fbpx

Betohen para Thaçit gjyqtarët dhe prokurorët serbë

Gjyqtarët dhe prokurorët serbë janë dekretuar nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Betimi i tyre ndodhi sot, pas dështimit të javës së kaluar, ku prokurorët dhe gjyqtarët serbë refuzuan të shkojnë te Thaçi, shtyrjen e së cilës e kishte kërkuar Beogradi.

Sipas një deklarate të Presidencës, lëshuar javën e kaluar, dekretimi i tyre është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Kosovës i ndërmarrin për të arritur një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore.

Me aktin e betimit, bëhet edhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015.

Në ceremoni ishin edhe krerët e korit diplomatik.

kori diplomatik i kosoves

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në mbështetje të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, në pajtim me propozimin e Këshillit Prokurorial, me dekret ka emëruar 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë të rinj të shtetit nga komuniteti jo shumicë.

Pas ceremonisë së betimit, ai ka uruar të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e rinj, duke iu ofruar mbështetje në punën e tyre të përditshme.

“Kosova është ndërtuar mbi parimet kushtetuese, të gjithë përfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ. Kosova ka miratuar masa adekuate për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore”, ka theksuar presidenti.

Ai ka thënë se dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, pasqyron plotësisht natyrën shumetnike të Kosovës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, në pajtim me përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore, e kanë konsideruar si veprim afirmativ propozimin e tyre për të rritur numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, siç është përcaktuar me Kushtetutë, Ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi dhe Marrëveshjen për Drejtësi, të arritur në Bruksel, më 10 shkurt 2015, e cila është vazhdimësi e marrëveshjes së ratifikuar nga Kuvendi me Ligjin Nr. 04/L-199.

Dekretimi i tyre është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.