Ballina / BOTA / Annegret Kramp-Karrenbauer në krye të Bashkimit Kristian Demokrat
Annegret Kramp-Karrenbauer në krye të Bashkimit Kristian Demokrat, angela merkel

Annegret Kramp-Karrenbauer në krye të Bashkimit Kristian Demokrat

Annegret Kramp-Karrenbauer, aleatja e ngushtë e kancelares gjermane Angela Merkel është zgjedhur si pasuese e saj për postin e kryetares së Bashkimit Kristian Demokrat, një parti e qendrës së djathtë.

Gjatë punimeve të kongresit të partisë që u mbajt të premten në Hamburg, zonja Kramp-Karrenbauer, me detyrë deri në atë moment të Sekretares së Përgjithshme, mposhti me një rezultat të ngushtë ish-kundërshtarin e zonjës Merkel, Friedrich Merz. Ajo mori 517 vota ndërsa kundërshtari i saj 482.

Zoti Merz ishte për një CDU të orientuar fort në të djathtë.

Kandidati i tretë, Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn, një kritik i hapur i vendimit të zonjës Merkel të vitin 2015 për të mirëpritur më shumë se 1 milionë azilkërkues në Gjermani, u eliminua që në raundin e parë të votimit.

Fitorja e moderatores 56-vjeçare Annegret Kramp-Karrenbauer sinjalizoi qasjen e partisë drejt stabilitetit, kundër ndryshimeve dramatike në politikën e saj.

Ajo ka tashmë përgjegjësinë për të fituar ata votues të cilët i janë larguar partisë drejt së djathtës apo të majtës.

Fitorja e Annegret Kramp-Karrenbauer përbën gjithashtu një fitore shumë të nevojshme për trashëgiminë e zonjës Merkel, e cila largohet pas 18 vitesh drejtimi të partisë.

Në fjalimin e saj të lamtumirës në kongresin e CDU-së që u mbajt të premten në Hamburg, zonja Merkel falënderoi stafin e saj dhe tha se partia “nuk është kurrë një person i vetëm, por e gjithë anëtarësia bashkë”.

Fjalimi i saj u prit me brohoritje të gjatë. Disa delegatë mbanin pankarta ku shkruhej: “Faleminderit shefe!”

64 vjeçarja Angela Merkel largohet në një kohë kur një sërë sondazhesh tregojnë një rënie të popullaritetit të saj për shkak të politikës liberale ndaj refugjatëve.

Zonja Merkel njoftoi në tetor se nuk do të kandidojë për t’u rizgjedhur si kryetare e partisë, por ajo planifikon të qëndrojë në detyrën e kancelares deri në fund të mandatit aktual që përfundon në vitin 2021. Megjithatë shanset janë që zgjedhjet të zhvillohen përpara kësaj date.

Zonja Merkel e ka udhëhequr Gjermaninë që nga viti 2005 duke e orientuar partinë Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) në mënyrë të qëndrueshme, drejt qendrës.

Provo po ashtu

Me transport kufomash mishin e kurbanëve

Prerja dhe shpërndarja e mishit nga BIK për festën e Kurban Bajramit Këshilli i Bashkësisë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.