Ballina / Kulturë / Britania dhe Lidhja e Prizrenit
britania dhe lidhja e prizrenit

Britania dhe Lidhja e Prizrenit

Në fillim të janarit të vitit 1878, Tivari u pushtua nga malazezët gjatë një armëpushimi që ishte nënshkruar në mes të Portës dhe Rusisë, por të cilin malazezët nuk e respektuan.

Shkruan: Daut Dauti

Me 10 janar, komandanti i Ushtrisë malazeze, Misho Vrbica, i informoi autoritetet otomane në Shkodër për kapitullimin e Tivarit dhe për përzënien e ushtarëve së bashku me tërë popullsinë nga qyteti. Disa ditë më herët, popullsia shqiptare katolike ishte evakuuar dhe vendosur në Budvë nga austro-hungarezët. Ushtria malazeze e okupoi edhe Ulqinin dhe vazhdoi duke e masakruar dhe përzënë popullatën vendase të atij rajoni. Shkodra, brenda pak ditësh, u vërshua me refugjatë.

Problemi i refugjatëve u bë çështje ndërkombëtare dhe e vuri në pozitë të rëndë Portën dhe Fuqitë e Mëdha. Në Stamboll, ambasadori austro-hungarez, konti Zichy i deklaroi ambasadorit britanik Henry Layard-it se qeveria në Vjenë ndjehej e turpëruar për faktin se 30 000 refugjatë shqiptarë u gjenden papritmas në territor austro-hungarez. Vjena nuk ishte e përgatitur për një situatë të tillë. Në Vilajetin e Kosovës u shënua i njëjti problem me refugjatët të cilët e vërshuan këtë vend pas masakrave dhe përzënies nga Ushtria serbe. Me 28 prill, Harry Cooper, nënkonsulli britanik, u takua në Prishtinë me Rifat Pashën, valiun e këtij qyteti. Sipas Rifat Pashës, Kosova ballafaqohej me 200 000 refugjatë. Pasi që nuk kishte as ushqim për refugjatët, pasha kërkoi ndihmë nga britanikët. Refugjatët, të cilët pas e kishin lënë tërë pasurinë, e destabilizuan situatën por pasha nuk mund të bënte gjë në këtë drejtim.

LUFTA QË DËNOI SHQIPTARËT

Në fillim të marsit 1878 përfundoi lufta ruso-turke. Rusët dolën fitimtarë dhe e kërcënonin Stambollin. Prandaj, me 3 mars e detyruan Portën që të nënshkruante Marrëveshjen e Shën Stefanit dhe si rezultat u krijua Bullgaria autonome. Kufijtë e këtij shteti depërtuan thellë në tokat shqiptare kurse Serbia dhe Mali i Zi, pasi që u gjenden në anën ruse, morën pjesë të mëdha të vilajetit të Kosovës dhe Shkodrës.

Ky ishte një shqetësim i madh për shqiptarët dhe kjo marrëveshje i detyroi që të vetëorganizoheshin dhe ta merrnin në dorë fatin e Shqipërisë. Krerët shqiptarë reaguan shpejt duke organizuar kuvende në shumë pjesë të veriut dhe lindjes. Me 18 mars, në Stamboll, ambasadori britanik e pranoi një memorandum të dërguar nga krerët shqiptarë. Shqiptarët me ngulm po e kundërshtonin krijimin e një Bullgarie që po shtrihej tej Shkupit, Korçës dhe Ohrit për t’u ndalur thellë në Shqipërinë dhe Kosovën e sotme. Protesta drejtohej edhe kundër zgjerimit të Serbisë dhe Malit të Zi në tokat shqiptare.

