fbpx

Amaterizmi politik i politikanëve të Kosovës dhe siguria

Kombinimi i paditurisë politike,tekeve personale e partiake , nepotizmit, rreziqeve të jashtme dhe shumë të tjera, janë duke e cenuar rëndë funksionalizimin e shtetit të Kosovës deri në nivel të vetëshkatërrimit.

Shkruan: Hysen Gecaj

Gjërat që s’i duam na duket se është e pamundur të na ndodhin derisa ato nuk ndodhin, mirëpo praktika ka treguar kudo në botë, se gjithçka ndryshon dhe në ato ndryshime mund edhe të krijohen kushte që të na ndodhin gjëra të papritura dhe të padëshiruara për ne.

Fundja shumë nga ne e mbajnë mend kur besohej se ish-Jugosllavija nuk mund të shpërbëhej, sepse, përveç që ishte shtet ushtarakisht i fuqishëm, kishte edhe mbështetje të madhe në botë, si nga lindja e perendimi, ashtu edhe nga veriu në jug të globit.

Ndodhi që, gradualisht, me ndryshimin e rrethanave në botë dhe fillimin e krijimit të rendit të ri botëror, plus udhëheqja e gabuar e politikanëve të asaj kohe, jo vetëm gjashtë republikat e ish-Jugosllavisë, por edhe Kosova, u ndanë nga ajo federatë e dikurshme, cila jetoi mbi 50 vite.

Shembuj të tillë ka kudo në botë.

Me këtë dua të tërheq vëmendjen se Kosova nuk është qendra e botës. Nuk është as qendra e Ballkanit, prandaj krejt cka na mbetet është vigjilenca dhe menquria politike, e cila, që nga paslufta është duke pësuar rënie pingule.

Rrethanat gjeostrategjike në botë gradualisht po ndryshojnë dhe piku i ndryshimeve në botë për Kosovën ishte viti 1999-2000 e jo viti 2020 në të cilin jemi tani.

Luhatje të mëdha ndodhën me zgjedhjen e Tramp për president të SHBA, i cili, për dallim nga paraardhësit, ai dallonte në konceptin e udhëheqjes së politikës së brendshme dhe të jashtme të SHBA.

Në politikën e brendshme SHBA fitoi disa shenja të stilit ballkanik të udhëheqjes dhe qeverisjes me vendin, edhe pse tradita demokratike e popullit amerikan dhe sistemi i saj i brendshëm nuk durojnë sjellje të tilla.

Në politikën e jashtme Tramp nuk kishte për synim stabilitetin global, por interesat e SHBA pa marrë parasyshë se për cilin shtet,sistem apo president të huaj ishte fjala.

Nuk ishin primare përhapja e frymës së rendit demokratik në botë. Qasja më ndryshe me shtetet dhe liderët të cilët nuk ishin të shquar si demokrtik ishte tregues i mjaftueshëm se ata të cilët deri dje kishin llogaritur në stabilitetin e raporteve me SHBA, tani nuk e ndjenin atë siguri dhe se për ta rrethanat po ndryshonin.

Vendimet e rëndësishme të organizatave ndërkombëtare, si ato të OKB,OBSH,BE, traktate të ndryshme ndërkombëtare etj. në disa raste nuk u respektuan nga Tramp dhe kjo shënoi një luhatje të besimit në këto organizata e përcjellë me një pasiguri ekonomike dhe ushtarake në botë.

Popujt dhe shtetet e vogla në këto raste lihen diku në margjina të vëmendjes së miqve dhe mekanizmave, në të cilët ata llogarisin deri në atë moment. Kjo u hetua edhe në raport me bisedimet Kosovë – Serbi, ku BE dhe SHBA, jo që nuk kishin harmonizim të qëndrimeve, por sjellja e tyre filloi të marrë ngjyrën e politikës ballkanase.

Sa i përket Kosovës, në këtë situatë ajo në vend se të ndjente ose parandjente rrezikun e mundshëm, politikanët dhe strukturat udhëheqëse u treguan skajshmërisht jovigjilentë dhe të gjitha ato poena në interes të Kosovës, që i kishim më parë, iu atribuan Serbisë e cila diti që t’i shfrytëzojë shumë mirë.

