Ballina / Biznes / Karrierë / Brenda selisë qendrore të kompanisë Amazon
amazon

Brenda selisë qendrore të kompanisë Amazon

Kompania Amazon i anuloi planet për të ngritur një kampus në Nju Jork, pasi u përball me një reagim të papritur, të ashpër nga ligjvënës, aktivistë progresistë dhe udhëheqës të sindikatave, sipas së cilëve gjigandi i tekonologjisë nuk i meritonte stimujt qeveritarë prej afro 3 miliardë dollarësh.

Amazon kishte vendosur në nëntor të hapte zyra të dyta kryesore në Nju Jork dhe në Virxhinia, fare pranë Uashingtonit. Selia origjinale e Amazonit është në Siatëll të shtetit Uashington dhe Natasha Mozgovaya dhe Aleksandr Bergan të shërbimit rus të Zërit të Amerikës, na sjellin nga afër atmosferën e saj:

Ndryshe nga zyrat qendrore të shumë gjigandëve teknologjikë që zakonisht ndodhen në periferitë e qyteteve, selia e Amazonit ndodhet në zemër të qytetit Siatëll. Vendndodhja nuk është e vetmja e veçantë e selisë – tre sfera qelqi me kornizë metalike krijojnë një ambient të pazakontë për punonjësit e gjigandit Amazon. Allison Flicker është zëdhënëse e kompanisë Amazon.

“Hulumtimet shkencore tregojnë se kur punon mes gjelbërimit dhe natyrës, truri i njeriut funksionon ndryshe – ndoshta është më krijues. Jemi të kënaqur që u ofrojmë punonjësve mundësinë që të punojnë në një vend që të jep tjetër ndjesi. Po ashtu, edhe që ata të dinë më shumë për bimësinë e ndryshme që kemi këtu të ardhur nga mbarë bota”, thotë zonja Flicker.

Brenda sferave janë mbi 40 mijë bimë nga 50 shtete të botës. Për punonjësit është si një “fole” ku një mbledhje mund të zhvillohet poshtë pemës së kakaos. Tim Bomke është menaxher i programit ushtarak në kompaninë Amazon.

“Duhet pak kohë që të përshtatesh, por unë e kuptova se më pëlqen që ambjenti të ofron liri krijuese. Është ndërtesa e parë që kemi, ku unë nuk kam një zyrë… janë hapësira të lira… dhe po erdhe herët mund të zgjedhësh se ku do të punosh”, thotë zoti Bomke.

Madje, edhe ndërtesat më të zakonshme të kompanisë kanë hapësira interesante dhe të bollshme.

Këtu mund të bësh një ndeshje në shah apo lojë tjetër. Telefonatën private mund ta bësh në një kabinë telefonike të improvizuar, ndërsa dikush tjetër edhe mund të punojë apo të argëtohet në këtë amfiteatër me ekran gjigand. Mbi një tezgë mund të gjeshë banane falas, ndërsa servirësit quhen me dashuri “bananexhi”.

Njerëzit nuk janë të vetmit që shijojnë këtë hapësirë të pazakontë. Punonjësit sjellin me vete rreth 6 mijë qenë që lodrojnë në këtë mjedis. Amy Zawoiski është një prej punonjësve që i pëlqen të punojë dhe të lozë me qentë njëkohësisht.

“Është mjaft mirë për lehtësimin nga stresi kur ledhaton qenin. Njerëzit ndalojnë pranë tavolinës time jo për mua por për katërkëmbëshin ‘Joe Joe’”, thotë ajo.

Gus, qeni i Blake Ferry-t u rrit në këtë ndërtesë.

“Javën e parë, kur ishte një qenush i vogël, ishte sfiduese për të. Donte të lozte me të gjithë njerëzit. Por me kalimin e kohës u mësua”, thotë zoti Ferry.

Ende nuk dihet se si do të duken nga brenda zyrat e selisë së Amazonit në Virxhinia, por një gjë është e qartë se vendasit janë duke pritur me ëndje.

@Fluidi

Provo po ashtu

dita e punetoreve

Rrjeti i OJQ-ve përkujton të vdekurit në vendin e punës

Me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, rrjeti i OJQ-ve “AVONET”, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.