mitrovice veriu a

Bahtiri dhe Rakiq u kërkuan qytetarëve të zbatojnë masat kundër pandemisë

Kryetarët e komunave të Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut, Agim Bahtiri dhe Goran Rakiq, si dhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor, Michele Risi, u kërkuan të gjithë qytetarëve të Mitrovicës që të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë rregullat e autoriteteve në lidhje me masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Të enjten mbrëma ata mbajtën një konferencë për media, në urën kryesore të lumit Ibër, që ndan Mitrovicën në pjesët jugore dhe atë veriore.

Gjenerali Risi tha se situata me koronavirusin është serioze, në Ballkan, Evropë dhe në mbarë botën, dhe shprehu besimin se të gjithë qytetarët e Mitrovicës do t’i binden udhëzimeve për lëvizje të kufizuar, të cilën e kanë paraqitur institucionet e Kosovës dhe ato lokale të Mitrovicës.

Kryetari Bahtiri tha se lufta kundër virusit, nuk njeh kombësi dhe kufij. Prandaj ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Mitrovicës që të jenë të kujdesshëm, të dëgjojnë rekomandimet e organeve përgjegjëse.

“Mënyra e vetme për të parandaluar këtë virus është të qëndroni në shtëpi”, tha Bahtiri.

Ndërkaq kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq tha se virusi nuk e anashkaloi as Mitrovicën.

“Kjo e keqe nuk njeh asnjë kufi administrativ, politik, fetar ose kombëtar. Kjo është arsyeja pse unë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të marrin përgjegjësinë dhe ta ruajnë veten para së gjithash”, tha Rakiq.

Më parë të enjten, ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia dhe nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, u kërkuan qytetarëve të përdorin të gjitha shërbimet e mundshme në dispozicion në luftën kundër koronavirusit.

Gjatë një adresimi të përbashkët, Jevtiq falënderoi ministrin Vitia për ndihmën e tij në luftimin e kësaj sfide.

Ministri Vitia, tha se institucionet shëndetësore në Kosovë janë të hapura në ofrimin e ndihmës në të gjithë Kosovën, për anëtarët e të gjitha komuniteteve.

Numri i personave të infektuar me koronvirus në mjediset e banuara me serbë është 12, ndërsa një person nga Leposaviqi ka vdekur më 2 prill.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës është 126.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.