Me 8 maj, Layard e dërgoi edhe një shkresë në Londër me të cilën bënte me dije se shqiptarët, myslimanë dhe të krishterë, të veriut dhe vendeve tjera që i kishte prekur Traktati i Shën Stefanit, protestonin kundër aneksimit të tokave të tyre. Shqiptarët kërkonin ‘ndërhyrjen e Anglisë që t’i shpëtonte nga ky fat’. Ata theksonin se nuk mund të përfshiheshin në shtetet tjera që kishin përreth siç ishte Serbia, Bullgaria dhe veçanërisht Mali i Zi. Nëse ishin të shtyrë të jetonin në Mal të Zi, ata më parë do të ‘vdisnin duke luftuar’. Me 18 maj Layard pranoi edhe një letër me karakter të njëjtë nga shqiptarët e Kosovës. Edhe banorët e Dibrës i dërguan një peticion kundër përfshirjes së tyre në Bullgari. Ambasadorit britanik në Stamboll dhe konsulli Kirby Green në Shkodër vazhduan të pranonin edhe telegrame tjera të kësaj natyre. Lëvizjet e shqiptarëve të Shkodrës me rrethinë, Green i interpretoi si rezultat të një skeme të shqiptarëve dhe italianëve kundër Greqisë.

TRAKTATI QË LUHATI BESIMIN E SHQIPTARËVE NË AFTËSITË E PORTËS SË LARTË

Green, pasi që e analizoi Traktatin e Shën Stefanit, i dërgoi një letër këshillëdhënëse eprorit të tij në Londër, Salisbury-it. Mali i Zi, sipas tij, po trefishohej nga territori. Kufijtë e Malit të Zi me Shqipërinë tashti ishin tërësisht ndryshe nga ajo që ai kishte propozuar Foreign Office një vit më herët. Propozimi i tij ishte që qeveria britanike nuk duhej kurrsesi ta pranonte këtë marrëveshje e cila po krijonte trazira serioze te shqiptarët dhe që do të rezultonte me probleme të mëdha në Ballkan. Green, në raportimet e veta nuk shprehte aspak simpati për nacionalizmin shqiptar dhe, si i tillë nuk njihej mik i shqiptarëve, por shprehu brengë për situatën e krijuar. ‘Barriera e cila mundet dhe që duhet të krijohet kundër depërtimit sllav, është thyer’ – shkroi Green, në mes tjerash, në një raportim të tij. Green, me këtë rast kishte bërë me dije se depërtimi sllav në Shqipëri kishte domethënie të daljes së Rusisë, nëpërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, në Adriatik. Kjo ishte një gjë që e brengoste seriozisht Londrën dhe këtu qëndronte një pikë e përbashkët në mes programit nacional shqiptar dhe interesave britanike.

Traktati i Shën Stefanit e luhati seriozisht besimin e shqiptarëve në aftësitë e Portës së Lartë. Green vazhdoi të pranonte informata që bënin me dije se shqiptarët po aktivizoheshin. Tubime spontane të shqiptarëve po mbaheshin gjithandej veriut dhe lindjes së tokave shqiptare. Me 3 maj Green raportoi në Foreign Office se shqiptarët po përgatiteshin që t’i rezistonin çdo efekti që do të krijonte Traktati i Shën Stefanit. Në veri-perëndim shqiptarët kishin formuar një Lidhje me të cilin rast ishin betuar ‘që t’u rezistonin deri në vdekje tentimeve që vinin nga jashtë apo nga Qeveria Supreme [Porta] që ta ndryshonin situatën ekzistuese në territorin e tyre’. U ndërmorën hapa, në veri deri në Prishtinë, të krijoheshin lidhjet. Në lindje deri në Dibër dhe Ohër kurse në Jug, deri në Janinë. Këto veprime por edhe aktiviteti i intelektualëve shqiptarë në Stamboll, rezultuan me mbajtjen e një kuvendi të madh në Prizren ku do të shqyrtohej situata e krijuar dhe ku do të merreshin vendime. Kur u bë e dijtur se Fuqitë e Mëdha do të mblidheshin në Berlin, shqiptarët shpejtuan në krijimin e një organizate gjithpërfshirëse që u quajt Lidhja e Prizrenit ose Lidhja Shqiptare.

