Ballina / OP./INTERVISTA / “Besa e odave” nuk mund ta vrasë “besën” ndaj Perëndimit
mero baze

“Besa e odave” nuk mund ta vrasë “besën” ndaj Perëndimit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan sot zyrtarisht stopimin e marrëdhënieve miqësore me Kosovën, duke anuluar vizitën e një gjenerali të lartë dhe duke paralajmëruar ndërprerjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, çka është jetike për Pavarësinë e Kosovës.

Shkruan: Mero Baze / Gazeta Tema

Vendimi pason rezistencën e Qeverisë së Kosovës për mos pezullimin e taksës 100 për 100 qind me Serbinë, si kusht për avancimin e agjendës së bisedimeve brenda 120 ditëve të ardhshme.

Vendimi është një ngjarje e panjohur në raportet mes Kosovës dhe SHBA-së, dhe një sinjal i zymtë për të ardhmen e Kosovës dhe mbështetjen perëndimore të saj.

I njëjti sinjal ka ardhur dhe nga Gjermania, ku eurodeputeti dhe raportuesi për Serbinë, David McAllister, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës anulimin e vendimit për taksën kundër mallrave të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Pra, nëse për projektin e bisedimeve Kosovë- Serbi, SHBA-ja dhe BE-ja nga një anë, dhe Gjermania nga ana tjetër, kanë disa diferenca në opsionet e tyre, në qëndrimin ndaj taksës, ato janë të bashkuara.

Në këto kushte, ky presion ndërkombëtar nuk përballohet me burrni odash kosovare, por me debat publik të hapur dhe ripozicionim të spektrit politik në Kosovë ndaj kësaj çështjeje.

Vendosja e taksës, edhe ashtu, më shumë se sa kundër Serbisë, është vendosur në një kontekst rivaliteti brenda liderëve politikë në Kosovë, në garën për t’u dukur kush është më shumë patriot.

Tani ky rivalitet duhet të marrë fund.

Kosova duhet të shprehet dhe të pozicionohet pro ose kundër Perëndimit. “Besa e Odave” të Kosovës nuk mund të dalë mbi “besën” që Kosova i ka dhënë Perëndimit në vitin 1999, kur e ka çliruar dhe e ka shpëtuar nga shfarosja.

LDK, PDK, AAK, VV dhe çdo faktor tjetër politik duhet të shprehen nëse janë pro ose kundër mbështetjes perëndimore për Kosovën, që i hapin rrugë bisedimeve me Serbinë.

Askush nuk ka të drejtë të bëjë profetin për bisedimet, as për fundin e tyre dhe as të paragjykojë rezultatet, me alibinë që duhen bllokuar pa filluar.

Bisedimet me Serbinë janë një dënim që nuk i shmanget dot askush. Ato janë po aq të vështira dhe të dhimbshme sa lufta me serbët, por nuk i shmangemi dot.

Liderët politik në Kosovë, nuk duhet të fusin kokën si struci në rërë dhe të bëjnë sikur nuk e shikojnë se çfarë po ndodh.

Ata duhet të shprehen dhe të pozicionohen së pari rreth kësaj situate për taksën që i hap rrugën bisedimeve dhe pastaj dhe për bisedimet, duke u bërë pjesë e procesit.

Bisedimet me Serbinë nuk janë dhe nuk duhet të bëhen objekt betejash elektorale dhe as mekanizëm për të rrëzuar njëri- tjetrin nga pushteti. Ka plot arsye përse duhet ta rrëzojnë njëri- tjetrin nga pushteti. Bisedimet janë gjëja e gabuar. Ato rrëzojnë fatin e Kosovës dhe jo fatin e Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt Isa Mustafës apo Albin Kurtit. Ndaj ato duan po aq guxim, madje më shumë sesa në luftë, duan po aq burrëri dhe mençuri, madje dhe më shumë. Ky është një proces që e konsolidon Pavarësinë e Kosovës, ose e varros atë, dhe askush nuk ka luksin ta trajtojë si ndonjë aksion personal, apo si një agjendë politike partiake, por si detyrim kombëtar.

Sot, falë këtij rivaliteti primitiv dhe klanor në Kosovë, SHBA-ja, çliruesja e Kosovës, dhe Gjermania, aleatja më e madhe e saj në Evropë, janë të zemëruara me Kosovën.

Humbja e aleancës me ta, është fundi i Kosovës, pa qenë nevoja të flasim për bisedime. Ndaj është mirë që ky absurditet të marrë fund dhe Kosova të mbrojë aleancën me Perëndimin, çliruesin e saj real.

Kosova nuk ka dy zgjedhje si Serbia. Ka vetëm një, dhe është vetëm Perëndimi. Të tjerat janë dokrra patriotike, që i shërbejnë më shumë Serbisë, sesa Kosovës. (Gazeta “Tema”).

Provo po ashtu

3 njerëzit më të pasur të Afrikës, kanë pasuri sa krejt populli afrikan

Të gjithë mendojnë se atje nuk ka pasuri, por e vërteta është se kontinenti afrikan …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.