Ballina / KOSOVA / Arrestohen e lirohen pesë serbë të Kosovës
policia e kosoves

Arrestohen e lirohen pesë serbë të Kosovës

Pesë serbët e arrestuar nga policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në veprimtari antikushtetuese u liruan pas disa orësh. Beogradi kërkoi lirimin e tyre duke kërcënuar se do ta ndërpresë dialogun me Prishtinën.

Policia e Kosovës arrestoi paradite pesë pjesëtarë të komunitetit serb të dyshuar se po u bëjnë presion serbëve të Kosovës që të braktisin Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Pas disa orësh mbajtjeje, prokuroria e Gjilanit njoftoi, se i ka liruar serbët e arrestuar. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, pesë personat u arrestuan sepse dyshoheshin të jenë të përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Deri tash mbi 40 pjesëtar serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë kërkuar largimin nga kjo trupë, që Prishtina zyrtare po synon ta shndërrojë në ushtri të Kosovës. Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, akuzuan Beogradin zyrtar që drejtpërdrejt po u bën presion të rinjve serbë që të largohen nga FKS-ja. I fundit që akuzoi autoritetet e Serbisë është kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili dënoi kërcënimin e hapur që po u bëhet pjesëtarëve të serbë të FSK-së dhe familjeve të tyre.

“Sot, institucionet e rendit dhe të sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cënim të sigurisë dhe të rendit. Tentimet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës janë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave evropiane dhe aspiratave për integrimin në BE”, shkroi Kadri Veseli në profilin e tij në facebook.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i Beogradit zyrtar nëpërmjet shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Ai pranoi që pesë serbët e arrestuar nga policia e Kosovës ishin kundër formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Ai i kërkon Prishtinës zyrtare që menjëherë serbët e arrestuar të lirohen, në të kundërtën, kërcënon Gjuriq, me ndërprerje të dialogut Prishtinë-Beograd. “Personat e arrestuar janë të pafajshëm. Ata kanë shprehur publikisht se janë kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës. Nëse këta njerëz nuk lirohen sa më shpejtë, deri në mbrëmje, atëherë porosia e jonë është se dialog nuk do të ketë për një kohë shumë, shumë të gjatë. Kjo është porosi edhe e presidentit Aleksandër Vuçiq”, u shpreh Marko Gjuriq. Pas këtij kërcenimi, të hapur të zotit Gjuriq, prokuroria e Gjilanit njoftoi se i ka liruar në procedurë të rregullt pesë serbët e arrestuar

Për arrestimin e pesë serbëve të Kosovës, reagoi edhe lista “Srpska”, e përfaqësuar me dhjetë deputetë në parlamentin e Kosovës. Nëpërmjet një komunikate për medie ky subjekt politik thotë, se “aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës është një shembull tjetër i përdorimit të tepruar të forcës”.

“Prishtina synon të frikësojë serbët e Kosovës dhe të shkaktojë destabilizim përmasash të gjera. Prishtina shihet qartë se është nervoze për shkak të humbjes së mbështetjes ndërkombëtare dhe dobësimit të pozicionit në negociatat me Beogradin dhe zhgënjimin e saj po e demonstron duke dërguar policët e saj special të armatosur kundër popullit duarthatë”, thuhet në komunikatën e listës Srpska. Aty thuhet më tej, se “lista Srpska” do të vazhdojë të luftojë kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës dhe i bëjmë thirrje qytetarëve të nacionalitetit serb të mos marrin pjesë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, që Prishtina në mënyrë antiligjore dëshiron ta transformojë në ushtri”.

Autoritetet e Prishtinës vazhdimisht kanë deklaruar hapur synimin e tyre që FSK-në ta shndërrojnë në ushtri të Kosovës. Për ta bërë këtë duhet ndryshimi kushtetutës së Kosovës, për të cilën kërkohet edhe miratimi i deputetëve serb në kuvendin e Kosovës, të cilët janë deklaruar disa herë që nuk do ta mbështesin me asnjë çmim formimin e ushtrisë së Kosovës. Të ndodhur në këtë situatë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thanë, se shndërrimin e FSK-së në ushtri do ta bëjnë me një ligj të veçantë që thuhet se do të ndodhë deri në fund të këtij viti. Mirëpo, që FSK-ja të shëndrrohet në ushtri përmes një ligji dhe jo me ndryshime kushtetuese, nuk është e pranueshme për shtetet e QUINT-it. Ata thonë se Kosova ka të drejtë që ta ketë ushtrinë e saj, por kjo duhet të bëhet vetëm me ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

@Fluidi

Provo po ashtu

qeveria

Zyrtarët e shtetit që nuk ngopen me para

Zyrtarët e lartë shtetërorë nuk po ngopen me të ardhurat e tyre të majme, disa …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.