LIDHJA E PRIZRENIT DHE INTERESI I SAJ I PËRBASHKËT ME POLITIKËN BRITANIKE

Porta nuk e pengoi mbajtjen e kuvendit në Prizren e as nuk ndërhyri në aktivitetin e kësaj organizate. Kjo ishte arsyeja që shumë observues, përfshirë konsullin Green, që të deklaronin se pas kësaj organizate qëndronte pushteti perandorak në Stamboll. Të tjerët, sidomos sllavët, në krye me rusët, besonin se Britania e Madhe qëndronte pas shqiptarëve në Prizren. Një numër i madh i politikanëve, intelektualëve dhe shtypit rus shkuan edhe më tutje duke deklaruar se Lidhja nuk ekzistonte, por ishte prodhim i shtypit britanik. Sipas tyre, Lidhja ishte një organizatë e imagjinuar të cilën e përdorte Porta për të penguar implementimin e Marrëveshjes së Kongresit të Berlinit. Kur u organizua rezistenca rreth kufirit me Malin e Zi, me qëllim që të mos dorëzoheshin Plava dhe Gucia, këta deklaruan se këto veprime nuk bëheshin nga shqiptarët për shkak se ata si komb nuk ekzistonin, por ky veprim bëhej nga një Lidhje Muslimane e cila ishte e ‘organizuar nga Porta’.

Në realitet rusët kishin frikë se shqiptarët do të përkraheshin nga Londra. Kur Kuvendi hyri në ditën e tretë të punimeve (13 qershor 1878), që ishte dita e parë e punës së Kongresit të Berlinit, Lidhja ia dorëzoi memorandumin kryeministrit britanik, Benjamin Disraelit. Memorandumi shprehte dëshirë dhe shpresë që çështja shqiptare të diskutohej në kongres, së bashku me problemin e shpërbërjes së Perandorisë Otomane dhe krijimin të shteteve të reja në Ballkan. Me anë të këtij memorandumi, shqiptarët kërkuan që të përfaqësoheshin nga delegacioni britanik që udhëhiqej nga Disraeli. Memorandumi shprehte kërkesën e shqiptarëve që çështja e tyre të mos lihej kryesisht në dorë të Portës në aranzhimet e ardhshme konstitucionale dhe administrative. Kërkohej që një komision ndërkombëtar duhet të merrej me çështjen shqiptare, ashtu siç dihej se do të merrej me Bullgarinë. Nëse ndonjë fuqi evropiane do ta merrte përsipër çështjen shqiptare, ajo duhej të ishte Britani e Madhe. Memorandumi i refuzonte fuqitë tjera sidomos atë ruse. Në lidhje me arsyet pse Britania duhej të merrej me rastin e Shqipërisë, memorandumi thoshte:

‘Vetëm Britania e Madhe mund ta merr kërkesën tonë në dorë dhe ta paraqes në Kongres. Duke e bërë këtë, asaj nuk do t’i mungon përkrahja nga Fuqitë tjera të cilat e kanë njohur ekzistimin tonë politik dhe fatin tonë që nga momenti kur parimi i nacionalitetit u bë bazë primare e të drejtës publike evropiane. E pavarur nga çështja e drejtësisë, Britania e Madhe ka interes të madh që të krijojë një kordon për ta ndalur përparimin e invasionit sllav që të mos vërshoj kah Adriatiku. Ky kordon mundet dhe duhet patjetër të krijohet nga populli që është më së shumti i rrezikuar nga një kërcënim i madh i fqinjëve. […] Britania e Madhe, ajo qendër e vjetër dhe zonjë e lirisë për të gjithë popujt, e para nga të gjitha Fuqitë e ka njohur të drejtën e kombeve tjera për pavarësinë e tyre’.

Kjo ishte pika e përbashkët e interesit të shqiptarëve me britanikët siç e kishin paraqitur hartuesit e memorandumit. Edhe në përfundim të memorandumit sërish bëhej me dije se kërkesa për krijimin e një shteti autonom ose të pavarur shqiptar kishte domethënie të ndalimit të ekspansionit sllav në Evropën Perëndimore. Me këtë dokument, por edhe me veprime tjera, udhëheqësit shqiptarë kishin bërë me dije se në rast të protektoratit, Britania e Madhe do të ishte fuqia ose autoriteti që do ta pranonin.

