Ari sikur Bitcoin

Ari është drejt digjitalizimit. Ashtu si kriptovalutat, ku më e njohura është Bitcoin, edhe ari do të shfrytëzojë të njëjtën teknologji të quajtur blockchain për të gjurmuar rrugën që ndjek ari i nxjerrë nga minierat, i shitur nga ndërmjetësit dhe shkrirë nga ricikluesit.

Bëhet fjalë për mbikëqyrjen e një tregu të shpërndarë në të gjithë botën që kap vlerën e 200 miliardë dollarëve në vit.

Propozimi për përdorimin e teknologjisë vjen nga shoqëria e “London Bullion Market”, tregut më të madh të arit në botë.

Blockchain do të përdoret për të gjurmuar origjinën e metalit të çmuar, në mënyrë që të parandalojë pjesërisht pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe për të reduktuar të ashtuquajturat mineralet e konfliktit që financojnë konflikte në Republikën Demokratike të Kongos dhe shtetet përreth.

“Kjo teknologji nuk mund të injorohet. Le të kuptojmë se si mund të na ndihmojë sot dhe të adresojë rreziqet që prekin tregun e metaleve të çmuara”, tha Sakhila Mirza, një drejtues ekzekutiv bordi i tregut londinez.

Gjurmimi i furnizimit me ar është thelbësor për parandalimin që metalet që sponsorizojnë luftëra të hyjnë në tregjet botërore, duke identifikuar pronarët dhe duke mbajtur sigurinë nga miniera tek kasaforta.

Tashmë blockchain synon të përdoret kudo, duke nisur nga nafta, tek diamantet e deri tek fruta-perimet dhe mishi. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.