Ballina / RAJONI / Ambasadorja e ShBA-ve e emëruar në Tiranë: Ndryshimi i kufijve jo i dobishëm

Ambasadorja e ShBA-ve e emëruar në Tiranë: Ndryshimi i kufijve jo i dobishëm

Fitorja e zgjedhjeve në Kosovë nga Lëvizja Vetëvendosje u bë të martën pjesë e diskutimeve në Komisionin për Politikë të Jashtme në Senatin e SHBA-së, ku midis të tjerëve, po dëgjohet edhe kandidatja për ambasadore në Tiranë, Yuri Kim.

Senatorja Jeanne Shaheen e pyeti Kimin për deklaratat e Albin Kurtit, kandidatit për kryeministër, për një integrim edhe më të madh midis Kosovës dhe Shqipërisë, çka ka shkaktuar shqetësime te Serbia sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

“Nuk ka dyshim që SHBA-ja mund të luajë një rol të madh në zgjidhjen e kësaj çështjeje. SHBA-ja ka bërë investime të madha në rajon duke sjellë paqe dhe po punon me shtetet që të qëndrojnë të pavarura, në paqe dhe të punojnë si skuadër”, tha Kim, raporton Tch.

“Ndryshimi i kufijve nuk është i dobishëm”, theksoi kandidatja për ambasadore.

“Ne nuk kemi një përfaqësues, por dy të tillë për këtë çështje dhe mendoj se nuk ka asnjë dyshim se kjo Administratë po punon për zgjidhjen e çështjes”, tha Kim.

Yuri Kim përsëriti disa herë se synimi i punës së saj si ambasadore në Tiranë do të jetë forcimi i institucioneve dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që Shqipëria të përmbushë kërkesat për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian.

Ajo deklaroi përpara senatorëve se problemi dhe rreziku më i madh për Shqipërinë nuk paraqitet nga Rusia, por nga Kina.

Gjatë seancës në Komisionin për Politikën e Jashtme, Kim theksoi se Kina përbën problem në Shqipëri për shkak të investimeve dhe komplikimeve politike që ato mund të sjellin.

Yuri Kim u pyet nga senatorët edhe për muxhahedinët që jetojnë në Shqipëri.

“Kemi punuar shumë afër me Qeveritë shqiptare”, tha Kim, “janë 3 mijë persona që jetojnë në periferi të kryeqytetit”.

“Synimi ynë numër një është që ata të jenë të sigurt, por edhe të integrohen në Shqipëri, si dhe të jenë qytetarë produktivë”, tha kandidatja për ambasadore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.