PËRKRAHJA BRITANIKE PËR OTOMANËT NË KONGRESIN E BERLINIT DHE (MOS)NJOHJA E SHQIPTARËVE SI NACIONALITET

Në fund të marsit 1878, Lordi Darby dha dorëheqje nga pozita e sekretarit të jashtëm pasi që konsideronte se Disraeli, Cairns dhe Salisbury po i zhvillonin çështjet e politikës së jashtme pa dijeninë e tij. Kjo dorëheqje shkaktoi një krizë të shkurtër pasi që Britania dhe fuqitë tjera brengoseshin për zhvillimet e reja të Çështjes Lindore. Qeveria britanike kishte shprehur mospajtim me gjendjen ekzistuese dhe kishte dhënë shenja se do të bënte thirrje për një konferencë ndërkombëtare ku do të revidohej rezultati i Shën Stefanit.

Kryeministri Disraeli e emëroi Lordin Salisbury sekretar të jashtëm. Salisbury brenda natës e hartoi Qarkoren e tij të famshme ku e paraqiti qëndrimin e politikës së jashtme britanike. Me këtë dokument britanikët demonstruan se kishin adaptuar një politikë të re në diplomaci dhe se do ta implementonin në mënyrë energjike. Esenca e kësaj politike ishte se Britania nuk do të lejonte krijimin e një Bullgarie të madhe nën kontrollin e Rusisë. Por, do të lejohej një zgjerim i ‘moderuar’ i Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë dhe kjo gjë nuk shihej si dëmtim i interesave shqiptare, por si zvogëlim i territorit otoman. Pra, para se të fillonte Kongresi i Berlinit britanikët e kushtëzuan pjesëmarrjen e tyre me të drejtën e revidimit të plotë të pushtetit otoman në Evropë. Brenda kësaj politike nuk do të kishte vend për diskutim të veçantë të çështjes shqiptare. Britanikët do të mundoheshin të shpëtonin sa më shumë toka të shqiptarëve, por do t’i konsideronin si territor nën sovranitetin otoman.

Fuqitë e Mëdha, para se të udhëtonin për Berlin, kishin arritur marrëveshje bilaterale sekrete me njëra-tjetrën, por në asnjë rast nuk kishin paraparë se do t’u dilnin probleme me shqiptarët. Prandaj, asnjë nga marrëveshjet sekrete nuk e përmendte çështjen shqiptare. Shqipëria përmendej në marrëveshjen e fshehtë në mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë që ishte nënshkruar një vit më parë (15 Janar dhe 18 mars 1877). Neni 3 i marrëveshjes së 18 marsit parashihte rregullimin e këtyre fuqive me rastin e largimit të otomanëve nga Ballkani. Nëse kjo ndodhte, atëherë Rusia nuk do të përzihej drejtpërsëdrejti në Ballkan, nuk do të krijohej ndonjë shtet i madh sllav, kurse Shqipëria dhe Bullgaria mund të pavarësoheshin. Por, siç u vërejt me Traktatin e Shën Stefanit, Rusia nuk iu përmbajt kësaj marrëveshje.

