Ballina / KOSOVA / #ZGJEDHJET2019 / Analistët po thonë se 6 tetori i kanë shtyrë partitë të kërkojnë ndryshimin brenda vetes

Analistët po thonë se 6 tetori i kanë shtyrë partitë të kërkojnë ndryshimin brenda vetes

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 6 tetor, kanë shtyrë partitë politike që të kërkojnë ndryshimin brenda vetes në radhë të parë, për të kërkuar pastaj votën e qytetarëve për ndryshimin e qeverisjes së vendit. Këtë, analistët politikë e vlerësojnë si hap të mirë, që sipas tyre, ka ardhur kryesisht nga presioni i qytetarëve.

Në prag të zgjedhjeve të 6 tetorit, në të gjitha partitë është vërejtur një qasje ndryshe, qoftë tek aderimet, qoftë qasje ndaj aspekteve të ndryshme. Këtë e kanë vënë re edhe analistët politikë, të cilët thonë se e gjithë kjo ka ardhur si rezultat i presionit të elektoratit dhe qytetarëve në përgjithësi. Nominimi i Vjosa Osmanit kandidate për kryeministre nga LDK-ja, aderimet në PDK e AAK, qasja e Vetëvendosjes ndaj simboleve shtetërore dhe aspekte të tjera, sipas analistëve, janë lëvizje që tregojnë se partitë kanë nisur të ndryshojnë. Analisti Imer Mushkolaj thotë se partitë e kanë pranuar si të mirëqenë presionin e elektoratit, prandaj edhe i kanë bërë ndryshimet e tyre.

“Duke nisur nga LDK-ja me caktimin e Vjosa Osmanit kandidate për kryeministre, që është bërë vetëm për shkak të presionit të elektoratit, e jo për ndonjë shkak tjetër, e duke vazhduar me partitë e tjera”, thotë Mushkolaj për Radio Kosovën.

Përkundër që partitë e kanë identitetin e tyre bazë, aderimet e njerëzve të rinj, do t’i ndryshojnë ato.

“Po që se këtyre njerëzve të rinj, do t’u jepet hapësirë brenda partive politike, gjithsesi do të krijohet një situatë tjetër që edhe po të duan partitë të mos ndryshojnë, rrjedhimisht do të ndryshojnë”, tha ai.

Politologu Ramush Tahiri e ka parë këtë përpjekje të partive për të ndryshuar, duke thënë se po synojnë të ndryshojnë me kohën.

“Faktikisht po duan ta heqin të kaluarën e tyre, e cila ndërlidhet edhe nuk u ka dhënë shumë vota”, tha Tahiri.

Tahiri thotë se PDK-ja e ka nisur fushatën me luftën kundër korrupsionin, LDK-ja me njerëz të rinj duke e anashkaluar garniturën e vjetër, AAK-ja me përpjekjen që të tregojë se nuk është parti krahinore, porse shteti është mbi të gjitha, e Nisma me përpjekjen për ta treguar karakterin e saj socialdemokrat.

“Secila me kaq pika të shkurtra që po i theksoj, e ka bërë një ndryshim të vogël pozitiv. Nëse tash mbetet t’iu besohet dhe nëse nuk e kanë vetëm sa për t’i marrë votat dhe pastaj të vazhdojnë me të vjetrën”, thotë Tahiri.

Sidoqoftë, sipas analistëve, po të mos ishte presioni i qytetarëve, por edhe presioni brenda vetë partive nga droja se mund t’i humbasin zgjedhjet, apo se nuk do të fitojnë mjaftueshëm vota, nuk do të bëhen këto ndryshime që po vërehen në këtë rast në prag të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Provo po ashtu

Krasniqi : Rinumërimi i votave – pikë e dobët e zgjedhjeve

Hulumtuesi i KDI-së, Albert Krasniqi ka thënë se një prej pikave më të dobëta të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.