Ballina / OP./INTERVISTA / Arti europian i kompromisit
In Fabric

Arti europian i kompromisit

Shkruan: HAROLD JAMES

Duke ndjekur politikën e përplasjes ballore dhe katastrofale Donald Trump po i afrohet shembullit europian të politikave, megjithatë ai duhet të mësojë se liderët e BE-së përdorin më shumë bisedimet se imponimin

Ka kaluar thuajse një dekadë që nga kriza financiare e 2008 dhe politika e konfrontimit që u shfaq pas tij mbetet e dukshme në Perëndim. Por, pavarësisht ngjashmërive mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian ndryshimet në mënyrat se si ato zgjidhin problemet sociale, ekonomike dhe fiskale janë zbutur.

Që nga fitorja e befasishme e presidentit Donald Trump, SHBA-ja duket se po konkurron me BE-në se në cilën anë politikat janë më polemike dhe jofunksionale. Në secilin rast, shumë aktorë të mundshëm mund të shkatërrojnë procesin politik. Trump po e mëson këtë në përballjet e tij me Kongresin, gjykatat dhe qeveritë shtetërore. Në Europë, forcat politike vendase vazhdimisht përplasen me gjykatat kushtetuese dhe organet mbikombëtare. Dhe çdo herë që mbahen zgjedhje kombëtare – ose rajonale – në një nga 28 vendet e BE-së (së  shpejti 27), europianët paralizohen nga frika e një rezultati përçarës.

Për të zgjidhur këtë situatë të punëve, presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker së fundmi lëshoi një raport ku jepte pesë rrugët e mundshme përpara – nga mosveprimi te ndjeka e reformave sistematike te integrimi europian një herë e mirë. SHBA-ja, gjithashtu po përballet me një sfidë të përçarjes politike, në mos të shpërbërjes.

Problemi qendror për të dyja nuk është vetëm lajmi i rremë apo “faktet alternative”, megjithëse dizinformimi hyn në shumicën e debateve nga të dyja anët e Atlantikut. Në fakt, politika në vetvete është bërë jofunksionale nga aspekti operacional. Kur shtetasit dhe politikanët i referohen politikës sipas parimit fitimtari i merr të gjitha dhe mbështeten te politika e lojës me zjarrin dhe taktika të tjera të besimit të keq, shfaqet gjendja e sëmurë.

Si debatet europiane dhe ato amerikane janë mbushur me imponim dhe teste të vullnetit, duke e kthyer politikën në një lojë “pulash”. Te kjo lojë, dy shoferë garojnë drejt një humnere (ose drejt njëri-tjetrit); humbësi është ai që largohet i pari nga katastrofa. Por nëse asnjë prej shoferëve nuk devijon, ata të dy shkatërrohen.

Në Europë, vendet po kërcënojnë të dalin nga eurozona nëse Banka Qendrore Europiane apo qeveritë e tjera europiane nuk fshijnë borxhin e tyre të paqëndrueshëm; dhe politikëbërësit europian kanë kërcënuar të presin mbështetjen për vende të tilla nëse nuk zbatohen reformat. Në këtë lojë, secila palë beson se kërcënimi i vet do të ishte aq dëmtues për palën tjetër saqë njëri do të tërhiqet.

Administrata Trump u soll në mënyrë të ngjashme në lidhje me përpjekjen për të zëvendësuar Obamacare. Administrata i ushtroi presion Kongresit duke përdorur taktika që ishin shumë të ngjashme me ato të palëve të përfshira në krizën e borxhit në Europë.

Së pari, administrata pretendoi se një konflikt i afërt nuk do të ishte domosdoshmërisht i keq, sepse mendimet e ndryshme nuk janë të pashmangshme; ose, në fjalët e sekretarit të shtypit të Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer, “diversiteti e bën vendin tonë të fortë”. Në fillim të krizës së eurozonës në 2010, BE-ja, gjithashtu u shqetësua rreth diversitetit dhe mënyrës për të kapërcyer ndryshimet mes veriut dhe jugut, qendrës dhe periferisë.