OTOMANËT OFRUAN TERRITORE NË BOSNJE, NË KËMBIM TË TOKAVE SHQIPTARE

Layard kishte njohuri për çështjen shqiptare dhe raportonte me mjaft korrektësi për Lidhjen e Prizrenit. Ai kishte raporte të mira me sulltanin dhe ushtronte influencë ndaj tij. Prandaj, i sugjeroi sulltanit që në krye të delegacionit që do ta dërgonte në Berlin, ta emëronte një ’turk kredibil’ siç ishte Sadik Pasha. Sulltani u pajtua, por më vonë e ndërroi mendjen. Disa ditë para fillimit të kongresit, sulltani i tha Layard-it se e kishte emëruar Karatedori Pashën dhe Mehmet Ali Pashën si përfaqësues fuqiplotë të Portës të cilëve në Berlin do t’u bashkohej ambasadori Sadullah Beu. Karateodori ishte grek i lindur në Berlin dhe duke qenë djalë i mjekut personal të sulltanit, kishte bërë karrierë të suksesshme në hierarkinë e pushtetit otoman. Mehmet Ali Pasha, të cilin shqiptarët e quanin Ali Pashë Maxharri, ishte gjerman, por që kishte shkuar në Stamboll si i ri dhe kishte përparuar deri në gradën e mareshalit. Në Berlin Ali Pasha kishte treguar interesim të madh që të ruante territor otoman, sa më shumë që ishte e mundshme. Kjo e kishte shtyrë kancelarin gjerman, Otto von Bismarckun, që pashën ta shpotiste shpesh dhe t’ia tërhiqte vërejtjen duke ia bërë me dije se ai në kongres po merrte pjesë për të dëgjuar e jo për të parashtruar kërkesa. Disa javë pas përfundimit të kongresit, Ali Pasha do ta humbte jetën në Kosovë dhe do të regjistrohej si viktima e parë e Marrëveshjes së Berlinit.

Në Berlin çështja shqiptare nuk doli në diskutim si çështje e ndarë apo e pavarur siç kërkoi Lidhja e Prizrenit. Asnjë nga fuqitë nuk e mori përsipër këtë çështje. Memorandumi që iu dërgua Disraelit nuk prodhoi efekt dhe çështja shqiptare doli në agjendë vetëm në mënyrë sporadike dhe në diskutimet e dorës së dytë kur merrej vendim për kufijtë e Malit të Zi dhe Greqisë.

Me 28 qershor Ali Pashë Maxharri foli për armëpushimin e Adrianopolit gjatë së cilës kohë Mali i Zi, kundër rregullave, e kishte zgjeruar territorin. Pasha kërkoi që këto territore të ktheheshin në sundim të Portës. Në protokollet a Marrëveshjes së Berlinit është shënuar se edhe Karateodori Pasha e kundërshtoi kalimin e Tivarit nën pushtetin malazez, duke argumentuar se qyteti dhe rrethina ishin të banuara me shqiptarë të cilët nuk do ta pranonin këtë gjendje. Ali Pashë Maxharri doli me një propozim për ndërrim të territoreve. Ai i propozoi kongresit që Mali i Zi t’i kthente territoret shqiptare dhe të kompensohej me territore në drejtim të Bosnjës dhe Hercegovinës, por ky propozim nuk u miratua. Britanikët nuk e kundërshtuan argumentimin e otomanëve, por nuk treguan gatishmëri që ta përkrahnin. Britanikët i përkrahën otomanët në vendosjen e kufirit të veriut ku shtrihej Serbia. Përfaqësuesi britanik Odo Russell qëndroi pas Ali Pashës. Karateodori Pasha nuk u pajtua as me kufijtë e jugut që dilnin nga propozimi i delegatit francez, por as ky kundërshtim nuk u pranua.

BRITANIA NË MBROJTJE TË PORTËS, KONSERVATORËT NJIHNIN SHQIPTARËT

Britanikët, duke e mbrojtur Portën, ia dolën që ta bllokonin propozimin e delegatit francez, Saint-Valier, i cili ishte në favor të zgjerimit të të drejtave të katolikëve të Mirditës të cilat ishin të garantuara në bazë të ab antico. Kjo iniciativë u përkrah edhe nga austro-hungarezët. Me këtë rast, Salisbury theksoi se propozimi francez do të shkaktonte vështirësi pasi që do të sanksionoheshin privilegjet të cilat nuk ishin të qarta dhe me të cilat Kongresi do t’i jepte pranim ndërkombëtar të drejtës lokale zakonore. Në fakt, u bë kompromis në këtë çështje. Otomanët morën obligime që të mos bënin ndryshime të reja në statusin e Mirditës dhe kjo hyri si deklaratë në tekstin e Traktatit.

