fbpx
brukseli , be

BE vendos hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Tiranën e Shkupin

Vendet anëtare të Bashkimit europian vendosën sot në favor të hapjes së bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të Këshillit për Çështjet europiane e cila u zhvillua përmes një video konference

Sipas vendimit i cili njeh përparimin e bërë nga të dy vendet, Komisioni europian duhet të përgatisë sa më shpejt të jetë e mundur kornizën e bisedimeve e cila duhet të miratohet nga Këshilli. Vetëm pas kësaj do të organizohet konferenca e parë ndërqeveritare e cila shënon dhe nisjen zyrtare të procesit.

Në ndryshim nga Maqedonia e Veriut, për Shqipërinë janë renditur një sërë kushtesh që vendi duhet të plotësojë përpara Konferencës ndërqeveritare. “Shqipëria duhet të miratojë reformën zgjedhore plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR, duke siguruar financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale, të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, duke përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën përkatëse ndërkombëtare, përfshirë opinionet e Komisionit të Venecias, si edhe të përfundojë krijimin e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksohet në tekstin e vendimit, i cili do të duhet të zyrtarizohet nga Këshilli europian

Kur të prezantojë kornizën e bisedimeve, Komisioni europian do të duhet të pareqesë dhe një raport mbi punën e Shqipërisë në “forcimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmes bashkëpunimit me Shtetet Anëtare të BE-së dhe përmes planit të veprimit për të adresuar rekomandimet e Task Force të Veprimit Financiar. Trajtimi i fenomenit të aplikimeve të pabazuara për azil dhe sigurimi i riatdhesimeve dhe ndryshimi i ligjit të mediave në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias mbeten prioritete të rëndësishme”, thekson vendimi.

Në tekst theksohet se “korniza e negociatave do të miratohet nga Këshilli dhe duhet të reflektojë se Shqipëria ka adresuar me sukses të pesë prioritetet kryesore, si fillimi i procedurave penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vettingut, fillimin e procedurave kundër të akuzuarve për blerje votash, përfshirë nisjen e procedurave dhe përfundimin e procedurave të para kundër zyrtarëve të rangut të lartë publik dhe politikanëve, progres të prekshëm në lidhje me reformimin e administratës publike, zbatimin e reformës zgjedhore, një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019, si dhe përparimin e mëtejshëm në miratimin e legjislacionit për mbrojtjen e pakicave kombëtare, miratimin e ligjit për regjistrimi i popullsisë në përputhje me Këshillin e Evropës dhe avancimi i procesit të regjistrimit të pronave”.

Komisionieri për Zgjerimin Oliver Harvelyi u shpreh i lumtuar për vendimin e sotëm, i cili siç u shpreh ai “është një mesazh i fortë dhe i qartë për Ballkanin Perëndimor”, se e ardhmja e rajonit është në BE. Ai tha se ky vendim është gjithashtu një lajm i mirë dhe për vetë Bashimin europian, i cili dëshmoi sipas tij “besueshmëri” dhe se “jemi të aftë të marrim vendeve strategjike pavarësisht rrethanave”.

Në fillim të këtij muaji, Komision Europian i paraqiti një raport vendeve anëtare, ku rikonfirmoi rekomandimin e tij pozitiv për hapjen e bisedimeve me të dy vendet ballkanike. Komisioni ka hartuar një raport të ndërmjetëm i cili pritet t’u shërbejë si një bazë e re vlerësimi vendeve anëtare, në mbledhjen e Këshillit europian në fund të këtij muaji, ku me gjasë do të diskutohet sërish tema për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, ndërkohë që do të miratohet dhe metodologjia e re e prezantuar muajin që shkoi.

Në dritën e progresit domethënës të arritur dhe përmbushjes së kushteve të përcaktuara njëzëri nga Këshilli, në Qershor 2018, Komisioni rekomandoi në paketën e tij të zgjerimit 2019 që Këshilli të hap negociatat e pranimit me Shqipërinë. Në përgjithësi, Shqipëria ka rritur përpjekjet e saj dhe ka patur rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara në Përfundimet e Këshillit të Qershorit 2018. Si rrjedhojë, bazat e rekomandimit të Komisionit për vitin 2019 për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë mbeten të vlefshme”, saktësonte raporti.

Në mbledhjen e tetorit të Këshillit europian, presidenti francez Emanuel Macron vuri veton duke lënë pezull shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, ndërsa kërkoi një rishikim të procesit të bisedimeve dhe vetë zgjerimit. Komisionit europian ju kërkua që të përgatiste një dokument të ri, i cili u prezantua në Bruksel në fund të muajit shkurt nga komisioneri Harvelyi.

Me hartimin e metodologjisë së re, Franca u shfaq e gatshme të hiqet dorë nga bllokimi i hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në konferencën e sigurisë në Mynih, në muajin shkurt, presidenti francez Emmanuel Macron e lidhi vendimin e ardhshëm të vendit të tij, pikërisht me raportin e Komisionit. “Tani të gjithë presim në mars raportin e Komisionit rreth procesit për të dy vendet. Pra, duhet të shohim çfarë do të thotë Komisioni për progreset e pritura në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut për këto çështje, dhe në varesi të kësaj, konsideroj se në raport me para-kushtet që kisha vendosur, nëse rezultatet janë pozitive dhe është vendosur besimi, do të bëhet e mundur që të marrim vendim për hapjen e bisedimeve”, nënvizoi presidenti francez.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.