BE ia përmend Kosovës korrupsionin, përmend edhe rezultatet

Komisioni Evropian në raportin me gjetjet kyçe për Kosovën në vitin 2020 thotë se sistemi gjyqësor është ende i ndikuar nga politika. Në këtë raport po ashtu thuhet se Kosova ka bërë përparim të kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Gjetjet kyçe të raportit për Kosovën të publikuar nga Komisioni Evropian thonë se sistemi gjyqësor në Kosovë është ende i cenueshëm nga ndikimi i padrejtë politik.

“Gjyqësori është ende i cenueshëm nga ndikimi i padrejtë politik. Shqyrtimi Funksional në vazhdim i Sektorit të Sundimit të Ligjit ka siguruar një bazë të shëndoshë për të reformuar dhe modernizuar aspekte të ndryshme të gjyqësorit. Autoritetet e Kosovës tani duhet ta çojnë përpara këtë punë. Administrimi i drejtësisë mbetet i ngadalshëm dhe joefikas, dhe institucioneve të sundimit të ligjit u duhen përpjekje të qëndrueshme për të ndërtuar kapacitetet e tyre”, thuhet në raport.

Ndërkaq sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar Komisioni Evropian thotë se Kosova ka shënuar përparim të kufiziuar në këto fusha.

“Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër korrupsionit. Kosova ka bërë përparim të kufizuar në këtë fushë, përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të nivelit të lartë, në konfiskimin e pasurive, si dhe përmes krijimit të Departamenteve Speciale që trajtojnë rastet e lidhura me korrupsionin e nivelit të lartë (dhe krimin e organizuar) në gjykata”

“Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Përparimi ka përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të nivelit të lartë, rekrutimin e personelit shtesë për Prokurorinë Speciale, dhe trajnimin dhe ngritjen e vetëdijes për ngrirjen e pasurive. Sidoqoftë, përparimi i përgjithshëm ka qenë i kufizuar. Ka ende pak hetime financiare, konfiskime përfundimtare të pasurive dhe dënime të formës së prerë. Ka nevojë për masa që sigurojnë se nuk ka ndërhyrje politike në aktivitetet operacionale të organeve të zbatimit të ligjit dhe prokurorisë. Situata në veriun e Kosovës në lidhje me krimin e organizuar vazhdon të paraqesë sfida për agjencitë e zbatimit të ligjit”, thuhet tutje në raportin e KE-së për Kosovën./infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.