Britania e realizoi qëllimin e saj në Berlin. Politika e Disraelit ishte që Perandorisë Otomane t’i ofrohej siguri dhe ringjallje duke ia garantuar kufijtë e rinj ushtarak në Evropë dhe duke e bindur Portën që të ndërmerrte reforma me qëllim që ta stabilizonte rendin e brendshëm, që të prosperonte dhe, mbi të gjitha, që të evitohej kërcënimi nga Rusia. Britania e Madhe gjithashtu arriti që t’i siguronte interesat e saja në Mesdhe që ishte rruga e saj për në Indi. Rivalët politikë britanikë, konservativët e udhëhequr nga Disraeli dhe liberalët e udhëhequr nga Gladstone, nuk dalloheshin shumë në këtë pikë. Dallimi qëndronte në pikëpamjet që këto dy parti kishin për Ballkanin, sidomos për çështjen shqiptare, e cila paraqitej nga Lidhja e Prizrenit.

Në debatet politike që u zhvilluan në Britani, gjatë dhe pas Kongresit të Berlinit, konservativët e njihnin faktin e ekzistimit të shqiptarëve si nacionalitet të veçantë, kurse liberalët e kundërshtonin. Kur konservativët e udhëhequr nga Disraeli e shqyrtonin çështjen shqiptare në Parlamentin britanik hasnin në kundërshtim të liberalëve të udhëhequr nga Gladtsone. Kritika më e ashpër e liberalëve ishte me rastin kur sekretari i jashtëm britanik, Lord Salisbury, me 12 maj 1879 e pranoi në takim zyrtar delegacionin e Lidhjes së Prizrenit të përbërë nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Vrioini.

Në këtë takim, dy delegatët e Lidhjes me Salisbury-in e diskutuan çështjen e gjuhës dhe religjionit në jug të Shqipërisë të cilin fakt Greqia po e përdorte në dobi të saj. Delegatët i thanë sekretarit britanik se gjuha dhe religjioni ortodoks i shqiptarëve nuk duhet të shkaktonin konfuzion të fuqitë e mëdha dhe se kjo nuk duhej të konsiderohej si fakt se këta shqiptarë duhet të përfshiheshin brenda territorit grek.

Në lidhje me këtë dhe pikat tjera të diskutimit gjatë këtij takimi Salisbury shkroi:

‘Ata dëshirojnë që t’i vënë dëshirat dhe kërkesat e tyre me përulësi para fuqive evropiane duke shpresuar në drejtësi; por ata nuk e fshehin qëllimin e ruajtjes së qenies së tyre duke rezistuar kundër dominimit të huaj, qenie të cilën e kanë ruajtur me shekuj paraardhësit e tyre’.

Në këtë takim Salisbury nuk shprehu ndonjë pozicion zyrtar ndaj Lidhjes së Prizrenit dhe çështjes shqiptare, por e këshilloi Frashërin dhe Vrionin që të vazhdonin me aktivitetin e tyre për t’i bindur diplomatët e fuqive të mëdha në Stamboll. Vizita e delegacionit të Lidhjes u diskutua edhe në Parlament. Liberalët konsideronin se ky delegacion nuk duhej të merrej si përfaqësim i shqiptarëve dhe e kritikuan Salisbury-in që i kishte njohur duke i pranuar zyrtarisht. Ndeshja e shtizave konservative dhe liberale për çështjen shqiptare në Parlamentin britanik, në mënyrë sporadike, ka vazhduar nga viti 1878 e deri më 1881.

Në arenën diplomatike, pas Kongresit të Berlinit, Franca mori rolin e sponzoruesit të Greqisë. Kryeministri i Francës, Waddington, i cili ishte anglez, i bënte presion qeverisë britanike që Greqia të zgjerohej deri lart mbi Janinë. Më në fund, kryeministri britanik, Disraeli, ia bëri me dije se kjo gjë nuk do të ndodhte pasi që ai Janinën e konsideronte kryeqytet të shqiptarëve.

