fbpx

Basha ende nën hijen e Berishës

Basha ende nën hijen e Berishës

Shkruan: Arbër Geci

Kryeministri në detyrë z. Sali Berisha edhe pse i dorëhequr nga kreu i PD-së po vazhdon t’i prij akuzave kundër socialistëve fitues në zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Deklaratat e tij janë në qendër të vëmendjes së mediave dhe opinionit publik, padyshim duke lënë në hije Kryetarin e ri të PD-së z. Lulzim Basha. Normalisht prisnim një pushim sado të shkurtër të z. Berisha për të reflektuar, pas humbjes së thellë të partisë së tij dhe për të na krijuar hapësirë dhe mundësi ta njohim Kryetarin e ri të PD-së, z. Basha. Aktualisht intensiteti i reagimeve të z. Berisha jo vetëm që nuk ka rënë, por është rritur.

Dilema ime është nëse Kryetari i ri i PD-së Lulzim Basha nuk po arrin ende të gjej argumente për opozitarizem dhe në këtë mënyrë Sali Berishës po i imponohet që të vazhdoj avazin e vjetër të kundërshtimeve për mos ta lënë të qetë kundërshtarin? Apo deklaratat e reagimet e shumta e intensive të Sali Berishës po i zënë frymën dhe nuk po i lënë hapësirë Kryetarit të ri të PD-së z. Basha për të thënë atë që mendon?

Pavarësisht se çfarë po ndodh aktualisht në të djathtën në Shqipëri, besoj se z. Sali Berisha duhej të rrinte në heshtje për ca kohë. Fjala e tij do të kishte më shumë peshë po të thuhej në një moment të zgjedhur, se sa reagimet për detaje të parëndësishme. Humbja e PD-së në zgjedhje i dha atij shansin historik për të qëndruar anash për një kohë dhe për të reflektuar mbi atë që ndodhi. Ai me mençuri u tërhoq nga kreu i PD-së duke i dhënë këtij subjekti një kryetar të ri, tepër premtues, të cilit tash nuk po i jep shansin të dëshmohet.

Z. Sali Berisha sigurisht ka ende për t’i dhënë politikës shqiptare nga eksperienca e tij e gjatë, por jo me intensitetin që ka vepruar deri tani. Duke parë insistimin e vazhdueshëm të z. Berisha për të qenë në qendër të vëmendjes, është e lehtë të parashikohet se çfarë do të ndodhë në legjislaturën e mandatit vijues parlamentar. Sali Berisha me siguri do të jetë deputeti më aktiv i opozitës, ai vështirë që do ta pranoj faktin se nuk do të mund ta marr fjalën sa herë të dojë dhe të thotë çfarë të dojë, sigurisht këtë problem do ta ketë edhe ish kryetarja e Parlamentit, zonja e nderuar, Jozofina Topalli.  Nuk do doja në asnjë mënyrë të shihja Sali Berishën e viteve opozitare 2000 – 2005, kur ai si deputet ngrihej pa radhë të fliste dhe socialistët e lejonin duke e fyer se doktori është i sëmur. Sali Berisha që kemi parë këto 8 vite është politikan i madh i Kombit Shqiptarë, e që edhe humbjen do duhet ta menaxhoj si i tillë.

Kryeministri Berisha, arriti që gjatë dy mandateve ta kthej Shqipërinë në binarët e një shteti që funksionon. Anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave etj, janë dëshmi e kësaj. Ai edhe pse humbi zgjedhjet e fundit, bëri që Shqipëria për herë të parë të plotësoj standardin e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kusht për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian. Ruga e Kombit, vepër që s’do të bëhej pa insistimin vendimtar të z. Sali Berisha, është shndërruar sot në rrugën e bashkimit të shqiptarëve. Pa këtë rrugë bashkimi do ishte deklarativë, ndërsa  sot është diçka që e jetojmë çdo ditë. Duke ditur këto e shumë vepra të tjera, dua të besoj se z. Berisha do ta menaxhoj më mirë se që ka nisur rolin e tij në opozitë. Të flasësh më rrallë nuk do të thotë se je më pak i rëndësishëm.

Në katër vitet e mandatit parlamentar që po fillon do doja të shihja të zhvillohej një betejë politike në mes figurave të reja të pozitës dhe opozitës, duke shpresuar në një frymë më liberale në politikën shqiptare, pa fyerje, pa sharje e shpifje. Zëri i Sali Berishës në legjislaturën e re Shqiptare do duhej të ishte zëri i eksperiencës që bënë diferencën. Betejën opozitare le ta zhvilloj Kryetari i ri i PD-së, z. Basha bashkë me deputetët e së djathtës.

Kryeministri i ri i Shqipërisë z. Edi Rama, ka dëshmuar së është punëtor por edhe i paparashikueshëm. Ai padyshim i bëri qeverisë Berisha për 8 vite, opozitën më të fortë që mund të ketë parë ndonjëherë Shqipëria por edhe Ballkani. Me apo pa të drejtë, me bllokime apo kompromise, me dhunë apo protesta paqësore, duke bërtitur apo me ndjeshmëri, Kryetari i PS-së, z. Rama, dëshmoj në opozitë se ambiciet e tij politike nuk ndalen para asgjëje. Ai arriti aty ku synonte me premtime të mëdha për të rilindur Shqipërinë. Nuk do të jetë e lehtë për një opozitë që përbënë 1/3 e parlamentit t’i bëjë ballë një mazhorance kaq të fuqishme. Prandaj për ta sfiduar qeverinë e re do të duhet eksperienca e z. Berisha por zëri dhe modeli i z. Basha.

Duke kujtuar garën e fuqishme që zhvilloj z. Lulzim Basha për Tiranën, kundër Kryetarit të PS-së që për tre mandate po udhëhiqte kryeqytetin shqiptar, më bënë të besoj se z. Basha ka potencialin për të bërë opozitën që i duhet Shqipërisë. Ai sigurisht ka mësuar nga Sali Berisha, por modeli opozitar që ai do ndërtoj duhet të jetë i ri, në hap me kohën dhe në përputhshmëri me rrethanat aktuale të krijuara pas zgjedhjeve të fundit. Heshtja e tij në këtë kohë ndoshta është e drejtë pasi Qeveria e re nuk ka filluar ende zyrtarisht punën. Por duket qartë se për të dalë në sipërfaqe, Lulzim Bashës do t’i duhet fillimisht të tejkaloj Sali Berishën, çka duket të jetë tejet e vështirë, për t’u përballur pastaj në betejën e gjatë e sigurisht aspak të lehtë me Kryeministrin e ri Edi Rama.

@InfoGLOBI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.