Ballina / KRYESORE / Bieber : Rivizatimi i kufijve, skenar i rrezikshëm; Mosliberalizimi vendim i padrejtë
bieber _berani

Bieber : Rivizatimi i kufijve, skenar i rrezikshëm; Mosliberalizimi vendim i padrejtë

Në intervistën ekskluzive të realizuar për emisionin “55 minuta” të televizionit publik të Kosovës, analisti botëror, profesor i Universitetit të Gracit në Austri, z. Florian Bieber ka shpaluar pikëpamjet e tij për dialogun mes Kosovës e Serbisë, për idenë e korrigjimit të kufirit, për ndikimin që mund ta ketë qasja divergjente e superfuqive të botës në marrëveshjen finales mes dy shteteve fqinje, pastaj për mosliberalizimin e regjimit të vizave, si dhe për çështjet e tjera me interes për Kosovën, Serbinë dhe rajonin e Ballkanit në përgjithësi.

Intervistoi: Evliana Berani

Mirëmbrëma z. Bieber, faleminderit që keni pranuar ftesën të jeni me ne, me Magazinën “55 Minuta” të televizionit publik të Kosovës. Do të doja të fillojmë mbase me pyetjen më të vështirë, atë të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Ka kohë që të gjithë flasin për të, a jeni në dijeni se çfarë po ndodhë dhe a jeni optimist se zgjidhja përfundimtare, marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet gjatë vitit 2019?

Mendoj se pjesë e problemit është se në të vërtetë askush nuk e di se çfarë po ndodhë. Ka shumë spekulime që po bëhen në Kosovë dhe në Serbi dhe në skenën ndërkombëtare por, rjedhat përkitazi me këto diskutime përshkohen me sekrete të shumta . Ka shumë spekulime!

Nuk kam më shumë njohuri se që kanë shumica e njerëzve, por do të thosha se kjo në vete më bën pesimist, pasi që po flasim për një marrëveshje që është shumë e rëndësishme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, është shumë e vështirë dhe do të kërkojë zgjidhje, që do të pranohej nga të dy shtetet, gjë që nuk është e lehtë.

Nëse marrëveshja nuk arrihet brenda muajit, nuk do të ketë marrëveshje fare sivjet

Prandaj, mendoj se negociatat e fshehta do ta kenë shumë të vështirë ta sigurojnë përkrahjen e shumicës, sidomos në Kosovë, gjë që më bën pesimist për arritjen e një marrëveshje. Por, do të isha pesimist edhe në rast se publikut i ofrohet një zgjidhje, e cila nuk do të ketë domosdoshmërisht ndonjë mbështetje të madhe. Kujtoj se, në rast që brendja muajit të ardhshëm nuk arrihet ndonjë marrëveshje, atëherë diçka e tillë nuk e besoj se do të ndodhë as gjatë pjesës së mbetur të vitit.

Arësyeja pse mendoj kështu është fare e thjeshtë. Kryesuesi i Komisioni Evropian do të jetë në prag të përfundimit të mandatit, ndërkaq kur të fillojnë zgjedhjet për Parlamentin Evropian, gjasat janë të vogëla se do të ketë energji ose ndonjë nismë, për ta arritur një marrëveshje kaq të rëndësishme nga ana e Bashkimit Evropian.

Por a mund të na e shpjegoni, pse ka nevojë të ketë prapë negociata, qoftë edhe të tilla si kjo për marrëveshjen përfundimtare, kur e dijmë se dialogimi mes Kosovës e Serbisë ka filluar qysh në vitin 2011 dhe të njejtin e ka lehtësuar Bashkimi Evropian?

Është e qartë se ky dialog dhe marrëveshjet që janë arritur, përfshirë marrëveshjen e Brukselit, ishin hapa në këtë rrugë dhe se gjithmonë është ditur se do të ketë nevojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim mes dy vendeve, sipas të cilës, të dy vendet, e sidomos Serbia do ta pranonte Kosovën si shtet.

Kështu që ishte e qartë se këto negociata të hershme kishin të bënin vetëm me ndërtimin e besimit dhe hedhjen e hapave të parë drejt një marrëveshjeje përfundimtare dhe kjo ishte gjithmonë e qartë.

Tash, mendoj se qartazi ekzistojnë dy motive kryesore, një që të ketë marrëdhënie normale mes dy vendeve, që është e rëndësishme për të dy palët, por edhe për ta trasuar rrugën për Kosovën që ajo të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, e sidomos në Bashkimin Evropian. Kjo duket të jetë e mundshme vetëm nëse ka një marrëveshje mes dy vendeve.

