Arkeologët ende pa të dhëna për gjetjet afër Kaçanikut

Arkeologët ende nuk kanë të dhëna konkrete për gjetjet e rastit në afërsi të Kaçanikut, që ishin hasur në mesin e muajit korrik gjatë zgjerimit të rrugës.

Gërmimet për hulumtimin e hapësirës, që nuk gëzon mbrojtje ligjore dhe nuk është e listuar si aset i trashëgimisë kulturore, qenë paralajmëruar se do të bëheshin dy javë pas gjetjes. Por përderisa ka kaluar një muaj e gjysmë, ato ende nuk kanë nisur, shkruan sot “Koha Ditore”.

Për shkak të temperaturave të larta, Instituti Arkeologjik i Kosovës ende nuk ka dërguar ekip për të bërë hulumtime që do të rezultonin me të dhëna konkrete për tri gropat paralele me strukturë tullash të pjekura, që shtrihen në 60 centimetra gjerësi.

Ato janë hasur në fshatin Kotlinë të Kaçanikut dhe sipërfaqja e tyre ishte konsideruar shumë e vogël për të shërbyer si mostër identifikimi. Për këtë arsye edhe ishin paralajmëruar gërmime arkeologjike dhe ishin ndërprerë punimet e rrugës në atë pjesë. Por deri më tani, e vetmja punë që është bërë aty, është izolimi i hapësirës ku është hasur kjo strukturë.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se javën që vjen pritet të hapen sondat për t’u testuar saktë se për çfarë bëhet fjalë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.