Al Jazeera: Pandemia e urisë, më e keqe se koronavirusi

Në kohën kur e tërë bota duhet t’i përshtatet një normaliteti të ri, më shumë se 130 milionë njerëz mund të mbesin të uritur, parashikon Banka Botërore.

E ashtuquajtura pandemia e urisë mund të prekë më shumë njerëz sesa vetë virus COVID-19.

Në zemër të këtij parashikimi të zymtë është një sistem i ushqimit i cili veçse shkonte dëm dhe asnjëherë nuk ishte i krijuar për të duruar një tronditje të fuqishme si kjo e pandemisë COVID-19.

Pandemia është duke na treguar një të fshehtë të ditur: “nevoja për ushqim apo, uria, nuk është faktor vendimmarrës në zinxhirin e furnizimit me ushqim”.

Arritja e ushqimit deri te tavolinat tona, është një garë kundër prishjes së këtyre ushqimeve. Vonesat nëpër zinxhirin e furnizimeve e rrisin rrezikun e prishjes së tyre.

Nën rrethana normale, problemi është aq i rëndë saqë Boston Consulting Group vlerëson se deri në vitin 2030 ushqimi me vlerë prej 1.5 trilionë dollarëve mund të humbet apo të shkon dëm, dhe kjo llogaritje është bërë pa e marrë parasysh virusin, shkruan Al Jazeera.

Imazhet e fermerëve përreth botës që shkatërrojnë të korrat apo vrasin bagëtinë në mungesë të transportit apo zvogëlimit të kërkesave nga restorantet janë tepër të dhimbshme për t’u parë, sidomos kur në anën tjetër shohim njerëz të uritur duke pritur në rend për ushqim.

Edhe pse do të duhej të ishte e lehtë që ushqimi të dërgohet atje ku njerëzit janë të uritur dhe vdesin nga uria, sistemi nuk funksionon kështu.

Zinxhiri i furnizimit me ushqim përbëhet nga disa aktorë: shitësit e farave dhe kimikateve, fermerët, tregtarët, kompanitë e ushqimit, shitësit, restorantet, dhe në fund, blerësit. Të gjithë duhen paguar për mundin e tyre, ose do të zvogëlohet kapaciteti për shkak se është treg i lirë, dhe ka të bëjë me financa e jo me ushqim.

Kërkesa për ushqim është duke ndryshuar për shkak të rritjes së papunësisë, dhe zvogëlimit të porosive nga restorantet dhe tregjet.

Në SHBA, afro 40 milionë punëtorë kërkuan ndihma si të papunë që nga masat e kufizimeve gjatë pandemisë, të cilat e goditën keq sidomos në industrinë e shërbimeve. Banka Botërore thotë se COVID-19 do të shkaktojë rritjen e varfërisë globale, duke i shtyrë në uri me qindra miliona njerëz.

Gjersa ekonomitë po hapen, bizneset e ushqimit janë duke u munduar të kuptojnë se si të vazhdojnë punën me punonjës në vende të mbyllura pa rrezikuar infektimin. Shumë kompani do të kërkojnë nga punonjësit që të mbajnë pajisje mbrojtëse si maska dhe dorëza.

Kjo do t’i rritë çmimet, edhe nëse njerëzit nuk do të kenë mundësinë të paguajnë.

Dhe kjo mund të jetë pasoja më e keqe e COVID-19, “mund ta mbijetojmë virusin, por do të vuajmë nga uria”, përfundon shkrimin autori Duarte Geraldino nga Al Jazeera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.