“Bild”: Shoferi polak, heroi i heshtur i sulmit

Shoferi polak i kamionit të vdekjes të përplasur mbi tregun e Krishtlindjes në Berlin ka luftuar deri në fund me agresorin, thotë gazeta gjermane “Bild”, e cila citon edhe burime pranë hetimit të pohojnë se kamionisti mund të ketë qenë ende gjallë, në momentin kur mjeti i është drejtuar turmës së njerëzve.

37-vjeçari duket se është përpjekur ta devijojë kamionin duke u kapur pas timonit. Në trupin e Lukasz Urban janë gjetur edhe prerje thike, përpos plagës nga një armë zjarri, e cila i ka marrë edhe jetën. “Ka shumë mundësi që të jenë përleshur”, shkruan tabloidi.

Sipas “Bild”-it, atentatori mund të ketë përdorur rrjetin e metrosë për t’u larguar nga vendngjarja. Njeriu që u fajësua fillimisht për ngjarjen, pakistanezi 23-vjeçar Naved Baluch, u ndalua vetëm sepse një dëshmitar e pa të shkelte rregullat e trafikut.

I riu që mohoi çdo përfshirje nuk kishte gjak në rroba, asnjë lëndim në trup dhe në kamion nuk u gjetën gjurmë të ADN-së së tij. Shërbimet e sigurisë njoftuan pas kësaj publikun se vrasësi i vërtetë i ISIS-it është në arrati dhe i armatosur. Sot, kur Berlini vajton 12 viktimat e sulmit, policia e ka rritur ndjeshëm vigjilencën në mesin e shqetësimeve mbi një atentat të dytë.

Megjithatë ka edhe nga ata gjermanë që zgjedhin ta sfidojnë frikën.

“Ne do të vazhdojmë t’i vizitojmë tregjet e Krishtlindjes, do të vazhdojmë të marrim trenat e avionët. Duhet të mësohemi t’i mbijetojmë këtij kërcënimi. Nuk duhet të kemi frikë prej tyre, kurrë”, tha Holger Paetzeldt, banor i Berlinit.

Pas ngjarjes së Berlinit, Belgjika, një vend i shënjestruar jo pak prej militantëve të Shtetit Islamik, i ka forcuar gjithashtu masat e sigurisë tani në prag festash, e të njëjtën gjë kanë bërë edhe autoritetet në Londër dhe në Nju Jork.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!