Status quo nuk po e ndihmon integrimin e Kosovës në BE

Për këtë arsye një marrëveshje është e nevojshme dhe e domosdoshme dhe mendoj se shumica do të pajtoheshin se edhe në Kosovë gjendja aktuale ,kjo status kuo, nuk është e mjaftueshme Kosova të përparojë drejt integrimit evropian. Ajo ka ngelur e bllokuar në përpjekjet për t’u anëtarësuar në organizatat dhe programet e rëndësishme ndërkombëtare.

Kështu që ekziston një nevojë e qartë për të dalë nga status kuoja, pyetja është nëse kjo do të jetë e mundshme këtë vit, dhe pyetjet nëse marrëveshja do të jetë aq e mirë që vërtetë të adresojë atë që është e nevojshme për të dy shtetet.

Por siç e dini Profesor Bieber, populli janë mjaft të hutuar, ka pasur një vendim nga Gjykata Ndërkombëtare se shpallja e Kosovës si shtet i pavarur nuk ishte kundër të drejtës ndërkombëtare. Tash njerëzit po flasin për korrigjim të mundshëm të kufirit. A e shpie kjo Kosovën prapa?

Unë padyshim jam pjesë e atyre vëzhguesve, të cilët besojnë fuqishëm se ajo që quhet korrigjim kufijsh, ndryshime kufijsh është diçka e padëshirueshme dhe problematike, jo vetëm për Kosovën por edhe përtej, edhe për Serbinë në fakt, por edhe për vendet e tjera në rajon, e më tej. Në këtë kontekst, unë nuk e përkrahu fare këtë ide.

Por, do të thosha se ka pasur një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë gati para dhjetë vjetësh, por ky ishte vetëm një opinion dhe kishte të bënte vetëm me shpalljen e pavarësisë. Gjykata nuk nxori ndonjë vendim për meritën e pavarësisë së Kosovës dhe për fat të keq, njohja ndërkombëtare është ajo që bëjnë shtetet, pra kjo nuk është çështje e ligjeve.

E dijmë se shumica e vendeve e kanë njohur Kosovën, dhe do të ishte e dëshirueshme që edhe tjerat ta bëjnë një gjë të tillë, sepse tash jemi në një situatë kur vende kyçe për anëtarësim në BE apo në organizata ndërkombëtare nuk e kanë njohur Kosovën. Të tillat ka pak gjasa ta bëjnë këtë pa një marrëveshje me Serbinë.

Kosova nuk përfiton asgjë nëse njohjet e skeptikëve i mungojnë Marrëveshjes finale

Por, edhe në rast të marrëveshjes, diçka e tillë nuk do të jetë e sigurt. Pra, nuk është e sigurt nëse Spanja do të ndryshojë qëndrimin, apo Kina, madje as atëherë kur një marrëveshje me Serbinë arrihet. Kështu që, çdo marrëveshje duhet të sigurojë që ata që janë skeptikë rreth pavarësisë së Kosovës do ta ofronin njohjen si pjesë e kësaj marrëveshjeje. Ndryshe, vërtetë nuk shoh ndonjë përfitim nga ana e Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje të tillë.

A ka ndonjë gjasë që mekanizma apo shtet e tjera të bëhen lehtësuese të dialogut, përveç Bashkimit Evropian?

De facto, SHBA-të janë veçse të përfshira. Kemi pasur disa letra nga Presidenti Trump. Mendoj se ka pak të ngjarë që SHBA-të të jenë në ulësen e parë të udhëheqjes së negociatave. Ata gjithmonë e kanë mbështetur dialogun nga prapa. Ata kanë dërguar porosi të qarta përmes zyrtarëve të Departamentit të Shtetit se e mbështesin këtë dialog.

Nuk e shoh si një administratë amerikane apo Shtëpia e Bardhë , e cila ka një angazhim sipërfaqësor dhe të kufizuar të politikës së jashtme, të kenë një angazhim të gjatë në Kosovë dhe në dialog. Por ata me gjasë do të dërgojnë këto sinjale inkurajuese. Natyrisht, se nëse SHBA-të do të kenë një rol zyrtar, kam drojën se Serbia do të angazhohet që Rusia të ketë rol zyrtar, që mendoj se nuk do të ishte konstruktive për dialogun.

Por siç e thash më herët, për një marrëveshje përfundimtare do të ishte e rëndësishme të sigurohet që Kosova mund të anëtarësohet në Kombe të Bashkuara, dhe aty prapë do të jetë e rëndësishme të arrihet marrëveshja apo pëlqimi, ose të paktën të kërkohet mendimi i shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, që do të përfshinte Kinën dhe Rusinë.

