Takimet me të Thaçi e Haradinaj i kanë mbajtur të fshehura. Por, Alexander Soros, i biri i miliarderit kontrovers George Soros, takimet i ka bërë publike në rrjet social.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministri, Ramush Haradinaj, deri tani nuk kanë treguar se janë takuar me Alexander Soros, që është djali i miliarderit kontrovers, George Soros.
Me sa duket kjo nuk është vizita e parë midis Ramush Haradinajt dhe Alexander Sorosit, pasi ky i fundit në mbishkrimin e fotografisë që e publikoi me Haradinajn, tha se u mirëprit sërish nga kryeministri Haradinaj, shkruan Gazeta Express.
“Edhe një mikpritje e ngrohtë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj”, ka shkruar Soros në faqen e tij të Instagramit, të shtunën.
Vitin e kaluar, megjithatë Alexander Soros u takua edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
George Soros vazhdon të ketë ndikim në shumë vende të botës përmes fondacionit me të cilin financon zyrtarë të shumë shteteve të ndryshme. Në zgjedhjet e fundit amerikane, Soros ishte pozicionuar kundër Donald Trump.