BE paralajmëron Londrën: Duhet kompromis

Presidentja e Komisionit Evropian paralajmëroi të mërkurën Britaninë se nuk do të ketë “qasje të cilësisë më të lartë” në tregun e Bashkimit Evropian pas shkëputjes, nëse nuk bën disa lëshime të mëdha.

Në një mesazh miqësor, por të sinqertë drejtuar Londrës, Ursula von der Leyen tha që negocimi i një marrëveshje të re tregtare Britani-BE do të jetë i vështirë.

Ajo tha gjithashtu se afati që ka vendosur kryeministri britanik Boris Johnson për përfundimin e negociatave, që është fundi i 2020-s, e bën “në thelb të pamundur” arritjen në kohë të një marrëveshjeje të re e gjithëpërfshirëse.

Von der Leyen, e cila mori drejtimin e degës ekzekutive të BE-së më 1 dhjetor, pritet të takohet në Londër me kryeministrin britanik Boris Johnson më vonë gjatë ditës mërkurë, për herë të parë që pas fitores së këtij të fundit në zgjedhjet e muajit të kaluar.

Konservatorët e Johnson-it fituan një shumicë të konsiderueshme parlamentare në zgjedhjet e 12 dhjetorit, duke i dhënë atij fuqinë për t’i dhënë fund më shumë se tre viteve mosmarrëveshje mbi Brexit-in dhe për shkëputjen e vendit nga BE-ja më 31 janar. Britania do të jetë vendi i parë që largohet nga BE-ja prej krijimit të bllokut.

Largimi i Britanisë do të pasohet nga një periudhë tranzicioni gjatë së cilës marrëdhëniet Britani-BE do të mbeten kryesisht të pandryshuara ndërsa të palët negociojnë një marrëveshje të re tregtare.

Zoti Johnson ka thënë se Britania po kërkon një marrëveshje të tregtisë së lirë, por nuk pajtohet të mbajë rregullat dhe standardet e BE-së. Britania dëshiron të jetë e lirë ndaj rregulloreve të Bashkimit Evropian në mënyrë që të bëjë marrëveshje të reja tregtare në të gjithë botën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.