florian bieber
Prof.dr. Florian Bieber, University of Graz

Bieber – I pari në Evropë Mali i Zi, e Serbia vetëm nëse njeh Kosovën

Në intervistën e dhënë Info Globit, Florian Bieber politikolog dhe ligjërues në ‘Studimet e Evropës Juglindore’ të Universitetit të Gracit, Austri, fletë për aktualitetin dhe të ardhmen e vendeve ballkanike në kontekstin e integrimeve evropiane. Sipas Bieber, sa i përketë integrimit në BE, duket se Mali i Zi mund të jetë në avantazh, në krahasim me vendet e tjera. Serbia është më afër BE-së, se Kosova, por që të futet në te, asaj i duhet ta njohë Kosovën.

Intervistoi – Evliana BERANI

infoGlobi: Si e shihni situatën në vendet e Ballkanit perëndimor, vende këto që si duket prapë po i shkaktojnë kokëqarje komunitetit ndërkombëtar?
Bieber: 
Nuk do mend, ekzistojnë problemet serioze në rajon, përfshirë këtu politikën e polarizuar në Shqipëri dhe Maqedoni, mungesën e pushtetarëve në Bosnjë, etj. Por, këto janë probleme politike prandaj është e vështirë që të tërheqin vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare në këtë moment. Kjo është e vështirë sidomos për shkak të ngjarjeve në Lindjen e Mesme, e në veçanti në Egjipt. Fokusi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i Bashkimit Evropian është dikund tjetër, prandaj është e vështirë për Ballkanin të ketë vëmendjen ndërkombëtare. Unë poashtu mendoj se problemet e rajonit janë serioze, por duhet të kemi kujdes nga ekzagjerimet.

infoGlobi: Kosova dhe Maqedonia, në një mënyrë a në mënyrën tjetër, po ballafaqohen me probleme të krizës institucionale. Në Shqipëri e Serbi ka protesta. A ka rrezik që problemet të shtrihen në gjithë rajonin? Pse?
Bieber: 
 Mendoj se nuk do të ketë shtrirje në rajon, sepse dinamika e problemeve dallon. Ajo çka është e përbashkët është se tri çështje kryesore: kriza ekonomike dhe mungesa e perspektivës ekonomike, së dyti, mungesa e legjitimitetit të qeverive për luftimin e korrupsionit dhe së
treti, mungesa e progresit dhe e qartësisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Këto janë gjëra që po krijojnë frustrim në rajon, por nuk janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejt.
Në Serbi, protestat nuk sygjerojnë se qeveria do të bie, por më shumë janë indikacion i mundësisë se Partia e Progresit mund ti fitojë zgjedhjet e ardhshme të caktuara për vitin e ardhshëm. Në Shqipëri, duket se qeveria e Berishës është gati të mbështetet në mur, ashtu siç ishte para 14 vitesh, kurse në Maqedoni opozita mbetet e dobët kurse pushteti ka kontrollin mbi zhvillimet, sado që kohët e fundit edhe ky i fundit po zbehet.

infoGlobi: Imazhi i Kosovës është dëmtuar dukshëm. Duke pasur parasysh se Kosova ngeli ‘ vrimë e zezë’ në Ballkan, në veçanti kur është fjala me procesin e liberalizimit të vizave por edhe me heqjen e statusit të të saj , të vendit me preferenca të të mirave ekonomike nga BE, me të drejt shtrohet pyetja kush dhe pse po dështon këtu? A po shkon Kosova kah izolimi i mëtutjeshëm? 
Bieber: Problemi qëndron me të dyjat, edhe me Bashkimin Evropian edhe me qeveritarët. Bashkimi Evropian nuk ka qenë në gjendje të formulojë perspektivën e qartë për integrimin e Kosovës në BE, përfshirë këtu liberalizimin e vizave dhe atë drejt anëtarësimit. Në anën tjetër, qeveria ka humbur kredibilitetin në shkallë të madhe, sepse nuk ka qenë në gjendje të merret me luftën kundër korrupsionit, por as nuk e ka shtyer vendin përpara, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

