Avioni me futbollistë brazilianë rrëzohet në Kolumbi

Një avion me 81 udhëtarë, përfshirë edhe një ekip të futbollit brazilian që po udhëtonte për në Kolumbi për një turne rajonal, u rrëzua gjatë rrugës për në aeroportin ndërkombëtar Medellin.

Autoritetet e aviacionit thanë se raportohet për gjashtë të mbijetuar.

“Kjo është një tragjedi i përmasave të mëdha”, tha kryetari i Medellinit, Federico Gutierrez, derisa po udhëtonte për në zonën malore jashtë qytetit ku është rrëzuar avioni.

Autoritetet e aviacionit thanë se avioni britanik Aerospace 146 që po shfrytëzohej nga kompania ajrore boliviane Lamia, shpalli gjendjen e emergjencës në orën 10 të darkës sipas kohës lokale (ora 4:00 sipas kohës së Evropës qendrore) për shkak të një defekti elektrik.

Autoritetet thanë se ekipet e shpëtimit u aktivizuan menjëherë, por një helikopter i forcave ajrore u detyrua të kthehet për shkak të pamjes shumë të kufizuar.

Avioni që bëri një ndalesë në Santa Cruz të Bolivias, po transportonte ekipin e futbollit Chapecoense nga Brazili jugor. Ekipi pritej të luante të mërkurën kundër Atletico Nacional të Medellinit, në kuadër të ndeshjeve për Kupën e Amerikës së jugut.

Në avion ndodheshin 72 udhëtarë dhe nëntë anëtarë të ekuipazhit. Një radio lokale tha se avioni i njëjtë kishte transportuar ekipin kombëtar të Argjentinës për një ndeshje më herët gjatë këtij muaji në Brazil.

Ekipi nga qyteti i vogël Chapeco arriti në ligën e parë të Brazilit më 2014, për herë të parë që nga vitet 70-ta dhe arriti në finalen e Kupës së Amerikës së Jugut, pasi mundi javën e kaluar ekipin legjendar të Argjentinës, San Lorenzo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.