Sot kemi situatën që përfaqësuesit e BE-së fajsojnë Kosovën për gabime të cilat as edhe një qytetar i rëndomtë nuk do të duhej t’i bënte. Refuzimi i vizitës së Vuçiqit në mënyrën se si është arsyetuar, ishte skandaloze. Nuk mund të gjeshë pretekst për ndalimin e vizitave të këtij niveli me kushtëzime deri sa Kosova ka nënshkruar një marrëveshje për lirinë e lëvizjes pa kushtëzimin e Vuçiqit, apo kujtdo në Serbi për kërkimfalje, për gjenocidin serb në Kosovë.

Kjo është dashur që të mendohet më herët e jo pasi që marrëveshja është nënshkruar. Kjo flet për joseriozitetin e politikanëve tanë. Tani BE me një gabim tonin amatoresk e favorizon prapë Serbinë, e cila thirret në marrveshjen e nënshkruar për lirinë e lëvizjes.

Serioziteti politik nuk mbështetet mbi akuzat e ndërsjella, se kush është më i mirë e kush më i keq. Ato gjëra dihen, por tani duhet t’i kthehemi aspekteve praktike të zgjidhjes së problemeve e jo zvarritjen deri në pambarim të dialogut, gjë që i konvenon Serbisë.

Pasojë e këtyre gabimeve janë vendosja në detyra/pozita e njerëzve të papërvojë, por vetëm me një amin politik, siç ka ndodhur me emrimet e ambasadorëve, konsujve, atasheve dhe stafit tjetër diplomatik, i cili, përveç skandaleve të njëpasnjëshme, nuk i kan sjellë Kosovës asnjë të mirë.

Rasti më i freskët është emrimi i djalit të deputetit Haxhi Shala për konsull, i cili pasoi me veprimin edhe më të gabuar të UD së Presidentit të Kosovës, e cila në stilin e VV, të cilët shkarkonin borde “vrap si nëpër plumba”, tani UD bënë shkarkimet e konsujve, shpejt e shpejt, pa vlerësuar dëmin e mundshëm.

Natyrisht, në aspektin ligjor besoj se nuk ka asgjë të gabuar, por diçka ligjore nuk nënkupton që duhet të lejojë dëmtimin e karakterit dhe rolin unifikues të Presidentit, i cili është tejet i rëndësishëm në këto momente. Ka mjaft gjëra që janë ligjore e legjitime, por mund të bëjnë dëm të pariparueshëm. Kemi situatat kur opozita, duke shfrytëzuar këto të drejta, zvarrit nënshkrim të ligjeve, ose pozita nuk merr parasyshë vrejtjet me vend të opozitës nga frika e përvetësimit të “meritave”.

Sjellje të tilla po e çojnë Kosovën prapa deri sa bota po ecë përpara. Bota progresive na ndihmoi në çlirimin e vendit, por ne duhet ta ndërtojmë këtë vend. Po harrojmë se po të mos ishin gabimet e politikanëve serbë ne nuk do të ishim këtu ku jemi tani. Serbia prapë po e çon përpara agjenden e saj mbi gjakun e viktimave shqiptare me ndihmën e gabimeve të politikanëve dhe patriotëve folklorikë shqiptarë.

Serbia në sy të botës ka një të kaluar të rëndësishme historike, nuk është e rëndësishme për botën që kjo e kaluar e Serbisë është e qullur me gjakun e popujve të pafajshëm të Ballkanit. Bota kapë vetëm momentët kur Serbia i “zgjon” nga gjumi dhe ua tregonë gabimet tona dhe kështu fiton simpatinë për vete dhe ngjallë urrejtjen e botës ndaj Kosovës. Bota njeh interesat e veta dhe, në këtë aspekt, Serbia është në qendër të vëmendjes si fuqi ekonomike dhe ushtarake në Ballkan.

Krejt çka i duhet botës perëndimore është kthimi i Serbisë kah perëndimi dhe largimi nga Rusia dhe Kina.

Dhe, në fund,Serbia, gradualisht, po kthehet si fuqi ballkanike. Klasa politike e Kosoves duhet të tregohet serioze. Të arrijë koncenzus për çështje nacionale; të arrijë stabilitet të brendshëm politik dhe ekonomik; të përcjellë zhvillimet dhe ndryshimet e interesave të Fuqive të Mëdha ndërkombëtare dhe të ngrisë kapacitetet e veta mbrojtëse në të cilat është e vonuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.