Shqipëria , Tirana, nata

BERZH: 49% e shqiptarëve ndihen më mirë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim i ka pyetur familjet me pyetje të mbyllura, ku e para ka qenë: A jeni të kënaqur me situatën tuaj financiare?

Sipas vrojtimit, 49 për qind e familjeve në Shqipëri janë të kënaqura me situatën e tyre financiare, ndërkohë që mesatarja e vendeve në tranzicion për këtë tregues është 31 për qind. Në Gjermani, pjesa e familjeve që shprehen të kënaqura me gjendjen financiare është 55 për qind, ndërsa në Itali vetëm 33 për qind.

Një tjetër pyetje që u është bërë familjeve ka qenë ajo, nëse situata e tyre ekonomike është më e mirë se 4 vite më parë. Sipas BERZH-it, 27 për qind e familjeve në Shqipëri thonë se situata e tyre ekonomike është përmirësuar krahasuar me 4 vite më parë. Për rajonin, ky tregues është 24 për qind, ndërsa në Gjermani dhe Itali është respektivisht 33 dhe 7 për qind.

Sondazhi është bërë në fund të vitit 2016.

Sipas BERZH-it, familjet shqiptare paraqesin një situatë pozitive edhe në dy tregues të tjerë: gjendjen politike dhe korrupsionin.

Rreth 35 për qind e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni është ulur, krahasuar me 4 vite më parë, nga 23 për qind që është mesatarja e vendeve të rajonit në tranzicion. Ndërsa për situatën politike, 30% e shqiptarëve mendojnë se është më e mirë se 4 vite më parë, ndërkohë që për rajonin, kjo shifër është 28 për qind.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.