Brendet kroate po ikun Kosova

Brendet e njohura kroate kanë ikur nga Kosova dhe furnizimin me mall të tregut tonë e bëjnë nga Maqedonia apo shtetet tjera përreth.

Shqetësimet e tyre për këtë gjë kanë shprehur kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu si dhe ambasadori kroat Zoran Vodopia, sipas të cilit arsyet e tërheqjes së atyre brendeve janë partnerët joseriozë të cilët nuk kanë arritur profitin e planifikuar.

Gjatë paralajmërimit të mbajtjes në Prishtinë të një forumi ekonomik të nivelit të lartë mes Kosovës e Kroacisë, kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu ka ndarë shqetësimin se brendet e njohura kroate Krash, Podravka, e Pliva, në vend se të zgjerojnë formën e bashkëpunimit me Kosovën, ata kanë lëshuar vendin tonë.

“Ajo që na shqetëson neve dhe z. Vodopia është fakti se këto kompani viteve të fundit janë larguar nga Kosova, e bëjnë ofrimin e produkteve të tyre nga Maqedonia e vende të tjera të rajonit dhe neve na brengos fakti se kjo nuk është duke ndodhur nga Kosova.”

Për ambasadorin e Kroacisë, Vodopia, arsyet e tërheqjes së atyre kompanive nuk janë politike, por vetëm ekonomike.

“Është çështje bazike të ndërlidhen njerëzit e drejtë, e të mos hasin në partnerë të gabuar, i cili nuk di ta kryejë pjesën e tij të punës. Disa kompani janë larguar pasi kanë vlerësuar se nuk po përmbushet profiti i parashikuar.”

Megjithatë, Gërxhaliu dhe Vodopia besojnë se shumë shpejt ato kompani do të kthehen në Kosovë. Sipas ambasadorit kroat, hyrja në tregun kosovar është tërheqës, pasi nënkupton një treg prej mbi 7 milionë konsumatorësh, duke përfshirë Shqipërinë dhe shqiptarët në Maqedoni.

Ndryshe, Forumi Ekonomik Kosovë-Kroaci që do të mbahet në Prishtinë të martën dhe të mërkurën e javës pasuese, u vlerësua si ndër forumet më të mëdha, organizuar viteve të fundit. /RTK

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.