Ballina / KRYESORE / Cakaj pas takimit me P. Reeker : SHBA mbështesin hapjen e negociatave
cakaj reeker

Cakaj pas takimit me P. Reeker : SHBA mbështesin hapjen e negociatave

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka bërë publike detaje nga takimi me zyrtarin e lartë amerikan, Philip Reeker, i cili shërben si Ndihmës Sekretar i Shtetit.

Cakaj shkruan në një postim në Facebook se SHBA-ja mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë në tetor.

“Bazuar mbi modelin e pakrahasueshëm të reformës në drejtësi dhe rëndësinë gjeostrategjike të thellimit të lidhjeve midis Shqipërisë dhe BE-së, SHBA-së mbështesin në mënyrë absolute hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor”, shkruan Cakaj.

Cakaj thotë se reforma në drejtësi është një model rajonal për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej”, thotë Cakaj.

Ministri në Detyrë Cakaj shkruan se në takim u nënvizua “marrëdhënia e shkëlqyer dhe partneriteti i patjetërsueshëm strategjik” midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai prek dhe rëndësinë e çështjeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Në takim u theksua rëndësia e konsolidimit të mëtejmë të bashkëpunimit rajonal dhe nevoja absolute e mbylljes së çështjeve dypalëshe në të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Angazhimi i ShBA-ve do të jetë maksimal në shërbim të realizimit të këtij objektivi”, shkruan Cakaj.

Ministri shton se Shqipëria është një partner strategjik i SHBA-së, por edhe një aleat aktiv në kuadër të NATO-s me kontribut të spikatur në operacionet paqeruajtëse të Aleancës.

“SHBA-ja vlerëson pozitivisht rritjen progresive të buxhetit të mbrojtjes së Shqipërisë për ta jetësuar planin për realizimin e 2% të buxhetit në shërbim të mbrojtjes deri në 2024”, thotë Cakaj.

Ministri në Detyrë thotë se SHBA-ja është referenca e pazëvendësueshme dhe e patjetërsueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë.

“Shqipëria është e përkushtuar ta thellojë bashkëpunimin e kultivojë partneritetin me SHBA-në në të gjitha fushat përkatëse! Orientimi euroatlantik është themeli vleror i politikës së jashtme të Shqipërisë në përgjithësi! SHBA-ja është referenca e pazëvendësueshme dhe e patjetërsueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë”, përfundon Cakaj postimin në Facebook.

Provo po ashtu

zgjedhjet

Prokuroria: Deri 5 vjet burg pë ata që shkelin “votën”

Që nga viti 2014 e deri më sot, rreth 2 mijë persona të Kosovës janë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.