Ballina / KOSOVA / #ZGJEDHJET2019 / Amerikanët sollën mesazhe, rikonfirmojnë mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi

Amerikanët sollën mesazhe, rikonfirmojnë mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi

Dy-tre ditët e fundit sollën në Prishtinë mesazhe për dialogun me Serbinë edhe gjermanët edhe amerikanët.

Derisa, njeriu i Merkelit, Beyer rikonfirmoi pardje qëndrimin gjerman kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës, dje po në Prishtinë sollën mesazhe edhe dy senatorët amerikanë, demokrati Ron Johnson dhe republikani Chris Murphy.

Ata, takuan Presidentin Thaçi, liderët politik dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në objektin e ri të Ambasadës Amerikane, derisa pas takimit folën vetëm senatorët.

Dialogu me Serbinë ishte tema kyçe e takimeve, derisa senatorët theksuan se vizita e tyre është një rikonfirmim i mbështetjes së SHBA-së ndaj procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në veçanti ne kemi qenë të përfshirë, unë kam qenë, njëjtë dhe senatori Murphy në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që të vijmë deri të një marrëveshje, është çelësi që hap potencialin e së ardhmes. Pra, ne jemi këtu së pari të mbështesim qytetarët e rajonit, qytetarët e Kosovës, qytetarët e Serbisë”, ka thënë senatori Johnson.

Ai ka thënë se dëshirojnë të shohin qytetarët e Kosovës të kenë sukses. Ndërkohë, senatori republikan, Chris Murphy ka thënë se duhet përkushtim në dialogun me Serbinë.

“Ne shohim një të ardhme për Kosovën që ekziston me miqtë tanë në komunitetin evropian dhe të gjithë bizneset amerikane dhe transatlantike që mund të jenë partnerë në suksesin ekonomik të Kosovës. Por, janë dy gjëra të nevojshme për ringjalljen ekonomike. E para është reforma e brendshme, përkushtimi për rendin dhe ligjin, përkushtimi për reformën në sistemin e edukimit, por po ashtu përkushtimi për dialogun me Serbinë që do të përfshijë zgjidhje të vështira, këtu dhe në Beograd”, deklaroi senatori Murphy.

Senatori Johnson dhe Murphy pritet të vizitojnë edhe Serbinë, ku thanë se do t’i përcjellin mesazhet e njëjta që i dhanë në Kosovë.

Ndonëse nuk folën pas takimit, mbrëmë vonë përmes Facebook-ut, Presidenti Thaçi ka shkruar për takimin me senatorët amerikanë.

Ai, theksoi se ka zhvilluar një takim përmbajtjesor me miqtë e Kosovës, senatorët amerikanë Ron Johnson dhe Chris Murphy.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është unike, si nga republikanët, po ashtu edhe nga demokratët. Partneriteti ynë me SHBA-në ka qenë dhe mbetet vendimtar në çdo proces për Kosovën. Kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin tonë në NATO, BE dhe OKB”, ka shkruar Thaçi.

Vizita e dy senatorëve amerikanë u zhvillua në Prishtinë në kohën kur po shihet përfshirje më e madhe amerikane në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë dhe në kohën kur Kosova gjendet në prag të zgjedhjeve të përgjithshme nga të cilat do të dalin institucionet e reja, e që tema e dialogut do të jetë një prej sfidave të tyre në muajt e ardhshëm./InfoGlobi

Provo po ashtu

Ende mbetet e paqartë nëse Kosova do të tërhiqet apo do të vazhdojë sivjet drejt INTERPOL-it

Përkundër skepticizmit brenda institucioneve të Kosovës për suksesin e mundshëm për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.