fbpx

AUV: Ja çka kishte në kasafortën e vjedhur

Mëngjesin e së enjtes së 22 tetorit është vjedhur arka e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Aty gjendeshin para të gatshme, mbushje të telefonit e dokumente.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka treguar për Express se çka saktësisht ka pasur në arkën e vjedhur.

“Arka metalike në momentin që është vjedhur ka pasur brenda para në vlerë 1,523.58 euro (njëmijepesëqindenjëzetetre euro e pesëdhjetedy eurocentë), dhe 30 euro kartela mbushëse telefonike (10×3.00=30.00 euro). Po ashtu, aty kanë qenë të vendosura kopje fizike të planeve arkitektonike dhe të inxhinierisë të objekteve të AUV-së, (planet e objekteve ekzistuese për tri objektet dy laboratorët dhe ndërtesa e administratës qendrore). Këto plane shfrytëzoheshin për mirëmbajtjen e objekteve në raste të prishjes, apo defekteve teknike që paraqiteshin. Arka përdorej për ruajtjen e parave të imta (kesh) për nevoja të pagesave të ndryshme me vlerë deri në 100 euro”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi ka treguar se si pasojë e hyrjes me forcë, janë dëmtuar dritarja dhe tri dyer të zyrave.

“Më datën 22.10.2020, ora 8:00 e mëngjesit, koha kur edhe fillon orari i punës, zyrtaret e tri zyrave i kanë gjetur dyert të hapura në objektin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, objekti qendror i administratës. Menjëherë zyrtaret kanë raportuar dhe është njoftuar Policia. Objekti ka qenë duke u ruajtur dhe nën vëzhgimin e kamerave. Pas shikimit të hapësirave është vërejtur se e vetmja gjë që mungon ka qenë arka. Të dëmtuara fizikisht me forcë janë dritarja nga dyshohet sa kanë hyrë vjedhësit dhe tri dyer të zyrave. Nga të cilat shihet se hyrja në objekt ka qenë me anë të forcës apo thyerjes”, ka deklaruar Thaçi.

Kryeshefi i AUV-it, Naser Krasniqi, në një konferencë për media, tha se nuk mund të tregojë çka ka pasur në kasafortë, pasi rastin janë duke e hetuar organet e rendit.

“Gjatë natës së mbrëmshme ka ndodhur një hyrje e paautorizuar. Me rastin besoj se janë duke vazhduar procedurat e policisë, çdo informatë më tutje mund të ndërhyjmë në procesin e policisë. Derisa Policia të japë informata, nuk mund të japim më tepër. Nuk mundem për shkak se Policia ka marrë të gjitha konfirmimet. Hyrja nuk e dimë saktë nga kanë hyrë, thuhet se kanë hyrë nga ana e prapme”, ka deklaruar Krasniqi.

Lidhur me vjedhjen që ka ndodhur në AUV, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se janë duke u kryer hetime.

“Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e rrethanave dhe zbardhjes së plotë të rastit në fjalë”, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

Ndërkohë, lidhur me rastin e vjedhjes së kasafortës në AUV, Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar një zyrtar policor, i cili dyshohet se ka mundësuar vjedhjen.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, IPK-ja ka bërë me dije se ai po dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim të besimit” gjatë angazhimit të tij në punë sekondare në objektin e AUV-it.

Dyshimet e para nga hetuesit e IPK-së janë se zyrtari policor nuk ka treguar nivelin e duhur të profesionalizmit dhe vigjilencës në raport me detyrat për të cilat kanë qenë të caktuara për të.

“Zyrtari policor (tashmë i suspenduar) që ka qenë me detyrë në punë sekondare datën kur ka ndodhur incidenti në objektin e AUV-it, është duke u hetuar me dyshimin se ai ka kryer veprën penale “keqpërdorim i besimit”, thuhet në njoftim.

Sipas IPK-së, hetuesit në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.