As sot nuk kaloi Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sërish nuk votuan pro Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike. Diçka e tillë ishte e pamundur ngase në seancën e sotme vetëm 41 deputetë morën pjesë në votimin në parim për ‘rimëkëmbjen ekonomike’.

Ndër pikat kryesore të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike ishte edhe mundësia e tërheqjes së 10 për qind të vlerës së Trustit pensional.

Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike nuk është votuar në lexim të parë gjatë gushtit, pasi që Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin refuzuar ta votojnë, ndonëse ministrja e Financave Hykmete Bajrami bëri thirrje për votimin e tij.

Pra krahas dështimit që ai të votohet në seancën e fundit të sesionit pranveror, ai nuk kaloi as në seancën e parë të sesionit të vjeshtës.

Gjendja ekonomike e Kosovës është rënduar për shkak të pandemisë. Qindëra biznese janë shuar e papunësia është rritur.

Pas seancës së Kuvendit, Kyetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se është për keqardhje mosvotimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Tash disa muaj prej kur dy odat kanë bashkuar forcat në shumicën e rasteve për të adresuar problemet e sektorit privat gjatë pandemisë. Është për keqardhje jo vetëm fakti që deputetët kanë qenë në pushim për më shumë se një muaj por edhe që në seancën e parë pas kthimit nuk e votojnë një ligj që është esencial për ringjalljen ekonomike tash pas efekteve që ka shkaktuar pandemia. Hapen investime për mundësi të reja infrastrukturore që i nevojiten Kosovës, investime në transport dhe investime që e shndërrojnë Kosovën”, ka thënë ai.

Para seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se institucionet duhet të bëjnë më shumë lidhur me gjendjen ekonomike në vend.

Ai ka thënë se nëse nuk intervenohet, në tetor kolapsi ekonomik është i pashmangshëm, e që sipas tij, do të përcillet me humbjen e shumë vendeve të punës dhe mbylljen e shumë bizneseve.

Në një konferencë për media, ai kishte deklaruar se institucionet po tregojnë paaftësi në trajtimin e kësaj gjendjeje.

“Ne kemi qenë aktiv në kërkesat tona dhe janë dy konstatime që i kemi edhe sot, që gjendje ekonomike është e rëndë dhe që institucionet po tregojnë paaftësi për trajtimin e kësaj gjendjeje. Nga fillimi i pandemisë humbjet në ekonominë e vendit janë në vlerën 1 miliardë euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo është arsye e jashtëzakonshme për shqetësim dhe alarm për ata që marrin vendime dhe që duhet të ndërhyjnë shpejtë, për pjesën e përgjegjësisë që e ka qeveria dhe parlamenti në adresimin e kësaj situate të rëndë që e kemi”, ka thënë Rukiqi.

Tashmë ka nisur seanca e re plenare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.