Valbon Krasniqi është emëruar U.D. i SHSKUK-së

Bordi i SHSKUK-së shkarkon Drejtorin Basri Sejdiun. Lexo kush është U.D.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu, është shkarkuar ditës së sotme, ka njoftuar SHSKUK.

“Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, njofton se në mbledhjen e mbajtur sot, me 6 korrik 2020, ka marrë vendim   ta shkarkoj   nga detyra dr. Basri Sejdiun drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. Shkarkimi vjen si pasojë e  performancës jo të kënaqshme   dhe mos përmbushjes së detyrave të punës. Në vend të dr. Sejdiut, ushtrues detyre i drejtorit është caktuar dr. Valbon Krasniqi, mjek specialist i infekologjisë”, njoftoi SHSKUK.

Ish-drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu, e cilësoi si “të padrejtë dhe politik” vendimin për shkarkimin e tij.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Sejdiu tha se arsyetimet e Bordit drejtues të këtij institucioni, lidhur me shkarkimin e tij, nuk qëndrojnë.

“Është një e padrejtë e madhe që më është bërë, pasi puna ime shihet. Edhe me sistem kardiovaskular kemi bërë punë të madhe, edhe në Klinikën Neurologjike ku trajtohet sulmi në tru, kemi përmirësuar infrastrukturën. Kemi bërë zgjidhje gjatë kohës së pandemisë [së koronavirusit], kemi krijuar hapësira të reja”, tha Sejdiu, por nuk dha detaje për arsyet e shkarkimit.

Ai e kritikoi bordin e SHSKUK-së, duke thënë se “e ka penguar punën e tij” dhe tha se gjatë pandemisë së koronavirusit, ky bord nuk është marrë me menaxhimin e situatës.

“Bordi i SHSKUK-së ka vendosur kështu, ndonëse nuk është marrë asnjëherë me pandeminë, përkundrazi e ka penguar punën time gjatë kësaj kohe”.

“Unë mendoj se për qëllime politike po bëhen ndërrime në kohë të pazakontë. Kur jemi të mobilizuar 24 orë të shpëtojmë jetë njerëzish, merren këto vendime pa paralajmërime prej bordit, kur kontributi i tij është zero gjatë kësaj kohe të pandemisë. Mendoj se bordi duhet ta përkrahë menaxhmentin në këtë kohë, por ai ka vepruar në të kundërtën”, tha Sejdiu.

Ai po ashtu tha se shkarkimi i tij nuk ka të bëjë me vdekjet e disa pacientëve në QKUK, të cilat po hetohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Mediat lokale në Kosovë raportuan të dielën se ka pasur probleme me sistemin e oksigjenit në repartet ku po trajtoheshin pacientët me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Por, sipas Sejdiut, konstatimet paraprake kanë treguar se gjithçka ka qenë në rregull sa i përket oksigjenit dhe aparaturës.

“Inspektorati farmaceutik ka konstatuar se gjithçka është në rregull. Aparatura është në servisim, kështu që zero për qind ka të bëjë me këtë”, tha Sejdiu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.