Borelli dhe dialogu Kosovë –Serbi

Deklarata e Borellit para disa ditësh, i cili tha se nuk duhet të bëhemi më katolik se Papa, duke aluduar në zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi, shkaktoi bujë dhe habi te një pjesë jo vetëm të opinionit, por edhe të politikanëve kosovarë, si dhe të atyre ndërkombëtarë.

Shkruan: Hysen Gecaj

Kjo u komentua në mënyra të ndryshme, ndonëse për këtë çështje është e vështirë që dikush jashtë Kosovës mundë të japë përgjigje të prerë, sidomos për çështje të palës së tretë.

Deklarata e Borell nuk ishte paragjykuese, por ishte përgjigje që lë hapur mundësinë e dialogimit në një fazë kur ende nuk është filluar fare me bisedimet për normalizim të raporteve Kosovë –Serbi.

Qasja e këtillë e Përfaqësuesit të Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell,duhet të shihet si qasje diplomatike dhe e paanshme në raport me situatën Kosovë –Serbi, duke lënë hapur mundësitë për kreativitet politik në zgjidhjen e çështjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Asnjëherë, nga asnjë politikan kosovarë apo i huaj, nuk ka pasur qëndrim të prerë për sa i përket kësaj çështjeje. Madje nuk ka pasur konsistencë e as sqarim se çka nënkuptohet me terminologjitë si: ndarje, demarkim ose këmbim territoresh, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Deklarimet për dhe kundër bisedimeve të disa liderëve tanë, ende pa ditur detajet e një marrëveshjeje eventuale me Serbinë, janë deklarime tejet amatore, por edhe qëllimkëqia dhe vetëm sa kontribuojnë në destabilizimin e brendshëm të vendit, sepse paragjykimet e tyre (të qëllimshme ose jo) nuk kanë fuqi që të dalin jashtë kufijve të Kosovës dhe, aq më pak, të ndikojnë në qëndrimet politike të Fuqive të Mëdha, ndërsa në politikën e brendshme po shkaktojnë konfuzion te zgjedhësit, që, në masë të madhe, nuk kanë kapacitete të njohurive politike në mënyrë që të kenë pavarësinë e mendimit.

Deklarimi se, prononcimi i Borellit (por edhe i SHBA-ve) për bisedimet e mundshme për kufij është i dëmshëm dhe i rrezikshëm, mund të shërbejnë vetëm për konsumin e brendshëm, sepse diplomacia ndërkombëtare është e vetëdijshme për rrezikun që paraqet apo jo zgjidhja e çështjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ata, tashmë, janë, së paku, disa hapa para politikës kosovare lidhur me këtë çështje, sepse, pikërisht, Bashkimi Evropianë dhe SHBA janë ata që ndërmjetësuan në normalizimin e situatës në Ballkan, të shkaktuar nga luftërat që Serbia i provokoi. Sigurisht që edhe SHBA edhe BE janë të vetëdijshme se çështja e Ballkanit nuk ka përfunduar dhe se zgjidhja e krizës, si ajo në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), mund të konsiderohet e pasuksesshme. Tani në Ballkan kemi tri shtete, të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e kufijve dhe këto janë: Kosova , BeH dhe Serbia.

Tentativa e Bashkësisë Ndërkombëtare që çështjen e BeH ta zgjedhë duke krijuar një Republika Srpska dhe brenda BeH krijohen tri entitete si ajo e myslimanëve,kroatëve dhe serbëve, vetëm sa e ka prolonguar dhe vështirësuar përmbylljen e shtetësisë së këtij shteti, prandaj ky është një gabim të cilin Bashkësia Ndërkombëtare nuk guxon ta lejojë që të ndodhë edhe në Kosovë. Në këtë rast mund të hiqet paralele në mes të Republikës Serbe në BeH dhe Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky Asociacion Kosovën e bën jofunksionale ashtu siç Republika Serbe po e mban peng BeH.

Nisur nga dështimet në BeH, Bashkësia Ndërkombëtare nuk guxon të bëjë gabimin që mund të lërë një vatër të ndezur në Ballkan dhe, rrjedhimisht, në Evropë e më gjerë, duke pasur parasysh interesat ruse, amerikane dhe evropiane në Ballkan.

Në rast se Asociacioni për pakicën serbe në Kosovë nuk duhet të pranohet për shkak se e defunksionalizon shtetin, atëherë mbetet që të dilet me ide të tjera kreative, të cilat do të evitonin rrezikun e defunksionalizimit të Kosovës dhe do të gjendet mënyrë që të mos i shmanget dialogut.