Teksa përpjekja për të anuluar Obamacare vazhdoi, Trump refuzoi të jepte alternativa: “debati” i shëndetit u kufizua si një zgjidhje me dy alternativa mes kalimit të një ligji të ndryshueshëm që nuk kënaqte askënd dhe mbajtjes së status quo-së. Duke mos ofruar plan B, qasja e Trump i ngjante asaj të kancelares Angela Merkel në krizën e eurozonës, kur u tregua e ashpër duke mos lejuar alternativa ndaj qëndrimit gjerman.

Së fundmi, në dukje Trump kishte një besim të patundur se do të fitonte dhe se ligji për të zëvendësuar Obamacare do të hynte në fuqi. Pretendimi i Spicer se “do ta bëjmë këtë” jehon sloganin e famshëm të Merkel në mbrojtje të politikës së saj të mirëpritjes së refugjatëve sirianë: “Mund ta bëjmë”.

Por përtej këtyre ngjashmërive retorike, qasja e politikëbërjes europiane është shumë e ndryshme nga ajo e administratës Trump. Dhe është domethënëse, se gjatë vështirësive të Europës që nga kriza financiare, është shmangur çdo kolaps spektakolar, me përjashtim të referendumit Brexit të Mbretërisë së Bashkuar.

Konfliktet e Europës gjithnjë janë zgjidhur me një lloj kompromisi. Edhe pse kritikët shpesh i portretizojnë proceset e negocimit të brendshëm të BE-së si shumë të gjata dhe të lodhshme, padyshim që kanë sjellë pasoja pozitive. Reformat që kanë përmirësuar koordinimin e politikave të energjetikës ose kanë ndihmuar për të krijuar një bashkim bankar, janë provuar si më të forta nga sa dukeshin në pamje të parë. Multilaterializmi europian varet vazhdimisht nga shkundja e marrëveshjeve ekzistuese, gjë që përbën të kundërtën e njëanshëmërisë së stilit Trumpian.

Qeveria kushtetuese është gjithashtu e bazuar te një proces i bisedimeve dhe rregullimit. Në zemër të Kushtetutës së SHBA-së – që u formësua nga eksperienca e Etërve Amerikanë me hilet e britanikëve kolonizatorë – është besimi se shumë njerëz, duke arritur në një konsensus janë më të zgjuar se një person. Trump do të mësojë herët ose vonë se arritja e konsensusit është pashmangshmërisht e lodhshme dhe se zgjidhjet e prodhuara nga bisedimet politike nuk janë zakonisht as të qarta dhe as të thjeshta.

Europa, nga ana e saj, e kuptoi këtë në vitet 1950, kur zbuloi se integrimi do të kërkonte një seri bisedimesh për të ruajtur zonat e mëdha të autonomisë së politikëbërjes kombëtare. Europa nuk ka një lider të pakontestuar për të imponuar preferenca politike te kushdo tjetër. Por, ndryshe nga Trump, liderët europianë sot mund të lëshojnë garanci si “Mund ta bëjmë”, pikërisht sepse e kuptojnë se shkëmbimet janë të nevojshme dhe të pashmangshme.

Në 2017, Europa mund të mësojë dy leksione të tjera të rëndësishme. Së pari, dalja e një shteti anëtar nga BE-ja nuk ka pse të jetë një hap drejt një loje pulash, nëse largimi i vendit heq pikat e tensionit dhe ruan themelin e bisedimeve të ardhshme. Dhe së dyti, administrata jofunksionale e Trump është një model si të mos qeverisësh dhe votuesit mund t’i ndëshkojnë ata, si liderja franceze Marine Le Pen, që vazhdojnë ta promovojnë atë.

/ Project Syndicate

Check Also

Bernd Riegert

Koment: Schäuble ikën – politika e kursimit e Eurogrupit mbetet

Pas tetë vjetësh në Eurogrup po largohet një ujk i sprovuar në luftë, ministri i …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *