ambasada,krimi,shqiperi

Ambasadori Lu: Këta persona kanë lidhje me krimin (emrat)

Ambasadori amerikan në Shqipëri Donald Lu përmendi 4 emra që sipas tij tregojnë se politika është e lidhur me krimin. Ai tha emrat e Arben Ndokës, Elvis Roshit, Arben Frrokut dhe Gentian Muhametit.

Arben Ndoka është ish-deputet i Partisë Socialiste, edhe i angazhuar sërish me degën e PS-së në qarkun e Lezhës ku ai ishte deputet, gjatë fushatës së 2017-ës. Madje gjatë takimeve elektorale ai dilte përkrah kryeministrit Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste.

Ndoka u tërhoq nga politika pasi siç tha ai në atë kohë do t’i dedikohej zbardhjes së të vërtetës nga autoritetet italiane që e akuzonin për shfrytëzim prostitucioni.

Elvis Roshi, ish-kryebashkiak i PS-së në Kavajë. I akuzuar nga autoritet italiane për përdhunim dhe trafik droge, i shkarkuar nga kryeministri Edi Rama. Një ndër kryebashkiakët të sulmuar edhe nga Partia Demokratike.

Gentian Muhameti, ishte kandidat i partisë Demokratike në bashkinë e Këlcyrës, por që vetëm 20 ditë para zgjedhjeve të 2015-ës, PD-ja e tërhoqi nga gara, pasi ka qenë i dënuar për trafik droge dhe prostitucion, vepra që i kishte fshehur duke mos i deklaruar në formularin e vetëdeklarimit, për ligjin e dekriminalizimit.

Ndërkohë, emri i fundit i përmendur nga Lu, është ai i Arben Ndokës, vëllait të ish-deputetit Mark Frroku, ky i fundit i vënë përpara drejtësisë për vepra të ndryshme penale.

Arben Frroku akuzohet për vrasjen e komisarit të Kombinatit Dritan Lamaj, dhe për të janë hedhur akuza për lidhje me drejtues të policisë në kohën kur PD-ja ishte në pushtet. Ndërkohë që Frroku mundi të arratisej nga Shqipëria për shkak të një vendimi të gjykatës që e la në gjendje të lirë derisa dënimi i tij të merrte formë të prerë në GJykatën e Apelit. Arben Frroku shfrytëzoi këtë hapësirë për të dalë nga Shqipëria.

Këto deklarata kryediplomati amerikan i bëri gjatë prezantimit të Task-Forcës kundër organizatave dhe grupeve të krimit të organizuar, planit operacional, “Forca e Ligjit”, një rrugë e re për institucionet ligjzbatuese në Shqipëri

“Dimë se Shqipëria ka problem mes lidhjeve të grupeve kriminale dhe politikanëve, nëse e mohoni këtë duhet të shqyrtoni rastet e Arben Frrokut, Elvis Rroshit, Arben Ndokës dhe Gentjan Muhametit. Ky nuk është vetëm problemi i një partie, por ka pllakosur politikën shqiptarë që nga rënia e komunizmi. SHBA do të angazhohet fuqimisht kundër krimit të organizuar, pavarësisht lidhjeve që mund të ketë me njerëz të rëndësishëm, politikanë, prokurorë, gjyqtarë apo biznesmenë. Ju thoni gjithashtu një shprehje: “Peshku i madh e ha të voglin”, për një herë të vetme në Shqipëri duhet të hamë peshkun e madh”, tha Lu gjatë këtij aktiviteti.

Duke ju referuar shprehjes që tha Lu: “Ky nuk është problem i vetëm një partie”, edhe emrat që ai përmendi janë në baraspeshë për përfshirje me dy forcat politike më të mëdha në Shqipëri, PD dhe PS.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.