Liderët kosovarë nuk duhet t’i frikësohen bisedimeve edhe për çështje si, fjala vjen, këmbimi i territoreve, por brenda këtyre bisedimeve duhet të kihet kujdes se deri ku mund të ecet përpara. Kosova duhet mirë t’i definojë interesat nacionale edhe nëse bisedohet për këmbim territoresh ose përkufizim me Serbinë (por nuk guxon të bisedojë për ndarje ose humbje teritori të Kosovës ).

Deklarimet e vendeve të ndryshme për dhe kundër këmbimit të territoreve nuk duhet të na e tërheqin vëmendjen dhe të na frikësojnë, por udhëheqësit kosovarë duhet të ulen dhe të analizojnë mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve të mundshme dhe të fokusohen në interesin e Kosovës e jo të mendojnë për interesat e shteteve që dalin me deklarata për dhe kundër.

Shtetet që dalin me qëndrime për dhe kundër këmbimit të territoreve, nisen nga interesi i brendshëm i tyre e jo nga interesat e Kosovës, prandaj kjo nuk duhet ta shpërqendrojë lidershipin kosovar sa i përket kësaj çështjeje apo të keqpërdoren për konsum të brendshëm politik.

Politika kosovare nuk duhet që në start të ofrimit të ideve nga individë me ndikim në politikën ndërkombëtare të tregohet refuzuese, sepse kjo nuk është aspak e dobishme për Kosovën. Natyrisht kjo nuk nënkupton se ide dhe oferta që vijnë nga jashtë duhet të pranohen gjithsesi.

Këtë e them me qëllim që të mos vijmë në situatë sikur në rastin kur Xho Bajden u refuzua nga qeveria e Kosovës lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, me ç’rast humbëm kohë të çmuar për disa vite, treguam pazotësi në udhëheqjen e shtetit, si dhe e iniciuam ftohjen e raporteve me aleatin më të madh, Amerikën. Krijuam tensione dhe hasmëri të brendshme politike dhe në fund, po ajo qeveri (e Kosovës), pas gjithë këtyre pasojave, prapë e nënshkroi marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Qeveritë e viteve të fundit të Kosovës janë treguar të papërgjegjshme dhe fokusimi i tyre ka qenë ekskluzivisht në frikësimin e popullit nga dialogu me Serbinë në interes të rritjes së mbështetjes politike dhe elektorale. Deri sa qeveria Thaqi nuk ishte sa duhet transparente, qeveria Haradinaj edhe kjo e Kurtit përdorën “letrën e frikësimit” për t’u paraqitur si mbrojtës së Kushtetutës dhe tërësisë territoriale të Kosovës, por që as njëri e as tjetri nuk dolën me qëndrime të qarta se si duhet zhvilluar dialogu dhe si të zgjidhet çështja. Taksa që u vu nga qeveria Haradinaj nuk solli asnjë dobi për vendin, përveç dëmeve politike edhe ekonomike, ndërsa ngurtësia politike e Kurtit dhe “refuzimi”i nënshkrimit të një marrëveshje të dëmshme (të paqenë) dha sinjale të gabuara në veçanti tek mbështetësit e Kosovës, Amerika dhe Bashkimi Evropian. Deri më tani lidershipi kosovar i bëri favore qeverisë serbe, duke i dhënë mundësinë asaj që të duket më kooperative me Bashkësinë Ndërkombëtare dhe, kështu, Kosova po kalon në pozicionin e penguesit të dialogut.

Hysen Gecaj, është analist i pavarur dhe ekspert i fushës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

LEXO EDHE 

DW: Përralla për shpërbërjen e BE-së prej krizës së Coronës

A e dini pse gratë janë lidere më të mira në kohë krize

SHIKO VIDEON  nga bashkëbisedimi i sotëm i Kryeministrit në Detyrë Albin Kurti me studentët e Universitetit amerikan të Harvardit.

SHBA-ja dhe BE-ja duhet të punojnë bashkë për ruajtjen e integritetit territorial dhe ta bëjnë atë anëtare e OKB-së në një Evropë të lirë, demokratike, tha në fund të bashkëbisedimit ish ambasadori amerikan Nicholas Burns, i cili e moderoi këte sesion.

Bashkëbisedim me studentët e Harvardit

Bashkëbisedim me studentët e Harvardit.

Posted by Albin Kurti on Monday, May 18, 2020

 

LEXO EDHE:

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!