Çfarë na thonë analizat tuaja rreth deklaratës nga John Bolton se SHBA-të do ta pranonin çfarëdo marrëveshjeje që do ta arrinin dy vendet, me kusht që kjo marrëveshje të mos e destabilizojë Ballkanin, si e kuptoni këtë deklaratë? A ka ndonjë ndryshim në qëndrimin e SHBA-ve, apo është vazhdim i asaj që ka ekzistuar më parë?

Pa dyshim se është një ndryshim, në kuptimin se administrata e mëhershme kanë përjashtuar ndryshimet e kufijve shumë qartë. Deklarata nga Këshilltari për Siguri kombëtare, Bolton, por edhe nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, si Matthew Palmer e të tjerë sugjerojnë se SHBA-të janë të gatshme ta pranojnë korrigjimin e kufirit,. Por, ata gjithmonë e thonë se kjo ndodhë vetëm nëse ka marrëveshje të ndërsjellë dhe nëse kjo nuk e destabilizon rajonin.

Sinqerisht nuk e mendoj se mund të ketë korrigjim të kufirit i cili nuk do ta destabilizonte rajonin. Por, kjo pa dyshim varet nga këndvështrimi i atyre që e argumentojnë këtë. Sidoqoftë shihet se ka risi, që nuk pasqyrojnë vetëm ndryshim të politikave amerikane, por kemi parë edhe nga disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, disa sinjale të ngjashme si nga Franca dhe ca vende tjera. Pta ata janë të gatshëm t’i pranojnë ndryshimet kufitare nëse ka pajtueshmëri të ndërsjellë dhe nëse janë, sipas formulimeve, nëse ka konsensus dhe përkrahje për to, dhe nëse nuk janë destabilizuese.

Ndryshimi i kufijve vështirë se mund të sigurojë koncenzusin në Kosovë

Tash, ndryshimi i kufijve sipas mendimit tim nuk mund të arrijë konsensus në Kosovë, sipas të gjitha anketave publike, dhe se ai është destabilizues.

Bieber, kur thoni ‘destabilizues’, e keni fjalën vetëm për këtë rajon, Kosova e Serbia do të destabilizohen, apo mendoni se do të hapet ‘Kutia e Pandorës’ për vendet e tjera të Ballkanit?

Kur e them rajonin e mendoj përtej Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se është problem për Kosovën dhe Serbinë ngase do të ketë serbë që do të jetojnë në Kosovë dhe do të ketë shqiptarë që do të jetojnë në Serbi, pavarësisht se si bëhen kufijtë.

Por, druaj se logjika e ndryshimit të kufijve thotë se kjo do të ishte e padëshirueshme dhe se kjo është diçka që nga e gjithë retorika që e kemi dëgjuar nga Presidenti Thaçi dhe Presidenti Vuçiq duket një rrezik i vërtetë, por ekziston edhe rreziku i mëtejmë për shtetet fqinje në rajon, për Bosnjën e Hercegovinën, edhe për Maqedoninë.

Pra që nuk mendoj se kjo do të ishte një zgjidhje e cila ofron një përgjigje, por më shumë krijon probleme të tjera. Nuk pres që kjo shpejt do të shpie te rivizatimi i kufijve në rajon, por padyshim, disa akterë, si Milorad Dodik në Republikën Srpska, dhe radikalë të tjerë shpresojnë që mund ta arrijnë këtë. Kështu që në këtë kuptim, kjo do të shërbente si inkurajim për forcat revizioniste dhe nacionaliste në rajon, e mbase edhe përtej rajonit.

Kosova mes pikëpamjeve të kundërta të superfuqive, nuk e ka lehtë

Është shumë e çuditshme si pas kaq shumë vitesh, Kosova për herë të parë është diku mes qasjeve dhe pikëpamjeve të ndryshme. Në njërën anë kemi SHBA-të me një qëndrim pastaj kemi Gjermaninë që absolutisht kundërshton çfarëdo ndryshimi kufijsh, dhe në mes kemi Bashkimin Evropian që nuk është shumë i qartë, parë nga porositë që po i dërgojnë. A ekziston rreziku që Kosova ta paguajë çmimin e këtyre porosive kundërthënëse që vijnë nga superfuqitë?

