Britani e Madhe : Boris Johnson i fiton zgjedhjet e së enjtes

Partia Konservatore e kryeministrit Boris Johnson, fitoi shumicën e vendeve në parlamentin britanik, një rezultat vendimtar i zgjedhjeve të mbizotëruara nga Brexit-i, që do t’i mundësojë kryeministrit të përmbushë planet e tij për largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, muajin e ardhshëm.

Sipas rezultateve paraprake partia e zotit Johnson ka fituar 363 vende në parlamentin 650 vendesh duke lënë prapa Laburistët e Jeremy Corbyn me 203 vende.

Kryeministri Johnson e cilësoi fitoren e tij më të madhen që nga vitet e 80-ta, kur konservatorët drejtoheshin nga Margaret Thatcher.

Duke folur para mbështetësve të tij në Londër, ai tha se qeveria tani ka një shumicë të mjaftueshme në parlament për të përmbushur Brexit-in.

“Kjo do të thotë që jetësimi i Brexit-it është bërë tani vendim i pakundërshtueshëm, i pandryshueshëm për popullin britanik,” tha ai.

Zgjedhjet ishin humbje e thellë për udhëheqësin e së majtës, Jeremy Corbyn, i cili u përball me thirrjet për dorëheqjen e tij ndërsa rezultatet po publikoheshin.

Ai i cilësoi rezultatet si “shumë dëshpëruese” dhe tha se nuk do të drejtojë partinë në zgjedhjet e ardhshme, ndonëse kundërshtoi thirrjet për dorëheqje të menjëhershme.

Reagime pas zgjedhjeve

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se fitorja e kryeministrit Johnson do të thotë se Britania dhe Shtetet e Bashkuara do të kenë mundësi të arrijnë një marrëveshje të madhe tregtare pas Brexit-it.

“Kjo marrëveshje ka mundësitë që të jetë shumë më e madhe dhe më fitimprurëse se çdo marrëveshje që mund të bëhej me BE-në” shkroi presidenti Trump duke përgëzuar kryeministrin Johnson.

Presidenti i Këshillit Evropian. Charles Michel, tha të premten se Bashkimi Evropian “pret që sa më parë parlamenti britanik të votojë (Brexit-in)… Është me rëndësi që të ketë qartësi”, tha ai.

Ligjvënësi gjerman, Norbert Roettgen, nga radhët e partisë së kancelares gjermane Angela Merkel, shkroi se “nuk është fshehtësi që unë doja që Mbretëria e Bashkuar të mbeten në BE. Por qytetarët britanik vendosën dhe duhet të pranojmë zgjedhjen e tyre. Me fitoren e Johnsonit, Brexit-i është bërë i pashmangshëm. Qëllimi ynë tani është t’i mbajmë sa më të ngushta marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar”, shkroi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!