fbpx

Arrestohen rekrutuesit e shqiptarëve në ShBA e BE

Të arrestuarit rekrutonin shqiptarë dhe i dërgonin në vende të ndryshme kundrejt pagesës pesë mijë euro për në BE dhe 20 mijë USD në SHBA dhe Kanada.

Pesë persona, të cilët merreshin me rekrutimin dhe dërgimin e shqiptarëve në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së dhe SHBA-së, janë goditur nga policia, e cila ka shkatërruar edhe dy laboratorë që shërbenin për falsifikimin e dokumenteve, kryesisht italiane, me të cilat lëviznin të rekrutuarit. Këta të fundit mendohet se paguanin nga pesë mijë euro deri në 20 mijë dollarë. Operacioni i koduar “Emigracioni i paligjshëm”, i nisur prej disa javësh, mësohet se është shtrirë në dy qytete njëkohësisht, Tiranë dhe Shkodër, duke çuar në pranga pesë të dyshuarit.
Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit të Shqipërisë bënë me dije se me drejtoritë respektive të policisë në Tiranë dhe Shkodër, ka bashkëpunuar edhe sektori i antitrafikut në Drejtorinë e Përgjithshme, ndërkohë që të gjitha veprimet janë drejtuar nga Prokuroria për Krimet e Rënda. “Si rezultat i operacionit, në pranga kanë përfunduar: Bajram M. Xhaja, 58 vjeç, banues në Tiranë; Kujtim A. Emiri, 59 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar edhe në vitin 2008, për falsifikim të pasaportave dhe vizave; Xhelil Sh. Alla, 43 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë; Sofije M. Pepaj, 50 vjeçe, banuese në Shkodër dhe Mihal V. Gjoka, 56 vjeç, banues në Tiranë”, deklaroi zyrtarisht policia, e cila shtoi se ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Gjithashtu, nga burimet e policisë u tha se gjatë këtij operacioni janë zbuluar dy laboratorë falsifikimi dokumentesh dhe janë sekuestruar një sërë provash materiale, që nga mjetet që shërbenin për të falsifikuar dokumentet e deri te llojshmëri të ndryshme dokumentesh zyrtare, të gatshme për përdorim.
Nga grupi hetimor u mësua se të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rekrutonin njerëz që ishin të interesuar të largoheshin nga Shqipëria, në drejtim të vendeve të BE-së, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Kanadasë, kundrejt shumave të parave që varionin nga pesë mijë euro për në vendet e BE-së dhe nga 20 mijë dollarë për në vendet SHBA-së dhe Kanada. Ata, pasi i pajisnin personat e interesuar me dokumentacion të falsifikuar, kryesisht italianë, i instruktonin sesi duhet të silleshin në aeroportet e huaja dhe i orientonin me anë të telefonit. Personat e interesuar, për të kaluar kufirin në dalje nga Shqipëria, përdornin pasaportë biometrike dhe në aeroportet e huaja përdornin pasaportat e falsifikuara, me të cilat ishin pajisur nga grupi kriminal. Njëri laborator u zbulua në shtëpinë e Kujtim Emirit, ndërsa tjetri në shtëpinë e Xhelil Allës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprime të mëtejshme.