Padyshim se këto nuk e ndihmojnë pozicionin e Kosovës. Do të thosha se për momentin Gjermania është nga vendet e pakta që kanë qëndrim të qartë kundër ndryshimit të kufijve. Edhe BE-ja si institucion ka qenë shumë më e paqartë në këtë aspekt. Deklaratat nga Frederica Mogherini dhe Johanness Hahn disi mbështesin më shumë qëndrimin amerikan se çfarëdo marrëveshjeje do të ishte e pranueshme, nëse u përmbahet kushteve të caktuara. Kështu që kjo nuk është gjë e mirë. Po ashtu është e habitshme si edhe vetë Kosova është thellësisht e ndarë në këtë aspekt. Po ashtu, kemi deklarata mjaft të kundërta edhe nga Kryetari dhe nga Kryeministri në këtë çështje.

Po. Ky është një pasqyrim i qëndrimeve të fuqive të mëdha globale, pra ato u reflektuan edhe tek politikanët kosovarë.

Pikërisht. Mendoj se askush në skenën ndërkombëtare nuk do të pranonte logjikën e ndryshimeve të kufijve po të mos pranohej kjo publikisht si ide nga Presidenti i Kosovës, Thaçi.

Kështu që para se ai ta përkrahte idenë bashkë me Presidentin Vuçiq vitin e kaluar, ky ishte opsion i ndaluar, ishte gjithmonë i papranueshëm.

Kështu që fakti pse janë hapur digat e këtyre ideve është rezultat i politikanëve kosovarë, e në veçanti i Presidentit Hashim Thaçi, që e përkrahte publikisht këtë ide, përndryshe kjo to të mbeste gjithmonë si qëndrim serb, i cili ishte i padëshirueshëm për shumicën e akterëve ndërkombëtarë.

Kështu që kam përshtypjen se deri në njëfarë mase, kjo huti ndërkombëtare, apo të paktën një pjesë e saj, është shkaktuar nga elita kosovare.

Profesor, cilat janë arsyet të cilat kanë shkaktuar këtë ndryshim të politikës amerikane?

Mendoj se para së gjithash është logjika e politikës transaksionale e qasjes së Trumpit, marrëveshja është marrëveshje dhe kjo është e tëra që ka rëndësi. Substanca është më pak e rëndësishme se fakti se është arritur një marrëveshje. Kjo padyshim është pjesë e kësaj logjike. Pjesa tjetër është se ai dëshiron storie të suksesit të cilat mund t’i shesë, kështu që nëse ka një marrëveshje, kjo gjë është e mirë, nuk është me rëndësi se cila është përmbajtja e saj. Pastaj është edhe Bashkimi Evropian dhe ka pasur presion që pas kaq vitesh të dialogut të arrihet një zgjidhje përfundimtare.

Besoj se Federica Mogherini po shpreson disi të marrë lavdinë e çfarëdo marrëveshjeje dhe të gjitha këto i kanë shtyer diskutimet në këtë drejtim , përkrah faktit se as SHBA e as BE nuk e kanë pasur një politikë të qartë se si të arrihet te kjo marrëveshje përfundimtare. Negociatat e mëhershme shkonin shumë ngadalë dhe dukeshin se nuk çonin askund, kështu që deri në njëfarë mase ideja për ndryshim kufijsh doli sepse kishte mungesë të një vizioni të qartë se si të arrihej një marrëveshje përfundimtare dhe obliguese mes dy vendeve.

Mosliberalizimi i vizave, vendim i padrejtë. KE thotë se shtetet e Ballkanit janë të kapura

Interesante. Profesor Bieber, ka edhe një çështje tjetër, ajo që lidhet me procesin e integrimit evropian. Vendet e Ballkanit kanë mbetur shumë mbrapa. A është e mundshme që BE në fakt të ketë dështuar t’u ndihmojë atyre të integrohen dhe të lëvizin drejt integrimit?

Padyshim se në rastin e Kosovës do të thosha se një pjesë e fajit është edhe me Bashkimin Evropian dhe se ka pasur disa vendime të cilat më duken shumë të papranueshme, si për shembull mosliberalizimi i vizave për udhëtime për qytetarët e Kosovës. Kjo do të thosha se është mangësi serioze.

Por në përgjithësi, kur flet me zyrtarë të BE-së dhe shteteve anëtare, ata ju thonë se ofertat janë në tryezë, elitat duhet të arrijnë rezultate dhe ata nuk po e bëjnë këtë, ose nuk po e bëjnë mjaftueshëm. Kështu që përgjegjësia për anëtarësim evropian qëndron te qeveritë e rajonit dhe qeveritë qartazi nuk po bëjnë mjaftueshëm. Ato nuk janë shumë serioze kur është fjala për sundimin e ligjit, nuk janë serioze as për demokraci.

Komisioni tha vitin e kaluar se ka elemente të kapjes së shtetit në secilin vend të Ballkanit Perëndimor pa përjashtim e do të shtoja se edhe në disa vende anëtare të BE-së. Kjo e bën të vështirë anëtarësimin. Është e vërtetë se BE-ja ka mundur të bëjë më shumë, kjo është e qartë. Shtetet anëtare janë mjaft skeptike.