NDRYSHIMI I POLITIKËS BRITANIKE

Zgjedhjet e majit të vitit 1880 në Britani të Madhe sollën ndryshime duke i sjell liberalët në pushtet dhe Gladstone-in si kryeministër. Earl Granville u emërua sekretar i jashtëm kurse Charles Dilke, zëvendës. Më parë, që të dy, së bashku me Gladstone-in, kishin shprehur qëndrime që ishin të pavolitshme për shqiptarët. Ndryshimi i parë që u bë në diplomaci ishte ndërrimi i diplomatëve në Stamboll. Ambasadori Layard, të cilin liberalët e urrenin pa masë, u zëvendësua me Joachim Goschen-in. Lordi Edmond Fitzmaurice u emërua Komisioner në Stamboll me detyrë që t’i mbikëqyrte reformat për Perandorinë Otomane që i parashihte Marrëveshja e Berlinit.

Politika e jashtme britanike ndaj Çështjes së Lindjes ndryshoi. Porta e Lartë, veçanërisht udhëheqësit shqiptarë të Lidhjes, shprehën brengosje. Por, për befasi të madhe, diplomatët britanik në Stamboll shprehën simpati të madhe për çështjen shqiptare dhe vazhduan të ushtronin presion në Londër për pranimin e Lidhjes dhe idesë së saj për krijimin e një shteti shqiptar autonom ose të pavarur. Problemi qëndronte në faktin se kryeministri Gladstone nuk pajtohej me diplomatët e tij.

Prandaj, Gladstone filloi t’i bënte presion të madh Portës që kjo t’i përmbushte obligimet që i parashihte Marrëveshja e Berlinit e që në fakt ishin dorëzimi i territoreve shqiptare. Sulltani provoi që ta aplikonte taktikën e vonesës pasi që kishte frikë nga prishja e marrëdhënieve të tij me shqiptarët. Kur Gladstone u kërcënua me bllokimin detar të Ulqinit, madje edhe të Smirnës (Izmirit), sulltani u detyrua ta angazhonte ushtrinë kundër Lidhjes së Prizrenit dhe t’i dorëzonte territoret në posedim të Malit të Zi dhe Greqisë. Por, kjo u bë duke luftuar kundër njësive ushtarake të Lidhjes së Prizrenit dhe më vonë kundër vetë udhëheqësve të kësaj organizate nacionaliste. Me dorëzimin e territoreve dhe me shuarjen e Lidhjes së Prizrenit, Gladstone konsideronte se çështja shqiptare ishte zgjidhur.

Por, për shkak të presionit dhe qëndrimit britanik, gjërat në mes shqiptarëve dhe pushtetit otoman ndryshuan shumë. Udhëheqësit shqiptarë u gjetën në pozitë të vështirë dhe në kërkim të formave të reja të vazhdimit të rrugës së nacionalizmit që u zhvillua mjaft mirë, por që dështoi pasi që nuk kulminoi me krijimin e një shteti autonom që ishte qëllimi kryesor. Gjatë dekadave të ardhshme, udhëheqësit shqiptarë do të provonin, më shumë se shpesh, që të fitonin përkrahjen e britanikëve, por qëndrimi liberal britanik nuk ofronte kushte të volitshme për një gjë të tillë. Interesi i konservativëve dhe i liberalëve ishte që Rusia të mos shtrihej në Ballkan nga ku do të siguronte dalje në Adriatik dhe kjo gjë, së paku për një periudhë prej disa dekadave, ishte siguruar. Britanikët, po ashtu gjatë kësaj periudhe, treguan se nuk do t’i rrezikonin marrëdhëniet me otomanët për shkak të shqiptarëve.

@Fluidi

Provo po ashtu

truri kontrollon fundin e filmit

Truri kontrollon përfundimin e filmit

Sa herë ju ka rastisur që nuk ju pëlqen fundi i një filmi? Falë teknologjisë, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.