Belgjika e Franca vendosin orë policore për ta luftuar COVID-19

Në kuadër të përpjekjeve për ta luftuar pandeminë, Franca dhe Belgjika kanë shpallur orë policore.  Belgjika këte masë e shqiptoi për të gjithë vendin, kurse Franca për qytetet e saj më të mëdha.

Belgjikë

Belgjika ka marrë vendim të premten që të mbyllen të gjitha kafiteritë dhe restorantet për katër javët e ardhshme si dhe të vendosë orë policore, teksa tenton të luftojë rritjen e shpejtë të numrit të të infektuarve me koronavirus.

Kryeministri belg, Alexander De Croo, ka bërë të ditura këto masa, të cilat do të nisin së zbatuari nga dita e hënë, pas takimit me ekipin për kriza të Qeverisë belge, duke paralajmëruar se sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, është duke u rritur në mënyrë “eksponenciale”.

Me më shumë se 10,300 vdekje nga popullësia me 11.5 milionë banorë, Belgjika është një prej vendeve të prekura së më keqi nga ky virus në Evropë.

“Javë pas jave, të dhënat janë duke u dyfishuar, është një rritje eksponenciale”, ka thënë De Croo në një konferencë në media.

Rajoni i qytetit të Brukselit ka urdhëruar baret dhe kafiteritë që të mbyllen javën e kaluar, mirëpo njoftimi i së premtes zgjeron masën në gjithë vendin.

Kufizimet e reja përfshijnë edhe orën policore nga mesnata deri në 5 të mëngjesit – me qëllim të parandalimit të njerëzve që të organizojnë ndenja nëpër shtëpi, si dhe ndalim të shitjes së alkoolit pas orës 20:00.

Puna nga shtëpitë duhet të “bëhet norma e re” ka thënë De Croo, derisa teatrot dhe kinematë janë të lejuara të qëndrojnë të hapura, duke respektuar distancën fizike.

Autoritetet shëndetësore belge kanë regjistruar 191,959 persona të infektuar me koronavirus, prej kur ka shpërthyer pandemia atje.

Prej tyre 10,327 pacientë kanë vdekur.

Francë

Masat kundër koronavirusit kanë hyrë në fuqi më 17 tetor në Paris dhe në qytete të tjera të mëdha të Francës. Ky vendim i autoriteteve franceze vjen pas rritjes së rasteve të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton ky virus.

Nga ora 21:00 deri në orën 6:00 do të jetë ora policore, e cila pritet t’i afektojë 20 milionë njerëz. Kjo masë vjen pasi një ditë më parë autoritetet regjistruan, më shumë se 25,000 raste me COVID-19 në mbarë Francën.

Përderisa ora policore ka marrë mbështetjen e publikut, zyrtarët në disa qytete franceze druajnë se masat kundër koronavirusit, do të kenë ndikim të madh në aspektin social dhe ekonomik të vendit.

Masat në Francë do të jenë në fuqi për të paktën katër javë. Pronarët e restoranteve kanë kundërshtuar orën policore, duke thënë se kjo nuk ka kuptim, për shkak se tashmë autoritetet kanë vendosur rregulla strikte të distancës fizike.

Në mbarë Francën po ashtu janë ndaluar dasmat dhe ndejat e tjera publike dhe njerëzit janë udhëzuar që në tubimet private në shtëpi, të mos mblidhen më shumë se gjashtë persona.

Në gjithë Evropën së fundmi është regjistruar numër i lartë i rasteve të reja me koronavirus.

Në 24 orët e fundit, Gjermania ka regjistruar 7,830 raste të reja – shifra më e lartë e infektimeve ditore që prej se ka nisur pandemia. Në total, në Gjermani janë regjistruar 356,387 raste me koronavirus dhe 9,767 viktima.

Në Austri, qeveria ka njoftuar se ministri i Jashtëm, Alexander Schallenberg është infektuar me koronavirus, pasi kishte marrë pjesë në një takim me homologët e tij të Bashkimit Evropian më 12 tetor, andaj si preventivë, të gjithë pjesëtarët e Qeverisë austriake do t’i nënshtrohen testit për COVID-19.

Italia po mëton të vendosë masa të reja për të frenuar përhapjen e koronavirusit, teksa brenda 24 orëve janë regjistruar 8,804 raste të reja me këtë virus.

Në Shtetet e Bashkuara, kanë vdekur më shumë se 218,000 persona dhe mbi 8 milionë persona janë infektuar.

Në mbarë botën, 1,1 milion persona kanë vdekur nga virusi dhe 39,2 milionë janë infektuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.