fbpx
debat pdk perballe analisteve

Analistët: Përgjegjësi për taksën edhe PDK-ja. Kosova sot më e izoluar …

Zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza e Uran Ismaili në emisionin Debat të televizionit publik u ballafaquan me analistin Rrahman Paçarizi dhe politikologun Ardian Kastrati.

“Mitrovica është e bashkuar dhe PDK-ja është partia e vetme e cila ka bërë diçka për Mitrovicën. Sot i kemi insitucionet e Kosovës, edhe Policinë e edhe doganat, në pikën 1 dhe 31, në Jarinjë dhe Bërnjakë. Kjo është falë udhëheqjes së PDK-së. Rindërtimin e shtëpive në Mitrovicë e ka bërë vetëm PDK-ja dhe në infrastrukturë ka investuar vetëm PDK-ja”, ka thënë Hamza. “Sigurisht se Mitrovica dhe veriu i Kosovës janë prioritet i lartë i PDK-së”. Hamza beson se Veseli do të jetë kandidati i PDK-së për kryeministër.

Ai është shprehur se PDK ka qenë korrekte, por partnerët i kanë cunguar proceset. “Fjala bie, deputetët e LDK-së atëbotë u bënë pengesë e rrumbullakësimit të demarkacionit”, ka theksuar ai.

Në kontekstin e pengesave u përmend edhe taksa e vendosur nga qeveria në ikje të cilën e qeverisi PAN-i.

Duke u ndalur te taksa ai ka thënë se është pasojë e veprimeve të Serbisë. “Në politikë duhet të shohim çka po humbim e çka po fitojmë. Nuk guxojmë të rrezikojmë partneritetin me SHBA dhe me BE-në”, ka theksuar Hamza.

“Pozicioni i Kosovës është më i dobët se që ishte. Taksa nuk ishte serioze dhe nuk e kuptoj pse PDK kërkon autorësinë e saj. Ka pasur instrumente tjera politike e ekonomike që kanë mundur të shqiptohen ndaj Serbisë, në mënyrë që taksa të mos dobësohet karshi partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë analisti Rrahman Paçarizi.

Të dy analistët, Rrahman Paçarizi e Ardian Kastrati ishin decidiv se “fakti që taksën e ka shqiptuar Kryeministri në ikje, Ramush Haradinaj, nuk e liron nga përgjegjësia PDK-në, e cila ka lejuar që një vendim i tillë i dëmshëm për Kosovën të merret.

“Nëse PDK po konsideron se i shikon interesat kombëtar, pse ka lejuar që të merret vendimi i dëmshëm si taksa. Pse nuk e keni shkarkuar kryeministrin apo qeverinë para marrjes së vendimit”, i pyeti Kastrati Hamzën dhe Ismailin. Pse keni lejuar që të cënohen raportet me SHBA-të, ka pyetur mes tjerash ai.

Ardian Kastrati, ka thënë se kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj e përdori dialogun me Serbinë për karburant elektoral.

“Haradinaj e përdori dialogun për karburant elektoral. Nëse është dikush që e ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë PDK-në në rrafshin politik, është Haradinaj. Ai doli të ishte një kundërshtar politik i madh e agresiv. Unë mendoj që taksa është keqpërdorur në rrafshin politik nga Haradinaj për ta goditur PDK-në para zgjedhjeve”, ka thënë Kastrati.

Kastrati duke iu referuar çmimit që po e paguan Kosova, dorëheqjen e ish kryeministrit  dhe krizën institucionale e komentoi edhe si dënim.

“Zotërat e Olimpit” nuk punojnë veq me shkop, punojnë edhe me kërbaç, ka thënë Kastrati.

Ai ka theksuar se taksa ishte e dëmshme dhe se sidoqoftë pa PDK-në dhe LDK-në skena politike e Kosovës nuk mund të imagjinohet.

Gjatë debatit u diskutua edhe për liderin e PDK-së Kadri Veselin, për të cilin Hamza beson se do jetë kandidat për kryeministër të ardhshëm të Kosovës.

“Veseli u soll vetëm si kryetar Kuvendi. Kishte harruar se është lider i partisë. Nuk mjafton t’i thuhet secilit: “ti e ke mire”, sepse nuk mund ta ketë secili mirë. Më pëlqeu deklarata e tij se “kemi dhënë kryeministra me qera”. Pra Veseli tani po sillet si lider i PDK-së”, ka thënë Paçarizi.

Paçarizi nuk beson se do të ketë zgjedhje, por nëse ato mbahen, ai ka frikë se procesin zgjedhor do ta pushtojnë akterë joserioz dhe do të ketë retorikë nacionaliste.

“Diskursi publik duhet të zhvendoset nga Serbia në nevojat e qytetarëve dhe në ate çka Kosova mund të bëjë për tu zhvilluar. Të flasim për atë se çka të bëjmë ne që ta forcojmë Kosovën. Për kërkesat reale të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ministri në largim Uran Ismaili.

Ai është shprehur se polarizimet për çështje identitare po e dëmtojnë Kosovën. “Ndarja në tabore në mesin tonë është e dëmshme. Qëndrimet e Serbisë janë të unifikuara”, ka thënë ai.

Ismaili ka theksuar se partnerii strategjik i Kosovës është ShBA./infoglobi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.