Britania politikanëve shqiptarë: Faktoni ose tërhiqni akuzat

Një ditë pas akuzave të forta të opozitës se, marrëveshja e qeverisë me kompaninë “Crown Agents” bie era korrupsion, ka reaguar Ambasada britanike në Shqipëri.

Përmes një njoftimi zyrtar, Ambasada iu kërkon denoncuesve të paraqesin provat ose faktet, që disponojnë për këto akuza të rënda, në të kundërt t’i tërheqin ato.

Qeveria britanike i trajton çështjet e korrupsionit me shumë seriozitet. Korrupsioni në biznes, përfshirë edhe kompanitë britanike që punojnë jashtë Mbretërisë së Bashkuar, klasifikohet si krim sipas legjislacionit britanik mbi mitmarrjen. Çdo provë, për korrupsion të kryer nga një kompani britanike, duhet të sillet në vëmendjen e Policisë britanike, qoftë drejtpërdrejt, qoftë përmes kësaj Ambasade.

Pasi ftesës që u bën politikanëve shqiptarë, që të paraqesin provat për akuzat ndaj “Crown Agents”, Ambasada britanike është kujdesur të vërë në dukje imazhin e kësaj kompanie, por edhe emrat që e drejtojnë atë.

“Crown Agents” është një kompani e respektuar britanike, e cila ka qenë më parë një agjenci e qeverisë britanike dhe shumë nga stafi i saj janë ish-zyrtarë të qeverisë. Një prej ministrave në qeverinë e tanishme është pjesë e Bordit Menaxhues të “Crown Agents”.

Përballë kësaj situate dhe akuzave të vazhdueshme, të cilat i quan si të pambështetura në prova, Ambasada ka ashpërsuar tonin dhe, si rrallëherë më parë për një përfaqësi diplomatike, ajo ka akuzuar publikisht disa politikanë, se janë duke mashtuar qëllimisht.

Politikanë të caktuar shqiptarë kanë hedhur vazhdimisht, që prej shtatorit 2013, akuza për korrupsion ndaj “Crown Agents”. Gjatë gjithë kësaj kohe, ata asnjëherë nuk i kanë mbështetur akuzat e tyre me fakte konkrete. Në këto rrethana, gjëja e duhur për t’u bërë është: ose faktimi i akuzave ose tërheqja e tyre.

Në fakt, duket qartë që këto akuza nuk janë të besueshme dhe duhet të mos merren parasysh nga Parlamenti dhe opinioni publik.

“Crown Agents” u përzgjodh nga qeveria shqiptare dy vite më parë si këshilltare për Doganat, në një kontratë me vlerë rreth 8.5 milionë euro. Por, rezultatet në Dogana kanë qenë zhgënjyese, duke mos sjellë rritjen e pritur të të ardhurave, madje këtë vit edhe rënien e tyre.

Një ditë më parë, udhëheqësi i opozitës e cilësoi marrëveshjen si një akt, që tashmë bie era korrupsion dhe kërkoi prishjen e menjëhershme të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!