapreze pranë Firences më 6 mars 1475. Menjëherë pas lindjes së tij, familja u shpërngulën në Firence. Megjithëse do të udhëtonte në pjesë të tjera të Italisë gjatë jetës së tij, thuhet se Mikelangelo e konsideronte Firencen si shtëpinë e tij të vërtetë.

Dëshmia e këtyre ndjenjave, mund të shihet në faktin se ai kërkoi të varrosej në Firence pas vdekjes. Kësisoj kur Mikelanxhelo vdiq në Romë në vitin 1564 në moshën 88-vjeçare, trupi i tij u dërgua për t’u prehur në Bazilikën e Santa Kroçes në Firence.

Fillimisht, i ati nuk ishte dakord me interesin e të birit mbi artin. Por në vitin 1488, Mikelanxhelo u bë nxënës i piktorit të njohur Domeniko Girlandaio, i cili ishte i njohur për afresket e tij. Një vit më vonë, talenti i tij tërhoqi vëmendjen e Lorenco de’Mediçit, qytetari i parë i Firences dhe një sponsorizues i artit.

Për pasojë, Mikelangelo u ftua të jetonte në shtëpinë e Mediçëve, ftesë që ai pranoi. Në të njëjtën periudhë, Leonardo da Vinçi kishte nisur të realizonte veprat e tij më të rëndësishme, dhe studiuesit kanë argumentuar se kjo shënoi fillimin e Rilindjes së Lartë, pikën më të lartë të arteve pamore të Rilindjes italiane.

Për Mikelanxhelon, veprat e tij më të njohura do të prodhoheshin vetëm pak më vonë. Ndërkohë, ai po mësonte dhe po frymëzohej nga anëtarët e rrethit intelektual të Lorencos. Më i rëndësishëm ishte fakti që gjatë kohës së tij së qëndrimit në shtëpinë Mediçi, Mikelanxhelo ishte në gjendje të studionte skulpturën klasike, nën drejtimin e skulptorit të famshëm Bertoldo di Xhovani.

Mikelanxhelo, do ta konsideronte gjithmonë veten më së pari një skulptor. Vdekja e Lorenco de Mediçit në vitin 1492, ishte realisht një goditje për Mikelanxhelon, ashtu si edhe për qytetin e Firences. Ajo shënoi fundin e kulmit të Rilindjes së Firences, kur në pushtet u ngjit një murg fanatik fetar me emrin Savonarola, që ia doli të dëbonte familjen Mediçi nga Firence.

Pas një rikthimi të shkurtër në shtëpinë e babait të tij, Mikelanxhelo u largua nga Firence dhe shkoi në Venecia pranë familjes Mediçi, dhe më pas në Bolonjë. Ndalesa tjetër e tij ishte Roma, por ishte një mashtrim ai që e çoi Mikelanxhelon në “Qytetin e Përjetshëm”.

Thuhet se ndërsa po qëndronte në Bolonjë, Mikelanxhelo ishte përfshirë në një skemë mashtrimi, për të shitur një nga skulpturat e tij si një vepër të lashtë arti. Pretendohet se Lorenco di Pierfrançesko de Mediçi, i cili i përkiste degës së vogël të Shtëpisë Medici, e porositi artistin ta bënte skulpturën e tij sikur të ishte zhvarrosur, në mënyrë që t’ia shiste Kardinalit Rafaele Riario në Romë. Kardinali e bleu veprën, edhe pse më vonë e zbuloi mashtrimin.

Megjithatë, ai u impresionua kaq shumë më cilësinë e skulpturës, saqë vendosi të ftonte Mikelanxhelon në Romë, ku ai do të jetonte dhe punonte për pjesën më të madhe të jetës së tij.

