Ballina / KRYESORE / Biletat e kombëtares ofrohen te stërshitësit me kthim, Federata nuk jep raportin
federata e futbollit te kosoves, biletat online, uefa, fifa, euro2020

Biletat e kombëtares ofrohen te stërshitësit me kthim, Federata nuk jep raportin

Para fillimit të ndeshjeve kishte shumë oferta edhe të biletave VIP, por edhe pasi ndeshja fillon, çmimet e këtyre biletave nuk ulen zakonisht dhe ofrohen me çmim rreth 80 Euro

RTK-RADIO 1, ka incizuar biseda të tyre të cilët kanë thënë se i kthejnë biletat aty ku i kanë marrë, edhe nëse nuk shiten. E drejtues të Federatës së Kosovës nuk kanë ofruar raportin se sa bileta shiten e sa dhurohen.

Përderisa lojtarët e Kombëtares së Kosovës, po na bëjnë krenarë të gjithëve me angazhimin dhe fitoret që po mahnitin tërë botën, ekzistojnë dyshime se dikush po përfiton nga interesimi enorm për t’i përcjellë ndeshjet drejtpërdrejt në stadium. Shitja e mbi 10 mijë biletave për pak minuta, ka ngritur dyshime në opinion. E pranë stadiumit në prag të ndeshjeve vërehen stërshitës, që ofrojnë bileta me çmime të rritura.

“A donë me marrë, 40 euro bileta, shumë në vend të mirë është. -Bileta e 5 eurove, kushton 40 euro a? – Po, aq po shkojnë! – Urdhëro, nga 50 e 40 euro bileta. – Të 15 eurove? – Po, perëndim”, thoshin disa stërshitës. 

Para fillimit të ndeshjeve kishte shumë oferta edhe të biletave VIP. Edhe pasi ndeshja fillon, çmimet e këtyre biletave nuk ulen zakonisht dhe ofrohen me çmim rreth 80 Euro. Arsyetimi i stërshitësve është se biletat i kanë me kthim dhe nuk humbin asgjë, edhe nëse iu mbetet në dorë.

“Uli çmimet pak se kanë me të mbet në dorë”. – “Jo i kthej, jo, jo, e kam me kthim unë”, përgjigjej stërshitësi.

Biletat me kthim dyshohet se mund të burojnë edhe nga biletat që nuk dalin në shitje, por që janë të dedikuara për t’u dhuruar. E në Federatë nuk treguan interesim për të bashkëpunuar në lidhje me këtë hulumtim, përkatësisht për të ofruar raportin se sa bileta shiten e sa dhurohen zakonisht. Sekretari i Federatës, Eroll Salihu, posa e kuptoi temën, filloi të largohej nga salla ku ishte ulur për t’u prononcuar.

“A për këtë më ke thirr a? Nuk mund të jap përgjigje, duhet të flasësh me kompaninë, është Arianit Ahmeti (zëvendës-sekretari) në stadium. Mund të jenë 10 mijë bileta të shitura, mund të jenë 2000 që u ndahen punëtorëve sportivë, familjeve, institucioneve që janë me lista”.  

E në kërkesën që ta tregojë listën, sekretari Salihu nuk ishte i gatshëm ta bëjë këtë, pas së cilës u largua.

“Nuk mundem tash, mendova që për diçka tjetër më ke thirr. Për bileta, për çështje teknike nuk mundem”.

Për numrin e biletave të shitura dhe të dhuruara, nuk ka ofruar raportin as kryetari i Federatës, Agim Ademi.

“Për raportin e biletave drejtohuni  te Tiks (Kompania e autorizuar nga Federata për shitjen e biletave). Unë nuk merrem me atë punë hiç. E thirr Arianit Ahmetin e Federatës edhe atë të Tiks-it. Ata i kanë të dhënat për bileta.”

Kryetari Ademi megjithatë pranoi se ekziston mundësia e keqpërdorimit.

“Nëse mund të gjeni biletë me zero që shiten, ato dihet që janë të dhuruara dhe gjithqysh është një lloj malverzimi, apo keqpërdorim, ndërsa të tjerat ti mund t’i blesh 3 bileta edhe mund të dalësh t’i shesësh nesër, çka të bëj  unë ty”, tha kryetari.

Kryetari Ademi ashtu si edhe sekretari Salihu, na orientuan te zëvendës-sekretari i Federatës, Arianit Ahmeti, për të marrë raportin. Por as ky nuk ishte i gatshëm të ofronte atë.

“Nuk mundem pa e marr një leje. Duhet të marr leje prej më të lartëve, unë jam zëvendëssekretari. Është sekretari Erolli, është kryetari Agimi dhe është Komiteti që vendosin për këtë”, tha Ahmeti.

Në Federatë nuk ishte askush i gatshëm të ofronte bashkëpunim për të hulumtuar se si dalin në treg biletat me kthim. E zyrtari për integritet të garave në FFK, Ejup Osmani, në hollin e Kuvendit na u drejtua me tone kërcënuese.

“Shumë pyetje po bën, jo kujt ia falim biletat… e çka tash, pse me fol kryetari…” A ke argument? – Po bëj hulumtim! – Hulumtim? Ecë mos na pengo!”

E biletat gjatë ndeshjeve të kombëtares nga stërshitësit ofrohen fare pranë stadiumit, ku policia qëndron pak metra larg. Policia e Kosovës në përgjigjen me shkrim, ka thënë se lidhur me shitje të biletave, në Stacionin Policor Qendër nuk ka pasur asnjë rast të iniciuar gjatë vitit 2019, deri para ndeshjes me Malin e Zi.

 

Provo po ashtu

Moore: Pa SHBA-në nuk ka marrëveshje Kosovë – Serbi

Profesori amerikan i historisë dhe sigurisë, Gregory Moore, ka thënë se pa Uashingtonin nuk mund …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.