BE-ja kundërshton vendimin për masat e reciprocitetit

Një vendim i së shtunës në mbrëmje i qeverisë në detyrë të Kosovës për të zgjeruar masat e reciprocitetit me Serbinë, ka nxitur reagime në Kosovë, Bruksel dhe Serbi. Vendimi i qeverisë ka të bëj me moslejimin e hyrjes së mallrave serbe, të cilat nuk posedojnë dokumente që i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues, Republika e Kosovës.

“Edhe emri ‘Kosovë’ është kushtetues, mirëpo, së fundmi Serbia ka ndërruar qasje duke kushtëzuar përdorimin e emrit ‘Republika e Serbisë’. Ne i kundërvihemi me masë reciproke. Obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin ‘Republika e Kosovës’ në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës”, shkroi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të dielën.

Më 31 mars, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte shfuqizuar tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjë dhe Hercegovinës, duke e zëvëndësuar me masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Reagime në Bruksel dhe Beograd
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe për çështje të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka shprehur zhgënjimin për masat e reja të reciprocitetit ndaj Serbisë, të cilat i ka miratuar qeveria në detyrë e Kosovës.

“I zhgënjyer në lidhje me masat e reja të reciprocitetit të paraqitura nga qeveria në detyrë e Kosovës. Këso veprime të njëanshme dëmtojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të hiqen menjëherë. Siç është thënë në vazhdimësi, ne presim që të dyja palët në dialog të zbatojnë dhe të respektojnë marrëveshjet e kaluara”, ka shkruar Lajçak në rrjetin social Twitter.

Pas reagimit të Lajçakut, kryeministri Kurti ka thënë përmes një postimi në Twitter se”refuzimi i parimit të reciprocitetit është mohim i ushtrimin të të drejtave sovrane të Kosovës”.

Kjo është hera e parë që zyrtarët e Bashkimit Evropian shprehen me tone kritike për masat e reciprocitetit të qeverisë në detyrë të Kosovës ndaj Serbisë. Pas heqjes së tarifës 100% ndaj mallrave serbe dhe vendosjes së masave të para të reciprocitetit, zyrtarët e BE-së kryesisht nuk e kanë komentuar këtë çështje, por vetëm kanë përshëndetur heqjen e tarifës.
Më 7 prill, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqje të tarifës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Bashkëpunimi rajonal është kyç ashtu si është tregtia e lirë, në një kohë krize si tash me përballjen me COVID-19”, ka thënë Borrell.

Më herët, Shtetet e Bashkuara, pëmes ambasadës së tyre në Prishtinë, kanë thënë se kundërshtojnë masat e reciprocitetit, që u ka vënë Qeveria në detyrë e Kosovës mallrave nga Serbia.

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika i lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngufatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia”, thuhej në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, të bërë më 1 prill.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se masat e paraqitura nga autoritetet e Kosovës, nuk kanë asnjë lidhje me reciprocitetin. Ajo tha se Beogradi do të luftojë me mjete diplomatike për të zgjidhur këtë situatë.

“Nuk mund të keni masa reciprociteti nëse nuk është në përputhje me marrëveshjen e tregtisë së lirë të CEFTA-së e cila është e nënshkruar edhe nga ana e Prishtinës”, tha Bërnabiq, gjatë një vizite në jug të Serbisë.

Më herët, reagime ka pasur edhe nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili tha se dialogu në Bruksel “nuk do të vazhdojë derisa të gjitha këto vendimet nuk tërhiqen nga ana e autoriteteve të Prishtinës”.
Thaçi dhe Hoti kundërshtojnë vendimin e qeverisë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kundërshtuar vendimin e qeverisë në detyrë të Kosovës për të zgjeruar masat e reciprocitetit me Serbinë.

“Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës.”, ka shkruar presidenti Thaçi në rrjetin social Facebook.
I mandatuari i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se veprimet e fundit të qeverisë në detyrë të Kosovës “nuk e ndihmojnë vendin, por e vënë atë në kurth”.

“Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog. Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.

Qeveria Kurti e ka hequr tarifën ndaj mallrave serbe duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit.

Mirëpo, Serbia ka thënë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa u shfuqizuar të gjitha masat, përfshirë reciprocitetin.

Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u kishte vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.