Aty Mikelanxhelo u takua me kardinalin Zhan Bilher de Lagraula, një përfaqësues i Mbretit francez Sharli VIII tek Papa në vitin 1498. Kardinali i dha urdhër Mikelanxhelos të realizojë një skulpturë të Shën Merisë, që mbante Jezuin e vdekur gjatë rrugëtimit për në varrin e tij të ardhshëm.

Kjo skulpturë, e njohur si “Pieta” (Mëshira), u përfundua në më pak se një vit dhe u vendos në kishën e varrit të kardinalit. Përfundimisht “Pieta” u zhvendos në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ku admirohet ende sot nga turmat e turistëve. Kryevepra tjetër e Mikelanxhelos është një tjetër pjesë jashtëzakonisht e mirënjohur e artit – skulptura prej mermeri e njohur si

“Davidi”.

Ajo u porosit nga qyteti i Firences, për të qëndruar në sheshin përballë katedrales së së Shën Mërisë. Artisti u thirr sërish në Romë në vitin 1505 nga Papa Xhuliusi II, për të zbukuruar me skulptura varrin e vetë Papës. Megjithatë, projekti nuk përfundoi për një varg arsyesh. Sidoqoftë për atë varr, u arrit të përfundohej një skulpturë e profetit Moisi.

Mikelanxhelo bëhet i njohur si piktor

Në vitin 1508, Mikelanxhelo u ngarkua të pikturojë tavanin e Kapelës Sistinë. Thuhet se pati në fillim një komplot të komunitetit artistik të Romës, për të sabotuar punën e artistit të famshëm, pasi ata ndiheshin të kërcënuar nga rritja e tij e shpejtë. Artisti fillimisht e refuzoi këtë detyrë, pasi këmbënguli se ishte skulptor dhe jo piktor.

Por këmbëngulja e Papës ishte shumë e madhe, dhe Mikelanxhelo ra më në fund dakord të marrë përsipër detyrën monumentale. Ajo qe një punë sfiduese, pasi Mikelanxhelos i kërkohej të pikturohej vazhdimisht, derisa sa të shtrihej në shpinë në krye të një skele që e çonte vetëm pak centimetra larg tavanit.

Përtej pritshmërisë të rivalëve të tij, Mikelanxhelo i mposhti këto pengesa, dhe e përfundoi kryeveprën e tij pas 4 vjetësh. Ai i pushoi nga puna të gjithë ndihmësit, pasi i konsideronte të paaftë dhe përfundoi vetë këtë vepër arti. Thuhej se plani fillestar ishte të përshkruheshin të12 apostujt, edhe pse tavani i kësaj hapësire të shenjtë, përfundoi me mbi 300 figura.

12 figura (7 profetë dhe 5 sibila) u pikturuan rreth kufirit të tavanit, i cili më pas u mbush me skena nga skena biblike e Zanafillës. Një nga ikonat më të rëndësishme të këtyre skenave, është ‘Krijimi i Adamit’. Megjithëse vazhdoi të pikturonte dhe gdhendte, Mikelanxhelo u përfshi gjithnjë e më shumë në projekte arkitekturore, dhe u emërua në vitin 1546 arkitekt kryesor i Bazilikës së Shën Pjetrit.

Puna e stërmundimshme i rrënoi shëndetin, por nuk preku cilësinë e veprave

Puna e madhe këmbëngulëse, i shkaktoi dëme të mëdha shëndetit të artistit. Nga analizat e kohëve moderne, janë gjetur prova se ai mund të ketë vuajtur nga osteoartriti kronik, ose deformimi i duarve. Shkencëtarët italianë, kanë sugjeruar se kjo ishte arsyeja se përse punët e viteve të fundit të jetës, kanë kërkuar më shumë kohë. Por pavarësisht sëmundjes, këmbëngulja bëri që Mikelanxhelo të ruante standartin e lartë të realizimit të pikturave dhe skulpturave të tij.

@Fluidi

Provo po ashtu

akil koci

Akil Kocit i ndahet Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani”

Në një ceremoni të organizuar në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.