beyer, cdu, deputet, gjermani

Bayer: Kosova duhet të ruajë kufijtë ekzistues

Deputeti i parlamentit gjerman, Peter Bayer, tha se qëndrim gjerman është që Kosova duhet t’i ruajë kufijtë që i ka, dhe se kjo është shumë e rëndësishme për Gjermaninë.

Bayer, që i përket partisë së kancelares gjermane, Angela Merkel, deklaroi se Kosova gjendet para zgjedhjeve, dhe se qeveria e re që do të krijohet duhet të kthehet në proces të dialogut me Serbinë, pa kushte nga të dyja palët.

Ai ritheksoi qëndrimin gjerman se Kosova duhet të jetë ashtu siç është, “pa ndryshime territoriale dhe pa ndryshime të kufijve”.

Beyer komentoi edhe emërimin e zptit Matthew Palmer si përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.

“Zoti Palmer e njeh rajonin dhe tani është me të vërtetë një lajm i ri që ai u emërua si përfaqësues i posaçëm për Ballkanin, mirëpo nuk e di se çfarë të mire do të sjell ky emërim. Por pavarësisht prej kësaj, jam i mendimit që Bashkimi Evropian duhet ta emëroj një përfaqësues të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, i cili me një ekip të veçantë do të kontribuonte në aspektin konstruktiv dhe të sinqertë për të vazhduar procesin e bisedimeve“, tha ai duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara janë lojtarë të rëndësishëm për Ballkanin dhe aleat i ngushtë i Gjermanisë, ndërsa shprehu besimin për një ndihmesë pozitive të Shteteve të Bashkuara në Ballkan dhe Kosovë.

Pas takimi të djeshëm në Prishtinë, me kryeministrin në detyrë të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, deputeti gjerman tha se vazhdimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm për integrimet evropiane.

Vizita e deputetit gjerman Bayer në Kosovë u bë pas qëndrimit në Beograd ku me zyrtarët e atjeshëm ka biseduar për nevojën e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu është ndërprerë në nëntor të vitit të kaluar, pasi Kosova vendosi tarifën ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës. Beogradi nuk pranon t’i kthehet bisedimeve pa u hequr taksa ndërkaq Prishtina kërkon që zyrtarët serbë të ndalin fushatën kundër shtetësisë së Kosovës.

Diplomatët presin që pas zgjedhjeve në Kosovë, që mbahen më 6 tetor dhe formimit të qeverisë së re, të gjendet zgjidhja për vazhdimin e dialogut.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, një ditë pasi që qëndroi në Beograd ku u takua me udhëheqësit politik të Serbisë. Në Kosovë, Beyer u takua me kryeministrin në largim Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

error: Content is protected !!