infoGlobi: KFOR-i ka paralajmëruar zvogëimin e trupave nga dhjetë në pesë mijë, ndërkohë që ka indikacione tjera për përshpejtimin e heqjes së statusti të quajtur ‘pavarësi e mbikëqyrur’ . Si e shihni tërheqjen nga mbikëqyrja, në rrethanat aktuale, a është ky progres, apo tërheqje e parakohshme e bashkësisë ndërkombëtare nga Kosova, si rezultat i zbehjes së interesimit të saj për këtë shtet?
Bieber: 
Në përgjithësi, organizatat ndërkombëtare i shohin problemet politike të ndara nga ato të sigurisë. Derisa situata politike është e paqartë, në të dy aspektet, në raport me marrëdhëniet Serbi -Kosovë dhe në raport me qeveri efikase, por për këto çështje prezenca e KFOR-it nuk është e nevojshme. Ta them të drejtën, nuk do ta cilësoja këte si përfundim të mbikëqyrjes së pavarësisë, por si shenjë se përkundrejtë problemeve me të cilat Kosova ballafaqohet, ato nuk janë më probleme të sigurisë.
infoGlobi: Prishtina e Beogradi do të fillojnë bisedimet për çështjet teknike. Çfarë prisni nga ky dialog dhe cilat janë skenaret e mundshme të dalin nga ai?
Bieber: 
 Pesimizmi im po shtohet. Sa më shumë që shtyhet formimi i qeverisë së Kosovës, punët do ecin më vështirë, sepse ka mbetur pak kohë.Qeveria e Serbisë nuk ka disponim për kompromise të mëdha, nëse procesi shtyhet më afër zgjedhjeve parlamentare të parlajmëruara për muajin maj të vitit 2012. Ngjashëm, qeveria e Kosovës, duket se do të jetë e dobët dhe mund të hezitojë të bëj kompromise ose mund ta ketë vështirë të sigurojë mbështetjen për kompromise të tilla.
infoGlobi: Koalicionet janë temë e nxehtë sot në Kosovë. Në vazhdimësi po përcillet mesazhi se Kosovës i duhet një qeveri me duar të pastra. A mendoni se liderët kanë ndëgjuar si duhet mesazhet e tilla?
Bieber: 
Nuk jam i sigurt se mund të komentoj këtë çështje, sepse nuk kam ndjekur zhvillimet e negociatave për koalicionet.
infoGlobi: Çfarë paska përmbushur Serbia, që Kosova nuk e ka përmbushur? Është krijuar përshtypja se Serbia është më afër integrimit në BE se sa që është Kosova?
Bieber: 
Aktualisht, Serbia është më afër BE-së, dhe këtu nuk ka asnjë dyshim. Sa i përketë anës së legjislacionit dhe të institucioneve, Serbia do të jetë shumë më afër që ti bashkëngjitet Bashkimit Evropian. Sidoqoftë, problem i hapur mbetet raporti i Serbisë me Kosovën. Nuk besoj se Serbia do të mund të futet në Bashkim Evropian pa raporte të qarta me Kosovën, përkatësisht pa njohjen e pavarësisë së saj.
infoGlobi: Çfarë duhet të bëjnë shtetet e Ballkanit me qëllim që të përshpejtojnë proceset zhvillimore? 
Bieber:  Problemi qëndron në atë se elitat qeverisëse në shumicën e këtyre vendeve nuk janë të përkushtuara sa duhet për integrim në Bashkimin Evropian. Këto elita zakonisht flasin se janë në favor të Bashkimit Evropian, mirëpo në të njejtën kohë ato bllokojnë procesin
e integrimit në BE. Aty ka nevojë për reforma të mëtutjeshme, jo pse në diçka të tillë insiston Bashkimi Evropian, por se nga to këto vende mund të kenë vetëm përfitime. </blockquote>
infoGlobi: Çfarë po bëjnë aktualisht elitat e intelektualëve? Çka mendoni, a ka peshë fjala e tyre në dizejnimin e të së ardhmes së vendeve ku ato jetojnë?
Bieber: 
Intelektualët mund të kenë rol të rëndësishëm në ushtrimin e presionit mbi qeveritë, në mënyrë që ti detyrojnë ato, që të mirret më seriozisht çështja e integrimit në BE. Ata poashtu janë të rëndësishëm në përcjelljen e mesazheve se reformat dhe intergrimi në BE janë opsioni i vetëm dhe opsioni më i dëshiruar. Një pjesë e elitave intelektuale në rajon edhe më tej fletë për nacionalizmin, e së këndejmi ato po ndihmojnë partitë në pushtet, të cilat flasin për interesa nacionale dhe i përdorin ato si justifikim për të zvarritur procesit e integrimit në Bashkim Evropian.
infoGlobi: Ju lutem, a mund të elaboroni vizionin tuaj përkitazi me të ardhmen e Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë, Serbisë, Bosnies dhe Malit të Zi? A ekziston një linjë kohore, që do të sinjalizonte përfundimin e tranzicionit në kët shtete? Kur do ti bashkëngjiten ato familjes evropiane?
Bieber:  Është e pamundur të tërhiqet një linjë e tillë kohore. Unë mund të marrë me mend se të gjitha shtetet e Ballkanit mund të bëhen anëtare të BE-së brenda 15 vitesh. Por, nuk është e qart në këtë moment, nëse këto shtete do të futen në BE njëkohësisht dhe në grup, gjë që disa forca në BE do të dëshironin të ndodhë, apo mbase, BE-ja do ti nxitë vendet që të garojnë se kush do të futet i pari.
Radhitja se si do ti bashkëngjiten këto shtete BE-së, është ende e paqartë, por duket se Mali i Zi mund të jetë në avantazh, në krahasim me vendet e tjera, sepse ky shtet nuk ka probleme serioze me vendet fqinje dhe është në gjendje që ti ndryshojë strukturat më shpejt se që mund ta bëjnë vendet e tjera.

Maqedonia mund të lëvizë shpejt në atë drejtim, por kjo do të varet nga fakti se a do të jetë në gjendje të bëj kompromis me Greqinë përkitazi me emërtimin e shtetit. Një kompromis i tillë aktualisht është i rëndë, dhe ai ka shkuar duke u rënduar edhe më gjatë viteve të fundit.
Ajo çka është e qart për këto vende, përfshirë këtu edhe Kosovën, është se ato nesër duhet të zgjidhin problemet bilaterale dhe ti tejkalojnë sfidat e mëdha të mbetura në rajon, gjë që do të marrë bukur shumë kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.