BE nuk mbështetë ndërtimin e gardhit gjemborë në kufirin Serbi-Maqedoni e V.

Bashkimi Evropian (BE) e ka mohuar se është pjesë e ndonjë marrëveshjeje, që lejon ndërtimin e një gardhi me tela gjemborë, në kufirin midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ana Pisonero, një zëdhënëse e Komisionit Evropian, i tha Radio Evropës së Lirë se ky institucion, kur bëhet fjalë për menaxhimin e migracionit, u ofron ndihmë të konsiderueshme financiare dhe teknike partnerëve në Ballkanin Perëndimor.

Për këtë qëllim në vitin 2015, Komisioni ka ndarë mbi 100 milionë euro për Serbinë.

“Sidoqoftë, ky financim nuk përfshin ndërtimin e rrethojave. Gjithashtu kjo nuk është pjesë e ndonjë marrëveshjeje, siç është njoftuar gabimisht”, tha Ana Pisonero.

Serbia ka filluar të vendosë një gardh me tela gjemborë në kufirin me Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Preshevës. Ky gardh me tela gjemborë do të duhej të pamundësonte kalimet masive të paligjshme të kufirit, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, autoritetet e vetëqeverisjes lokale në Preshevë.

Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës, e cila gjendet në jug të Serbisë dhe 380 kilometra larg nga Beogradi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që ngritja e gardhit me tela gjemborë është pjesë e marrëveshjes me Bashkimin Evropian (BE).

“Mendojmë që gardhi me tela gjemborë është në funksion të sigurimit të kufijve jashtë BE-së për refugjatët, të cilët ndoshta pritet të na frekuentojnë në këtë pjesë të ‘Rrugës Ballkanike’”, ka thënë Arifi.

Serbia gjendet në të ashtuquajturën “Rrugë Ballkanike”, përmes së cilës migrantët dhe refugjatët provojnë të arrijnë deri te vendet e BE-së.

Sipas të dhënave të fundit të qasshme, të cilat Komisariati për refugjat i Serbisë i ka publikuar më 20 qershor, në 18 qendra të pranimit dhe të azilit në Serbi, janë duke qëndruar rreth 4.800 persona.

Autoritetet në Serbi nuk janë të hapura për të dhënë detaje lidhur me gardhin me tela gjemborë të cilin Serbia po e vendos në kufi me Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Preshevës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.