Nuk jam optimist se Shqipëria dhe Maqedonia do ta marrin datën e fillimit të negociatave këtë vit ndonëse e meritojnë shumë dhe është gjë e vonuar. Por atmosfera në disa shtete anëtare të BE-së është kundër zgjerimit.

Kjo duhet të kuptohet në rajon, është diçka e keqe, por është realitet. Dhe në njëfarë mënyre qeveritë duhet të bëjnë më shumë për t’i bindur si elitat si qytetarët në BE se ato vërtetë dëshirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Shumë nga elitat besojnë ose kanë përshtypjen se ato vetëm flasin se e dëshirojnë anëtarësimin por nuk janë seriozë ta bëjnë atë që duhet ta bëjnë.

Taksa nuk ndihmoi, por nuk është problem thelbësorë

Ekziston edhe një çështje tjetër që është shumë aktuale në rajonin e Ballkanit, ajo është vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’u ngarkuar taksa mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Si e shihni këtë vendim dhe vendimin e Serbisë të largohet nga dialogu për shkak të këtij vendimi?

Mendoj se deri në njëfarë mase taksat nuk ndihmojnë por janë të kuptueshme kur kihen parasysh politikat obstruksioniste të Serbisë ndaj Kosovës dhe përpjekjet e saj për tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga vendet e tjera.

Kjo tregon një nivel të ulët të besimit dhe bashkëpunimit mes dy qeverive. Kjo më bën pesimist për një marrëveshje. Mund të keni marrëveshje vetëm nëse palët i besojnë njëra tjetrës. Nuk po shoh ndonjë dëshmi se qeveritë po mundohen ta ndërtojnë këtë besim, këtu i përfshij si qeverinë e Serbisë, ashtu edhe të Kosovës.

Në këtë kuptim taksa më duket se nuk ndihmon, por nuk mendoj se është thelbi i problemit.

Ajo është vetëm një simptomë, ajo është po ashtu një simptomë e mosmarrëveshjeve të brendshme të pushtetit në Kosovë, ku ka qëndrime të ndryshme nga Kryeministri Haradinaj dhe Presidenti Thaçi për dialogun. Shumë prej këtyre janë pasojë e vështirësive të brendshme për të gjetur një qëndrim të qartë se çfarë shpreson Kosova të arrijë nga dialogu.

Profesor, gjatë njëzet e pesë vjetëve të fundit, keni qenë një nga akademikët evropianë më të drejtpërdrejtë në lidhje me politikat e Ballkanit. Do të dëshiroja ta mbyllim këtë intervistë të shkurtër me një pyetje shumë të thjeshtë. Si e sheh profesori Bieber hartën e Ballkanit pas pesë vjetësh?

Pyetjet më të thjeshta gjithmonë kërkojnë përgjigjet më të vështira. Është jashtëzakonisht e vështirë dhe akademikët zakonisht tërheqin vëmendjen kur flasin për të ardhmen. Shpresoj që proceset kryesore të rajonit gjatë njëzet vjetëve të fundit të vazhdojnë dhe të forcohen, që nënkupton rendin paqësor të kufijve që kemi në rajon, se do të vazhdojnë edhe proceset për integrim evropian dhe euroatlantik.

Rivizatimi i kufijve skenar i rrezikshëm

Shpresoj, që edhe BE-ja do të ketë kurajon prapë të ofrojë një perspektivë të kredibile të anëtarësimit dhe që qytetarët do t’u bëjnë presion elitave që të arrijnë rezultate në fushën e sundimit të ligjit dhe demokracisë dhe reforma nga qeveritë e tyre dhe që në një mënyrë të caktuar rajoni të jetë më afër që të jetë më stabil, më demokratik dhe më afër të qenit pjesë e Evropës pas pesë vjetësh.

Por është edhe skenari tjetër, ai që është shqetësues, ai i rivizatimit të kufijve, kur kemi elita të cilat nuk besojnë në demokraci dhe të cilat do ta shfrytëzojnë nacionalizmin për të qëndruar në pushtet dhe për ta zhbërë sundimin e ligjit dhe në njëfarë mënyre besoj se që të dy dyert janë të hapura.

Shpresoj se rajoni do të kalojë nëpër të parën, por edhe e dyta pa dyshim është e mundshme.

Profesor Bieber faleminderit shumë për kohën tuaj dhe shpresoj se do të kemi rastin të takohemi prapë në “55 Minuta”.

Faleminderit shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.